Foto ilustruese

Opinion

Çfarë i mungon sot politikës shqiptare?

3 Nëntor 2021, 11:45| Përditesimi: 3 Nëntor 2021, 11:47

  • Share

Politika historikisht është konsideruar një sistem vlerash, mekanizmash, filozofisë njerëzore, individuale e kolektive, ku ndërthuren së bashku për të mbajtur në harmoni komunitetin, për t’i shërbyer atij e mbi të gjitha për ta adresuar atë në sfida të reja, pa harruar idealet të kaluarës. Politika zakonisht është një ideal tip mbi të cilin bazohet dhe zhvillohet individualja në shumën e bashkësive të komunitares.

Politika në versionet e saj historike është përpjekur të jetë modeli më i mirë i harmonisë së elementëve të përbashkët mbi bazën e kurajove dhe iniciativave individuale. Është individualja që krijon sisteme të ndryshme, të ndërthurura për të bërë një bashki të përbashkët, ku në një farë mënyre, të gjithë janë të lumtur ose në kërkim të një lumturie personale në harmoni dhe në simbiozë me një lumturi më madhore e komunitare.

Jo gjithmonë politika është pasqyra e interesave kolektive dhe jo gjithmonë duhet të jenë në një 'status quo' me interesat apo dëshirat e kolektives. Përkundrazi, në shumicën e rasteve dhe siç historia njerëzore na ka mësuar, politika më e mirë është ajo që nis nga iniciativa individuale, të guximshme, që thyen tabutë e kolektivës, që i kundërvihet kolektives, por shpejt kthehet në modele funksionale e frymëzuese nga individuale në kolektive. Nëse gjithmonë do të ishin ndjekur e mbështetur vetëm dëshirat klasike kolektive, njerëzimi dhe modelet e tij sociale duke përfshirë edhe  vetë politikën, nuk do të kishin pësuar revolucione dhe ndryshimet do të ishin aq të pakta dhe të rralla sa njerëzimi do të vazhdonte pafundësisht të jetonte të njëjtat epoka. Por, iluzionet, frymëzimet, vëzhgimet, çmenduritë, pasione dhe vizionet individuale në një konflikt të hapur me klasiken kolektive kanë bërë që bota dhe historia njerëzore të ketë progres të vazhdueshëm e transformime të vazhdueshme, që për hir të vërtetës, jo gjithmonë ka qenë të mirë, por në thelb kanë mbetur të dobishme. Transformimet në një shoqëri duhet të ndodhin gjithmonë, sepse ato mbetet si leksione empirike qoftë për të ardhmen, por mbi të gjitha edhe si leksione mësimore për të kaluarën. Pra, edhe kur kanë ndodhur në thelb ndryshime negative, ato kanë sjellë gjithmonë risi dhe po ashtu e kanë bërë qenien njerëzore shumëdimensionale në lidhje me veten, individualen, kolektivën, komunitaren.

Politika mund të ketë shumë shpjegime dhe interpretime nga më të ndryshmet, por nëse ajo largohet nga qenia njerëzore individuale dhe po ashtu nuk ka lidhje me bashkësitë komunitare, ajo nuk mund të konsiderohet politikë e për më pak një politikë e drejtë. Filozofia politike ka shumë  optika interpretuese, ka shumë instrument vëzhgues e ka shumë metoda apo mënyra interpretuese, por një gjë e ka të tjetërsueshme, politika nuk bëhet pa njerëz, ajo s’mund të ketë kuptim nëse është kundër tyre. Nuk ka komunitet pa forma politike, por nuk ka as politikë pa vlera individuale dhe pa aplikime komunitare. 

Mund të ketë një dilemë të madhe në lidhje me politikën: Pushteti ka krijuar kushtet e ekzistencës së politikës? Pra, pushteti ka krijuar politikën, apo politika ka ekzistuar pa pushtetin e ky i fundit është njëri ndër mekanizmat për mirëfunksionimin e saj. Pushteti në historinë njerëzore sigurisht që ka pësuar evolucion si në format ashtu edhe në funksion. Në kohën e antikitetit pushteti nuk ishte mekanizmi i vetëm i politikës. Politika në Athinë bëhej edhe nga të varfrit, të cilët kishin dhe zotëronin pushtetin e fjalës. Sokrati ishte njëri prej tyre.  Mendoj se politika mund të ekzistojë pa pushtetin e ndërsa pushteti nuk mund të ekzistoj e s’do kishte kuptim pa politikën. Politika frymëzon e krijon modele të ndryshme pushteti, e pushteti në shumicën e rasteve e cenon haur politikën duke e adresuar atë vetëm në një linjë, në shërbim të tij për jetëgjatësinë e tij apo për madhështinë e tij.

