Çfarë ka brenda 624 CD-ve?! Përgjimet e publikuara tek VOA i zbardhi Hajdarmataj tre ditë pasi mori në dorë '339-ën'

7 Qershor 2019, 16:33| Përditesimi: 7 Qershor 2019, 21:12

  • Share

Përgjimet e para nga dosja "339", hetimet për të cilën kanë nisur në 28 dhjetor 2016 me prokuror Anton Martinin, kur kryeprokuror ishte Adriatik Llalla, u botuan për herë të parë tek Zëri i Amerikës në janar 2019. Aty flitej për dyshimet për përfshirjen e kryebashkiakut Vangjush Dako në shit-blerjen e votës, përmendur në përgjimet mes bandave të vënë në hetim për trafik heroine, konkretisht Avdyljave në Shijak.

Audio-përgjimet i përkasin shkurtit 2017. Martini i mbajti hetimet deri më 20 nëntor 2017. Por në fakt, transkriptimi i përgjimeve audio është bërë më 23 nëntor 2017, pra tre ditë pasi Besim Hajdarmataj mori në dorë dosjen. Ato janë bërë nga oficeri i Policisë Gjyqësore, P.Gj dhe data është e shënuar në transkriptimin e bisedave telefonike.

Nga 2018-a e deri më tani është duke u hetuar nga dy prokurorë, Vladimir Meçe dhe Dritan Premçi.

Sot, në deklaratën e parë për mediat në lidhje me këtë dosje, drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, tha se deri në tetor 2018, CD-të me audiopërgjime nuk ishin transkriptuar. Çka do të thotë se prokurorët deri në momentin që Hajdarmataj la dosjen (20.11.2017 - 21.09.2018), 2 vite nga nisja e hetimeve, nuk kishte transkriptuar përgjimet, por siç Prela u shpreh - ishin zgjedhur një numër shumë i vogël i tyre, edhe ato në mënyrë sporadike - tha ajo - nga 624 CD që kjo dosje ka në total.

Për herë të parë Donika Prela zbuloi se në dosje nuk ka vetëm audio-përgjime me CD, por edhe DVD (115). Përgjimet më të mëdha janë kryer në vitin 2018, plot 479 CD dhe kanë vijuar edhe në vitin 2019, ku Prela tha se janë 35 CD.

"Në kuadër të hetimeve, janë administruar gjithsej 624 CD me regjistrime të përgjimeve elektronike dhe 115 DVD. Nga këto, janë 110 CD për vitin 2017, 479 CD për vitin 2018 dhe 35 CD për vitin 2019. Sqarojmë se referuar Informacionit që më është vënë në dispozicion nga dy prokurorët e çështjes, në momentin e ngritjes së grupit hetimor nga ana e drejtuesit të prokurorisë tetor 2018, të gjitha CD e administruara kanë qenë të patranskriptuara në tërësi dhe vijimësi, por  ka pasur transkripte të pjesshme, vetëm të disa numrave të veçantë, dhe në mënyrë sporadike", tha Prela.

Prela nuk sqaroi nëse në DVD bëhet fjalë për përgjime të kryera me video ndaj pjesëtarëve të vënë nën hetim, apo nëse me DVD ajo nënkuptoi materiale më voluminoze të cilat kanë kaluar në këtë format vetëm për arsyen e hapësirës së madhe të ruajtjes që ka një DVD.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?