Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të mërkurën në mbrëmje se Egjipti pritet të ndalojë Marshin Global drejt Gazës për të mos lejuar që ai të arrijë kufirin Izrael-Egjipt-Gaza.
Më shumë se 7,000 aktivistë pro-palestinezë nga Mauritania, Maroku, Algjeria, Tunizia dhe Libia kanë nisur një karvan proteste të hënën, me synimin për të arritur në pikën kufitare të Rafahut nëpërmjet tokës.
Karvani i Rezistencës së Magrebit, me rreth 300 mjete, u nis nga Tunizi të hënën në mëngjes dhe kaloi kufirin me Libinë të martën. Pritet të hyjë në Egjipt të enjten dhe të arrijë në Rafah disa ditë më vonë.
Organizatorët kanë deklaruar se “karvani Soumoud” synon “të sjellë ushqim dhe ndihma humanitare në Gaza dhe të hapë një korridor humanitar.”
Sipas grupeve pjesëmarrëse, në karvan janë përfshirë “mjekë, studentë, juristë dhe qytetarë të zakonshëm” si pjesë e Marshit Global drejt Gazës, që është planifikuar të mbahet më 15 qershor. Gjatë këtij marshi, 2,500 aktivistë nga më shumë se 50 vende synojnë të ecin nga El Arish në Egjipt drejt Rafahut në Gaza.
“Egjipti duhet t’i ndalojë aktivistët para se të arrijnë kufirin”
Katz tha se Kairo duhet t’i ndalojë aktivistët pro-palestinezë përpara se të arrijnë kufirin, duke pretenduar se ata mund të rrezikojnë jetën e ushtarëve izraelitë që ruajnë kufirin dhe gjithashtu jetët e tyre vetë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes i quajti aktivistët pro-palestinezë “xhihadistë”, duke pretenduar se ata përbëjnë rrezik për stabilitetin e regjimit egjiptian dhe të qeverive të tjera arabe të moderuara në rajon.
Më tej, ai shtoi se grupi pro-palestinez ka ngjashmëri ideologjike me Hamasin dhe se nuk synon vetëm ndihmën humanitare, por edhe mbështetjen ndaj Hamasit për të ruajtur kontrollin mbi Gazën.
Katz theksoi gjithashtu se, nëse Egjipti nuk arrin ta ndalojë grupin, ushtria izraelite (IDF) do të ndërmarrë masat e nevojshme për t’i penguar ata të hyjnë në Gaza.
Marshi pritet të zgjasë tre ditë dhe të përshkojë një distancë prej 48 kilometrash, sipas organizatave si Koordinimi për Veprim të Përbashkët për Palestinën në Tunizi dhe Libianët për Palestinën.
Organizatorët e Marshit Global deklaruan se planifikojnë “një qëndrim të shkurtër në Rafah, nga data 15 deri më 19 qershor”, por theksuan se kjo do të varet nga lejet e qeverisë egjiptiane.
“Qëllimi ynë është të negociojmë hapjen e pikës kufitare Rafah me autoritetet egjiptiane, në bashkëpunim me OJQ-të, diplomatë dhe organizata humanitare,” thanë ata.
Si karvani ashtu edhe Marshi drejt Gazës janë promovuar gjerësisht nga grupet pro-palestineze në mbarë botën. “Studentët për Drejtësi në Palestinë” (SJP) në Amsterdam kanë njoftuar se do t’i bashkohen marshit dhe kanë kërkuar ndihmë financiare për të udhëtuar drejt Kajros.
Çfarë është “Marshi Global për Gazën”?
Mijëra aktivistë nga e gjithë bota po marshojnë drejt Rripit të Gazës për të thyer rrethimin e ashpër të Izraelit dhe për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj gjenocidit që po kryhet atje.
Rreth 1,000 persona që po marrin pjesë në pjesën e marsit të udhëhequr nga Tunizia, të njohur si Karvani Sumud, mbërritën në Libi të martën në mëngjes, një ditë pas nisjes nga kryeqyteti Tuniz, dhe janë aktualisht në pushim pas një udhëtimi të gjatë, pa leje ende për të kaluar pjesën lindore të Libisë, raportohet në media.
Grupi, që përbëhet kryesisht nga qytetarë të vendeve të Magrebit (Afrika Veriperëndimore), pritet të zgjerohet ndërsa njerëz nga vendet përmes të cilave kalojnë do t’u bashkohen gjatë rrugës për në pikën kufitare Rafah midis Egjiptit dhe Gazës.
Kush janë pjesëmarrësit?
Koordinimi për Veprim të Përbashkët për Palestinën po udhëheq Karvanin Sumud, i cili është pjesë e Marsit Global për Palestinën. Janë rreth 1,000 persona që udhëtojnë me nëntë autobusë, me synimin për t’u bërë presion liderëve botërorë që të ndërmarrin veprime ndaj gjendjes në Gaza.
