Një pjesë e Evropës po tenton të lehtësojë masat kufizuese kundër Covid-19, por mundësia e një vale të re të virusit është duke shkaktuar shqetësim në komunitetin shkencor.
Nënvarianti i variantit Omicron, BA.2, i cili po quhet edhe “Omicroni tinëzar”, duket se po fiton terren në pjesë të caktuara të botës, përfshirë Danimarkën dhe Britaninë e Madhe, shkruan Euronews.
Quhet tinëzar pasi po shkakton frikë se një lloj i ri i virusit është duke u përhapur në mënyrë aktive nëpër komunitet.
Agjencia për Siguri Shëndetësore e Britanisë së Madhe e cilësoi BA.2-shin si variant nën hetim përderisa shkalla e tanishme e rasteve është shumë e ulët.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Omicroni, ka tri nënvariante kryesore: BA.1, BA.2 dhe BA.3. Deri tani ka mbizotëruar nënvarianti BA.1.
Megjithatë, në disa vende, nënvarianti BA.2 ka filluar që të përhapet më shpejt. Në Danimarkë, ai tashmë përbën gati gjysmën e rasteve të Omicronit.
Shtetet tjera si Britania e Madhe, Norvegjia dhe Suedia gjithashtu po përballen me rritje të rasteve me nënvariantin BA.2, ndonëse jo në masë të njëjtë.