Donald Trump

Bota

Çfarë fshihet pas kërcënimit të Trump me tarifë doganore 50% ndaj BE-së (dhe thembra e Akilit)

24 Maj, 10:35| Përditesimi: 24 Maj, 10:42

  • Share

Mbrëmë, Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë disa nga “investitorët” kryesorë të memecoin-it të tij – një kriptomonedhë e krijuar ditët e rikthimit të tij në pushtet. Kjo monedhë digjitale është vetëm një nga mënyrat që presidenti ka shpikur për të përfituar financiarisht nga posti i tij, ndërsa e ushtron atë. Vetëm njoftimi për darkën e djeshme ka gjeneruar 150 milionë dollarë në vëllime tregtie të kësaj kriptomonedhe (ndërkohë që mbi katër miliardë dollarë janë humbur nga qindra mijëra persona që i besuan këtij investimi).

Por përpara se të ulej në tavolinë me fituesit e lotarisë për darkën, Trump – në këtë rend – dëboi dhjetëra mijëra studentë të huaj nga Harvard-i dhe më pas “rekomandoi” një rritje të tarifave doganore mbi mallrat evropiane në vlerën e 600 miliardë dollarëve, duke i çuar ato në nivele 20 herë më të larta se tre muaj më parë. Vetëm pak orë më herët, ai kishte arritur të miratonte në Dhomën e Përfaqësuesve një ulje taksash që favorizon më së shumti më të pasurit dhe që shton 5 mijë miliardë dollarë të tjerë në borxhin publik amerikan. Njëkohësisht, taksë për remitancat e emigrantëve dhe një tatim shtesë deri në 20% për fitimet nga investimet në aksione apo obligacione amerikane, kur këto janë realizuar nga kursimtarë që jetojnë jashtë SHBA-së.

Dollari bie me 2% – një sinjal shqetësues

Axhenda e presidentit është aq e ngjeshur sa është e vështirë të përcaktosh se cili veprim i tij po shkakton efektet më të mëdha: dollari është në rënie të lirë në ritmin më të shpejtë që nga “Dita e Çlirimit”. Vetëm këtë javë, ai ka humbur gati 2% të vlerës përballë valutave kryesore ndërkombëtare. Shuma të mëdha parash po largohen nga SHBA-të, sikur investitorët po kërkojnë një distancë sigurie. Çfarë sinjali është ky? Është e qartë që një ndër shkaqet kryesore është vala e fundit e tarifave të Trump.

Rreth një muaj e gjysmë më parë, presidenti kishte pezulluar tarifat doganore “reciproke” prej 20% ndaj Evropës, duke i përgjysmuar për të krijuar hapësirë kompromisi deri më 9 korrik. Por dje, në mes të kësaj “armëpushimi”, Trump shpalli tarifa doganore të reja, më të ashpra se ato të mëparshmet. Është e qartë se bisedimet mes Uashingtonit dhe Brukselit kanë qenë një dialog absurd – palët kanë folur në gjuhë të ndryshme, për çështje të ndryshme, duke menduar se flisnin për të njëjtën gjë.

Përplasje stilesh negociuese

Evropianët janë burokratë teknikë që negociojnë me një logjikë ligjore dhe teknike të viteve ’90, gjithmonë me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për treg të lirë. Në anën tjetër, të deleguarit e Trump janë mishërimi i kundërt antropologjik: për ta, negociata është një përballje force, me “armën mbi tryezë”. Ata nuk kërkojnë marrëveshje tregtare, por një tërheqje politike nga ana e Evropës. Dëshirojnë të shkatërrojnë taksat ndaj Big Tech, si ajo që aplikohet edhe në Itali, të shfuqizojnë rregulloret e BE-së për digjitalin dhe të detyrojnë vendet e mëdha evropiane të përjashtojnë produktet kineze. Ishte e pashmangshme që negociatat të dështonin.

E megjithatë, rënia e dollarit është e pazakontë, sepse në situata të tilla zakonisht dëmtohet monedha e vendit që penalizohet nga tarifat doganore. Por dje, euroja u rrit përballë dollarit.

Deficite të papara që nga Lufta e Dytë Botërore

Një arsye tjetër që e shtyu Trump të riniste luftën tregtare është fakti se gjatë qershorit dhe korrikut ai duhet ta kalojë në Senat paketën e tij të uljes së taksave. Dhe e di që kjo nuk do të jetë e lehtë. Kjo paketë garanton që SHBA do të ketë deficite buxhetore më të mëdha se çdo herë tjetër pas Luftës së Dytë Botërore, dhe për një kohë më të gjatë. Departamenti i Thesarit duhet të marrë borxh çdo vit rreth 2 mijë miliardë dollarë më shumë – gati gjysma e kursimeve të reja që krijohen në botë.

Është shumë e mundur që Trump të ketë shpallur tarifat doganore thjesht për të pretenduar se një pjesë e këtyre parave do të vijnë prej andej. Por kjo nuk po funksionon: të ardhurat nga tarifat ekzistuese janë minimale, në mos të papërfillshme. Trump nuk shqetësohet për këtë – për të rëndësi ka të gjejë argumente për të bindur senatorët që të miratojnë planin e tij për taksat. Por e gjithë kjo skemë e bën të dukshme dobësinë e projektit të tij politik. Ai nuk është i vetmi president që ka rritur borxhin amerikan, por ka kontribuar ndjeshëm gjatë mandatit 2017–2021 dhe vazhdon ta thellojë problemin.

Bota po i thotë Amerikës se ekziston një kufi, edhe për të: dollari po bie, ndërsa interesat e bonove amerikane po rriten në mënyrë të çuditshme, sepse investitorët e huaj po hezitojnë më shumë se kurrë t’i blejnë ato.

Institucione të përulura, strategji të paqëndrueshme

Në një moment kaq delikat, SHBA-ve u duhet besueshmëri. Por në Shtëpinë e Bardhë ndodhet një president që e përdor postin për pasurim personal, që përul institucionet, që “pret degën mbi të cilën rri ulur”, duke sulmuar universitetet më të mira dhe duke shkurtuar fondet për kërkim dhe zhvillim. Ai vazhdon të ngrejë mure dhe të kërcënojë pjesën tjetër të botës me një mënyrë të paparashikueshme.

Vështirë të përfundojë mirë, përtej murit që tashmë duket në horizont. Por këtë herë, rreziku është për Amerikën vetë./Corriere della Sera

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?