Si e ka përballuar deri më sot situatën sektori i bujqësisë?
Besoj se në gjithë këtë situatë të vështirë sektori i bujqësisë ka qenë sektori që ka performuar më mirë. Edhe faktet dhe statistikat flasin vetë. Kemi pasur një rritje të prodhimit bujqësor dhe një rritje të ndjeshme të eksporteve të produkteve bujqësore shqiptare, qoftë gjatë këtyre 3 muajve e gjysmë të vitit 2020, qoftë edhe të periudhës së vetëkarantinimit që ka filluar nga data 9 mars e deri më sot. Pra, sektori ka performuar shumë mirë dhe ka pasur edhe rezultate shumë të kënaqshme rritjesh qoftë të prodhimit, qoftë edhe të shitjeve.
Ka pasur një problem me produktet e peshkut, që është krijuar sigurisht nga situata e mbylljes së të gjitha aktiviteteve, si restoranteve, turizmit, pra si rrjedhojë e mungesës së kërkesës nga tregu për këto produkte. Gjithsesi, tani ka një rritje të lehtë sepse kanë filluar edhe eksportet për peshkun e freskët sepse kërkohet kryesisht edhe nga Italia. Kështu që besoj se edhe ky sektor do ta marrë veten gradualisht.
A kemi një përllogaritje të dëmit që i është shkaktuar këtij sektori apo është ende herët për të folur për shifra?
Është ende herët për të folur për llogaritjet e dëmit. Është më shumë një fitim i munguar gjatë kësaj periudhe sepse peshkarexhat, sidomos në fillim, nuk kanë dalë në peshkim për shkak të mungesës së kërkesës. Tani kanë filluar të dalin dhe besoj se gjithmonë e më tepër do të shtohet frekuenca e daljes së peshkarexhave për gjuetinë e peshkut të freskët dhe për rrjedhojë pastaj për të gjithë rivendosjen në ekuilibrat e mëparshëm të sektorit të peshkimit.
A do të ndikojë pozitivisht kjo për tregun e brendshëm, në uljen e çmimeve, pavarësisht se ju përmendët që Italia ka nevojë për peshkun e freskët?
Ai është një ekuilibër që e vendos tregu sigurisht, por çmimet përgjithësisht, për sa u takon perimeve dhe frutave kanë qenë në nivele shumë të kënaqshme, çmimet e produkteve që dalin për eksport. Kjo nuk varet nga tregu i brendshëm, por varet nga ekuilibri i kërkesë-ofertës në tregun e jashtëm, kryesisht në Ballkan dhe në Evropë, ku ne eksportojmë çdo ditë. Për sa u takon çmimeve të brendshme, ato deri diku e ndiejnë atë trend, por nuk është e thënë që domosdoshmërisht duhet të jenë si çmimet që ka në bursën ndërkombëtare të fruta-perimeve. Por unë mendoj, nga vëzhgimi që kemi bërë, se kanë qenë në nivele normale për kohën ku jemi.
Ajo që ne e shohim me shumë kënaqësi është fakti që ka një trend rritjeje disi të lehtë, të çmimit në tregjet ndërkombëtare për fruta-perimet shqiptare. Gjatë gjithë kësaj periudhe, sidomos këto tri javët e fundit, kemi pasur jo vetëm rritje të sasisë së eksportuar, por edhe me çmime të kënaqshme. Kjo ka ndodhur si pasojë e koniunkturave të tregjeve ndërkombëtare. E rëndësishme është që ne jemi të përgatitur plotësisht që ta përballojmë këtë kërkesë në rritje me këto produkte. Po punojmë dhe e gjithë strategjia jonë ka qenë dhe është e fokusuar aty dhe tani po jep edhe frytet e veta, pikërisht që ne të jemi të përgatitur për të furnizuar këto tregje, sa herë që të lindë nevoja jashtë trendeve normale.
Në supermarkatat tona ende vazhdojnë të tregtohen fruta-perime të importit. Si mund të veprohet që, të paktën në këtë periudhë, ne të konsumojmë produkte vendase, të cilat mund të na kushtojnë edhe më lirë?
