Gjatë natës mes 12 dhe 13 qershorit, Izraeli ndërmori një sulm të fuqishëm ndaj objekteve të lidhura me programin bërthamor iranian.
1. Ku dhe sa efektiv ishte sulmi?
Sulmi kryesor kishte në fokus zonën e Natanzit, e përbërë nga tre ndërtesa nëntokësore dhe e ndodhur rreth 220 kilometra në juglindje të kryeqytetit Teheran. Sipas autoriteteve iraniane, janë shkaktuar dëme “në sipërfaqe”, ndërsa burime izraelite pretendojnë se janë goditur edhe zonat nëntokësore, ku ndodhen shumë pajisje të ndjeshme. Sulme të tjera kanë pasur në shënjestër impiante në Tabriz, Arak, Fordow dhe ndoshta edhe në kryeqytet. Disa raportime flasin për një seri shpërthimesh pranë këtij vendi. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite (IDF), Effie Defrin, ka konfirmuar gjithashtu edhe sulmin ndaj qendrës së pasurimit të uraniumit në Isfahan, në Iranin qendror. Janë vrarë të paktën shtatë shkencëtarë, figura kyçe për avancimin e kërkimeve. Megjithatë, nevojitet kohë për të vlerësuar ndikimin e përgjithshëm, pasi ofensiva është vetëm në fillimet e saj dhe shteti hebre ka bërë të ditur se do të vijojë për disa ditë.
2. Cilat ishin objektivat e tjerë të IDF-së?
Të paktën gjashtë baza, pozicione raketore dhe radarë, hedhës raketash, infrastrukturë dhe pajisje kundërajrore janë goditur. Janë shënjestruar gjithashtu rezidenca të vendosura brenda dy komplekseve të administruara nga ushtria, si dhe pallate ku jetonin kërkues shkencorë apo oficerë. Rreth njëzet zyrtarë të lartë janë eliminuar nga sulmet – praktikisht, krerët e komandës së Gardës Revolucionare dhe aparateve më strategjike. Një përpjekje për të çmontuar udhëheqjen dhe për ta bërë më të vështirë hakmarrjen ndaj shtetit hebre.
3. Sa afër ishin iranianët për të ndërtuar bombën atomike?
Raporti i publikuar javën e kaluar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) thekson "mungesën e përgjithshme të bashkëpunimit" nga ana e Republikës Islamike dhe rithekson se Irani ka tashmë uranium të pasuruar me pastërti 60%, të mjaftueshëm për të ndërtuar nëntë bomba atomike.
Raphael Grossi, drejtori i përgjithshëm i AIEA-s, kishte deklaruar në një intervistë për Corriere della Sera: “Ka dallim mes materialit dhe pajisjes. Nga pikëpamja e materialit ata janë shumë përpara: tashmë e kanë. Gjatë këtyre viteve ata kanë grumbulluar sasi të mjaftueshme. Por për të ndërtuar një armë atomike duhen teknologji të tjera: jo të pamundura për iranianët. Vetë ata kanë deklaruar: ‘Kemi të gjitha pjesët e pazëllit’.” Për herë të parë në njëzet vjet, AIEA ka akuzuar zyrtarisht Republikën Islamike për shkelje të angazhimeve të saj bërthamore.
4. Cili ishte alarmi i AIEA-s? A ka rrezik nga rrezatimi tani?
Raporti i javës së kaluar i AIEA-s ka shërbyer si një sinjal paralajmërues për zbatimin e planit të sulmit ndaj Iranit, i përgatitur prej të paktën tetë muajsh. Vetëm dy ditë më parë, për herë të parë në njëzet vjet, AIEA e akuzoi zyrtarisht Republikën Islamike për shkelje të angazhimeve për programin bërthamor.
Në një takim të mbajtur në Vjenë, bordi drejtues i këtij organi ndërkombëtar mbikëqyrës miratoi një rezolutë që denoncon "shumë shkelje" të kryera nga Teherani në lidhje me ofrimin e përgjigjeve të plota për aktivitetet e tij bërthamore. Nga 35 shtetet anëtare, 19 votuan pro, me mbështetjen e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë. Në raport është përfshirë një frazë kyçe që forcon bindjet e qeverisë izraelite – e cila prej kohësh beson se rruga e vetme për të ndalur ajatollahët është ajo ushtarake: “AIEA deklaron se nuk mund të garantojë që programi bërthamor iranian është vetëm për qëllime paqësore.”
Mbrëmjen e djeshme, pas sulmeve të IDF-së, drejtori i AIEA-s, Grossi, tha se “niveli i aktivitetit radioaktiv pas sulmit ka mbetur i pandryshuar, duke treguar mungesë ndikimi radiologjik të jashtëm mbi popullsinë ose mjedisin”, por gjithashtu tha se ka pasur “kontaminim radiologjik dhe kimik brenda impianteve”./Corriere Della Sera
Komente