Politika është e bukur e shëndosh kur përfaqësohet nga vlerat më të mirë individuale dhe që jetojnë në bashkësitë komunitare e kanë qëllim final të mirën e përbashkët, që romanët e quajtën ashtu siç e quajmë në fakt edhe ne sot, “publikja”. Athinasit më në krye Aristotelin thoshte se më të mirët, më të zotët zgjidhen e besohen nga populli për të qeverisur më mirë e më me sukses të përbashkëtën.

Politika shqiptare sot ka disa probleme më të mëdha që në fakt, unë nuk i konsideroj probleme të pushteti si cilësi të pakicës, por të politikës duke përfshirë të gjithë sistemin e vlerave të një shoqërie që ka humbur busullën e publikes duke e kthyer atë në shërbim ekskluzivë të pakicës. Pra, individualja nuk është frymëzimi, kurajë dhe guximi që sjellë ndryshime duke i shërbyer politikës, por kjo e fundit është bërë forcë imponuese kundër gjithë politikë në nënshtrimin pa kushte të sajën. 

Dilema më e madhe dhe më emergjente në rastin e politikës shqiptarë është: a janë më të mirët ata që kanë marrë në duar fatet e politikës? Cilësitë individuale që kemi a janë modeli i duhur frymëzues për të sfiduar realitetin e kolektivës për të sjellë modele të reja që mund të transformohen në realitete gjithëpranuese nëse fekondohen si duhet në mjediset sociale e komunitare?!

Elementët individualë a kanë realisht modele që premtojnë progres dhe evolucion në shërbim të kolektivës, publikes duke respektuar e promovuar cilësitë individuale pa prishur, por duke sfiduar vazhdimisht ligjet e ndërthurjes së networkeve sociale?!

Nëse elementët individual nuk janë të shëndoshë me dije, të armatosur me ide e mbi të gjitha nëse nuk janë të vendosur për të sfiduar status quo-n duke mos i shërbyer të përbashkës, atëherë ekzistenca e tyre, aksionet e tyre nuk sjellin asnjë koherencë e asnjë evolucion apo progres të përbashkët. Përkundrazi, bëhet pengesa reale për një realitet të shëndosh të përbashkët komunitar duke e penguar evolucionin e vazhdueshëm dhe të nevojshëm sipas sfidave dhe rrethanave përjetuese.

Duket  sikur politika shqiptare në fakt në mënyrë dëshpëruese, për shkak të elementëve jo të shëndoshë individual është përqendruar vetëm tek pushteti duke mos e konsideruar atë një ndër mekanizmit më të rëndësishëm që rregullon dhe justifikon politikën, por duke e trajtuar atë- për fat të keq- arsyen kryesore se përse politika ekziston e duhet të ekzistojë.

Në Shqipëri është krijuar për fat të keq një atmosferë e trishtë, sepse gjithçka rrotullohet rreth pushtetit dhe në funksion të pushtetit. Duam zgjedhje, sepse duam pushtetin! Duam protesta e bëjmë protesta sepse dua të marrim pushtetin. Përdorimin Policinë dhe propagandën, sepse duam të mbajmë pushtetin. Pra, është krijuar një atmosferë absurde sa çdo gjë është në shërbim të pushtetit dhe për pushtetin. Madje, edhe vetë politika duket sikur i është nënshtruar pushtetit. Pra, kemi një anarki të brendshme sa nëse politika do të ishte bërthama që mban brenda protonet e njëra nga këto protone duhet të ishte pushteti, në fakt është pushteti që ngjan si një proton i karikuar që nuk i bindet më bërthamës dhe është aq i fuqishëm sa mund të krijoj përplasje të vazhdueshme duke krijuar mundësi të reja lëvizjes që me egoizëm duan të vrasin publiken dhe të lartësojnë personalen dhe individualen.

Në fakt edhe shoqëria shqiptare tashmë në mënyrë të dëshpëruar duket se nuk i intereson më politika si një bashkësi vlerash dhe mekanizmash për qeverisje, por vetë shoqëria duket në mënyrë të qartë se është kthyer një  nënshtruese e pa kushtëzuar e pushtetit dhe ky fundit tashmë duke thyer të gjitha lidhjet e detyrueshme e funksionale sociale, bën çfarë të dojë dhe si të dojë pa menduar asnjë çast për publiken dhe të përbashkën komunitare e sociale. Duket sikur të gjithë në mënyrë të dëshpëruar dhe të pa shpjegueshme jemi vendosur në rresht në funksion të pushtetit duke e ndihmuar atë në interesin e tij vetjak pa menduar aspak për ekzistencën tonë apo për nevojat tona të përbashkëta, kolektive e publike.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?