Ne nuk mund t’i ndalojmë supermarkatat tona që të tregtojnë produkte, të cilat vijnë nga jashtë Shqipërisë. Por bëjmë politika dhe një nga sukseset tona, që besoj se shumë shpejt do të materializohet, është pikërisht fakti që ne kemi treguar një kujdes të veçantë për forcimin e pikave të grumbullimit, të cilat përveç se gjetjes së tregjeve të reja që po rezulton e suksesshme në këto kohë, bëjnë edhe një lloj ngritjeje të standardit të ambalazhimit të mallit sepse supermarkatat kanë një lloj standardi të caktuar sidomos për ambalazhimin dhe për cilësinë e produkteve.
Me investimet që kemi bërë dhe me mbështetjen që kemi dhënë, sipas skemave të IPARD-it, kemi ndihmuar deri në 50-60% të investimeve në këto pika, pikërisht për të krijuar një standard të shitshëm të produkteve shqiptare, tashmë për disa pika grumbullimi në nivele evropiane, dhe shkojnë drejtpërdrejt në supermarkatat evropiane, të ambalazhuara drejtpërdrejt nga Shqipëria. Kanë filluar bisedimet që të përthithen edhe nga markatat dhe supermarkatat shqiptare. Nuk ka asnjë arsye përse të mos bëhet kjo gjë. Ndërsa, për sa i përket tregut fshatar ose tregut të brendshëm jashtë supermarkatave, produktet janë shqiptare, pa diskutim fare, për sa u takon perimeve, sigurisht ato që mbillen në Shqipëri. Pra rreth 95% të produkteve janë shqiptare.
Por faktikisht mungojnë tabelat që tregojnë origjinën e produkteve.
Një nga standardet e ambalazhimit është pikërisht gjurmueshmëria e produktit dhe investimet që kemi dhënë ne në masën 60%, janë pikërisht për pajisje të tilla, në mënyrë që paketimi të ketë edhe barkod, që duke e çkoduar ka të gjithë informacionin për produktin, që nga zona prej nga ka ardhur e deri tek emri i fermerit që e ka dorëzuar në pikën e grumbullimit. Kemi dy-tre grumbullues të mëdhenj në Shqipëri, që po e aplikojnë këtë gjë me shumë sukses, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për tregjet në Austri, në Gjermani, në të gjitha vendet e Ballkanit.
Por neve nuk na vjen mirë kur fermerët tanë i hedhin prodhimet e tyre dhe ne blejmë prodhime importi, me kosto më të lartë. A nuk duhej pasur një lloj ekuilibri në këto ditë të vështira?
Kjo është një histori që përsëritet dhe që ndodh në të gjithë botën. Ato që kemi parë në media, nuk janë gjë tjetër veçse situata kur grumbullues, të cilët kanë parakontraktuar, pra kanë blerë produktin e disa fermerëve, një produkt të caktuar dhe në rastin konkret ka qenë kastraveci i vogël, pra grumbulluesi pasi ka paguar fermerin për minimumin siç kanë rëndë dakord paraprakisht, e ka magazinuar produktin dhe nuk ka pasur çmim për 3-4 ditë që donte ai që të arrinte në tregjet ndërkombëtare. Pastaj për të liruar magaznat ka derdhur atë produkt që, sigurisht për mendimin tim, nuk ishte kjo koha sepse ai mund të kishte gjetur një mënyrë tjetër, qoftë edhe për ta shpërndarë atë falas apo për t’u lidhur me bashiki të caktuara, të cilat kanë nevojë për produkte ushqimore dhe kastraveci është ndër ato produkte të freskëta që nuk duron shumë. Por, gjithsesi mund të kishte gjetur një mënyrë tjetër sesa t’i hidhte.