Karvani mbështetet nga Unioni i Përgjithshëm i Punës Tunizian, Shoqata Kombëtare e Avokatëve, Liga Tuniziane për të Drejtat e Njeriut dhe Forumi Tunizian për të Drejtat Ekonomike e Sociale. Po ashtu, është duke bashkëpunuar me aktivistë nga 50 vende, të cilët do të fluturojnë drejt Kajros më 12 qershor për t’u bashkuar në marshimin drejt Rafahut.
Disa prej aktivistëve janë pjesë e organizatave bazë si Lëvizja Rinore Palestinase, Codepink në SHBA dhe Jeëish Voice for Labour në Britani.
Si do të arrijnë në Rafah?
Karvani ka mbërritur tashmë në Libi dhe pas pushimit pritet të vazhdojë drejt Kajros. “Shumica e njerëzve ndihen të zemëruar dhe të guximshëm për shkak të asaj që po ndodh në Gaza,” thotë gazetarja e pavarur tuniziane Ghaya Ben Mbarek, që iu bashkua marsit para kalimit në Libi.
Ben Mbarek beson se si gazetare ka detyrimin të qëndrojë “në anën e duhur të historisë, duke ndaluar një gjenocid dhe vdekjen nga uria”.
Pas bashkimit me aktivistët në Kajro, karvani do të vazhdojë drejt El Arish në Gadishullin Sinai, e prej andej do të marshojnë për tre ditë deri në pikën kufitare Rafah.
A do të përballen me pengesa?
Karvani ende nuk ka marrë leje për të kaluar në pjesën lindore të Libisë. Ndonëse është mirëpritur në perëndim, bisedimet me autoritetet në lindje janë ende në vazhdim.
Aktivistët e kanë pranuar më herët se nuk presin të lejohen të hyjnë në Gaza, por shpresojnë se udhëtimi i tyre do të rrisë presionin ndaj liderëve botërorë për t’i dhënë fund luftës gjenocidale të Izraelit.
Një tjetër pengesë pritet të jetë Egjipti, i cili e konsideron zonën midis El Arishit dhe Rafahut si zonë ushtarake dhe nuk lejon hyrjen pa leje të posaçme.
Qeveria egjiptiane ende nuk ka bërë të ditur nëse do ta lejojë Marsin Global të kalojë përmes territorit të saj. “Dyshoj se do t’i lejojnë të marshojnë drejt Rafahut,” thotë një aktivist egjiptian që preferon të mbetet anonim. “Siguria kombëtare gjithmonë vjen e para.”
Nëse karvani arrin në Rafah, do të përballet me ushtrinë izraelite atje.
Pse u zgjodh kjo formë proteste?
Përkrahësit e Palestinës kanë provuar çdo mënyrë ndër vite për të ndihmuar Gazën. Që nga fillimi i luftës së tanishme të Izraelit para 20 muajsh, janë organizuar protesta globale dhe padi kundër zyrtarëve për bashkëpunim në krimet izraelite.
Janë bërë përpjekje të shumta për të thyer bllokadën me anije ndihmash humanitare, të gjitha ndaluar apo sulmuar nga Izraeli. Në vitin 2010, komando izraelite vranë në ujërat ndërkombëtare nëntë persona në bordin e anijes Mavi Marmara.
Edhe këtë vit, 12 aktivistë të Flotilës së Lirisë u nisën nga Italia më 1 qershor, por u rrëmbyen nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare më 9 qershor.
A do të ketë sukses Marshi Global për Gazën?
Aktivistët e pranojnë se ka shumë gjasa që të mos arrijnë të hyjnë në Gaza. Por ata besojnë se të qëndruarit duarkryq vetëm do t’i japë kohë Izraelit të përfundojë gjenocidin.
“Mesazhi është i qartë: edhe nëse na ndaloni nga deti apo ajri, ne do të vijmë me mijëra nga toka,” thotë Ben Mbarek. “Do të kalojmë edhe shkretëtirat... vetëm që të ndalim njerëzit të vdesin nga uria.”
Sa e rëndë është gjendja në Gaza?
Që nga 7 tetori 2023, Izraeli ka bllokuar hyrjen e ushqimit dhe ndihmave në Gaza, duke shkaktuar një urie të qëllimshme që ka vrarë mijëra dhe mund të vrasë qindra mijëra të tjerë.
Ka bombarduar të gjithë territorin, duke vrarë të paktën 54,927 njerëz dhe plagosur mbi 126,000 të tjerë.
Ekspertët ligjorë besojnë se Izraeli është duke shkaktuar qëllimisht kushte që synojnë shkatërrimin fizik të popullit palestinez – përkufizimi i qartë i gjenocidit.
Indinjata globale është rritur, teksa Izraeli vazhdon të vrasë civilë, përfshirë fëmijë, punonjës ndihme, mjekë dhe gazetarë.
Që nga marsi, Izraeli ka ndalur krejtësisht ndihmat dhe ka qëlluar mbi njerëzit që presin për ndihma, duke detyruar edhe disa qeveri perëndimore të shprehin kritika të rralla.
Komente