Por, siç thashë, këto sekuenca mund t’i shihni në të gjithë botën. Nuk është ky problemi i madh. Problemi i madh është që të garantojmë, në fund të fundit, në makro, që kemi gjithmonë një rritje të prodhimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të prodhimit bujqësor shqiptar dhe rritje të qëndrueshme të eksporteve të produkteve shqiptare. Të dyja këto janë në trende mjaft të mira edhe sot që flasim, pas kësaj periudhe të parë apo të dytë, si mund ta quajmë, të pandemisë, apo të paktën të më shumë se 40 ditëve të izolimit për shkak të Covid-19. Kështu që mua nuk më shqetësojnë shumë ato.
Nëse flasim për politika që fermerët t’i kthehen bujqësisë, çfarë ndodh me ata që kanë marrë kredi dhe në fund i groposin produktet e tyre?
Unë e thashë dhe po e përsëris që fermerët e kanë marrë minimumin e marrëveshjes që kanë bërë me atë që ka hedhur kastravecat.
Po, por ju iu referuat vetëm një rasti, atij të kastravecit. Po fermerët e tjerë që prodhojnë produkte të tjera?
Po të shihni në Shqipëri, sot ai kastraveci në fermë shitet me një çmim prej 400 lekësh, ndërkohë që koston e rritjes e ka 200 lekë. Ju nuk shihni mijëra raste shitjeje, por merrni vetëm një rast, të një kamioni që po hedh produktet dhe atë rast e mbani si refren. E mira do të ishte që të mos kishte fare raste të tilla, por këto nuk janë fare problem. Në qoftë se këto do të ishin fenomen, në qoftë se 50% e produktit të kastravecit do të hidhej në atë mënyrë, në qoftë se edhe 10-20% e tij do të hidhej në atë mënyrë, atëherë do të na shqetësonte, por jo kur kemi vetëm një rast të shkëputur, i cili nuk përbën as 1-2% të këtij produkti. Problemi është që të gjithë tregtarët e bujqësisë, pra pikat e grumbullimit, synojnë të kapin një çmim të caktuar me të cilin ata kanë bërë biznes-planin e tyre. Unë si ministër, e shoh këtë gjë në nivel makro. Dhe unë shoh që produkti bujqësor po rritet, po ashtu dhe eksportet po rriten.
Pë muajin mars 2020 në krahasim me muajin mars 2019, eksporti është rritur rreth 20%. Pra rreth 20% më shumë produkte të freskëta bujqësore, pra perime dhe fruta, kanë eksportuar tregtarët shqiptarë. Këta janë tregues shumë të kënaqshëm për mua. Bujqësia është sektor shumë i vështirë, i cili lidhet me shumë fenomene. Po ashtu çmimi është shumë variabël. E thashë që çmimi i kastravecit të vogël ka arritur shifrën prej 400 lekësh në fermë. Sigurisht që ky nuk përbën lajm pë ju. Lajm do të përbënte nëse dikush do të vinte një rimorkio dhe të hidhte disa kastraveca në një kanal dhe atë do ta mbani ndoshta rreth 1-2 muaj si lajm. Rritja e çmimit nuk përbën lajm sigurisht sepse edhhe fermeri është i kënaqur. Për mua rëndësi ka që ai të jetë optimist dhe që të vazhdojë të investojë, ashtu siç po investojnë gjithnjë e më tepër.
Çfrë ka ndodhur me aplikimin e fondeve pranë IPARD? Vazhdon aplikimi apo është ndërprerë sepse jemi në një situatë ndryshe?
Po vijojnë, me të dy frontet. Vijon edhe monitorimi i kontratave që lidhen me thirrjen e parë të IPARD-it dhe me gjykimin e dosjeve të aplikimeve që kanë dorëzuar në thirrjen e dytë. Ka pasur një lloj ngadalësimi sidomos në periudhën e parë, kur edhe karantina ishte më e fortë, dhe duke qenë se mbajtëm vetëm një përqindje të caktuar të administratës së agjencisë përkatëse që merret me zbatimin e IPARD-it. Tani besoj se do të ecet me shpejtësinë normale.
Në një nga videokonferencat që kam pasur me kolegët e mi ministra të rajonit, ku ftuam edhe atë kroat e slloven, si dy vende që i takojnë Bashkimit Evropian, dhe aq më tepër Kroacia që ka edhe presidencën, na sqaruan se në takimin e ministrave të BE-së, ëshhtë diskutuar që të merren masa dhe vendime për të riparë afatet e zbatimit të skemës së IPARD-it për shkak të Covid-19. Do të jetë edhe përfaqësuesi i lartë i DG AGR-it, i Komisionit Evropian që merret drejtpërdrejt me këtë punë, në takimin që do të kemi me kolegët ministra të Ballkanit për një nga pkat e diskutimit që do të kemi nesër.
Sa përfitues janë deri tani?
Deri tani, me thirrjen e parë ne arritëm që të bëjmë kontrata për 58 milionë euro investime në bujqësi dhe deri në rreth 20 milionë janë kontributi ynë.
Agrobiznesi ka kërkuar një paketë të posaçme për mbështetje. Çfarë do të bëhet për këtë?
Unë nuk mendoj që agrobiznesi e ka specifike nevojën për mbështetje. Ne kemi një nga shtyllat kryesore të rritjes së prodhimit bujqësor shqiptar, forcimin e sektorit të agrobiznesit, dhe kemi një nga tri masat që quajmë ne apo kanalet e investimeve nëpërmjet skemës së IPARD-it, e kemi të fokusuar pikërisht tek agrobiznesi. Dhe, në mos gaboj, rreth 3-4 kontrata të thirrjes së parë kanë qenë pikërisht të investimit për agrobiznesin. Është një moment shumë i rëndësishëm që ta forcojmë, në mënyrë që asnjë nga ato produkte që ju patë, po themi në mënyrë simbolike, të mos hidhen, por të përpunohen dhe të gjendet mënyra që ato të mos humbasin vlera, por të marrin një vlerë sado e vogël qoftë ajo.
A mund të ketë garanci sovrane për fermerët? Çfarë do të ndodhë me bujqësinë?
Ju thashë që bujqësia ka ecur mirë. Ne nuk e kemi ndërprerë asnjë ditë qoftë punën, qoftë qarkullimin e produkteve bujqësore. Ka pasur probleme nga moskuptimi i rregullave, të cilat përditësoheshin vazhdimisht, që janë probleme krejt normale, por asnjëherë këto probleme nuk janë kthyer në fenomene. Pra, sektori ka ecur normalisht. Bujqësia ka gjithnjë nevojë për mbështetje. Si ministër i Bujqësisë do të doja që të kisha sa më shumë fonde në dispozicion në mënyrë që t’ia kushtoja drejtpërdrejt, sidomos fermerëve. Por, gjithsesi Shqipëria mbetet një vend jo i pasur, me një buxhet modest dhe brenda këtij buxheti që ne kemi, jemi munduar që t’i injektojmë paratë drejtpërdrejt te fermeri. 100% e parave që dalin nga buxheti i shtetit, pra skema kombëtare, jo pjesa e IPARD-it, shkon drejtpërdrejt te fermeri. Kështu që bujqësia ka gjithmonë nevojë, asnjëherë nuk do të ngopet me subvencione.
Misioni im si ministër i Bujqësisë është që me aq para sa kam në dispozicion, të bëj më të mirën për të shtuar vlerën në investimet në paratë publike që ne hedhim. Pra kur hedhim 1 lek, sigurisht që atë lek ta marrim po mbrapsht nëpërmjet investimeve që do të marrë fermeri e me radhë, i gjithë zinxhiri i produktit ushqimor, por të marrim më shumë sesa 1 lek. Sot në Shqipëri vlerësohet që paraja e injektuar pesëfishohet. Kjo është një shifër shumë e mirë. Pra me 1 lek të hedhur, ne marrim 5 lekë mbrapsht. Kjo është një e dhënë mjaft premtuese, mjaft e mirë, që tregon për politikat e drejta që kemi ndjekur ne në subvencionin që ne bëjmë, në paranë publike që ne hedhim për sektorin e bujqësisë. Pa diskutim që ka nevojë për më shumë. Pa diskutim që ne duhet të mendojmë sesi ta financojmë më shumë këtë sektor, por ne kemi ndjekur një linjë të financimit jo për lëmoshë, jo për asistencë, por kemi ndjekur një linjë të financimit për rritje, pra që paraja të shkojë atje ku të krijojë vlerë, ku të rritet investimi i kryer.
Një nga kërkesat ka qenë bllokimi i importit, me qëllim që të përdoren produktet vendase. Sa gjasa ka kjo që të ndodhë?
Ne nuk mundemi që të bllokojmë importet. Në qoftë se do të silleshim kështu, atëherë ne nuk do të shisnim as domate, as kastraveca, as speca, as lakër, as lulelakër, as luleshtrydhe, as në Ballkan dhe as në Evropë. Bllokimi i importeve është një logjikë dritëshkurtër. Ne kemi marrëveshje ndërkombëtare CEFTA, të cilën jemi të detyruar ta zbatojmë në çdo pikë të saj sepse jemi bërë palë e saj me dëshirën tonë, ashtu sikundër kërkojmë edhe nga shtetet e tjera që ta zbatojnë me përpikëri këtë marrëveshje.
Ka një vendim për të siguruar rezerva në një afat prej 3 muajsh. Si janë përgjigjur bizneset ushqimore dhe sa rezerva kemi ne?
Ky ka qenë një ndër vendimet e para që ne kemi marrë, edhe në një lloj “paniku”, si të thuash, ndërkombëtar jo panik shqiptar. Mendoj se çdo gjë ka rrjedhur sipas parashikimit. Shumë magazina kanë krijuar rezerva për produktet ushqimore të domosdoshme dhe mendoj që në këtë pikë po notojmë në ujëra krejt të sigurta. Nuk ka asnjë problem dhe nuk ka asnjë shenjë se mund të ketë probleme në furnizimin me produktet ushqimore të domosdoshme për popullatën shqiptare.
Pra, i kemi rezervat për 3 muaj, ashtu sikurse thuhet në direktiva apo jemi drejt kësaj pike?
Pjesa më e madhe e tyre janë pranë plotësimit për 3 muaj.
Ka sinjale të mira për sa i përket paketave dhe udhëzimeve për turizmin. A ka ndonjë element shtesë në lidhje me agroturizmin, meqenëse është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit?
Agroturizmi është njëri nga pjesët e sektorit që është prekur sepse ka munguar kërkesa nga publiku për shkak të karantinës. Ne do të shohim edhe impaktin që ka sjellë situata në lidhje me agroturizmin, për të parë pastaj se me çfarë instrumentesh mund ta ndihmojmë. Gjithsesi duke qenë se agroturizmi, më së shumti, është një biznes familjar, pra nuk është shumë i zgjeruar për sa i takon punësimit apo detyrimit ndaj të tjerëve, për sa u takon atyre punonjësve që ka, ata trajtohen me pagën e luftës, siç e kemi quajtur ne.
Por ne duhet ta shohim pak më gjerë ndoshta për të hapur dhe për të menduar që gjatë periudhës transitore deri në hapjen e plotë të jetës në Shqipëri, të fusim me protokolle strikte edhe pjesën e agroturizmit, në mënyrë që të fillojnë të hyjnë në ciklin normal të veprimtarisë së tyre. Në muajin që kaloi është një nga sektorët më të prekur. Por ajo pjesë e agroturizmit që e ka brenda ciklin e mbyllur të prodhimeve bujqësore apo të prodhimeve blegtorale, si qumështi dhe nën produktet e tij, sigurisht që ka synuar ta shesë këtë prodhim jo brenda për brenda sipërmarrjes së saj, por jashtë saj në mënyrë që të mos mbetet i pashitur, duke qenë se përparësia më e madhe e këtij prodhimi është se ai është rritur në mënyrë shumë të shëndetshme dhe të kontrolluar.