Gaza

Bota

Çfarë ka mbetur nga Gaza, shifrat e shkatërrimit

6 Gusht, 08:18| Përditesimi: 6 Gusht, 08:23

  • Share

“Peizazh hënor”, thonë ata që nuk janë nga Gaza. Kush e ka parë, rrëfen për një skenë surreale, një tokë të mbuluar nga një pluhur pak gri e pak kafe. Kratera të madhësive të ndryshme, mbetje pallatesh, male me rrënoja që kujtojnë vendin ku dikur ishin shtëpitë, hotelet, restorantet, shkollat, xhamitë. Pemët janë pothuajse të zhdukura. “Gaza është tokë e përdhunuar,” shkruan një punonjës humanitar. Ata që kanë lindur atje flasin ende për bukurinë e saj: “Deti Mesdhe, palmat e harlisura.” Bukuri e shkatërruar, sigurisht, por e gatshme për t’u rindërtuar. Sepse “të rindërtosh” është folja më e dashur për palestinezët, sidomos tani që shpresojnë dhe luten që të nënshkruhet një marrëveshje armëpushimi.

Më shumë se 600 ditë pas fillimit të luftës, pas 100.000 tonësh eksploziv, janë vrarë 60.000 persona nga ushtria e Netanyahut, prej të cilëve të paktën gjysma gra dhe fëmijë: një mesatare prej 1.500 viktimash në muaj. Nëse shifrat gjigante të këtij konflikti rrezikojnë të fshijnë emrat, historitë dhe ëndrrat, duke çnjerëzuar dhe banalizuar shkatërrimin që ka mbuluar popullsinë e Rripit pas 7 tetorit — nga sulmi terrorist i Hamasit që vrau 1.200 izraelitë dhe rrëmbeu 250 të tjerë —, ato gjithashtu japin një pasqyrë të qartë të katastrofës në vazhdim.

Sipas një raporti të ISPI, që ka mbledhur të dhëna nga burime të ndryshme zyrtare, që nga prilli i kaluar Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se mbi 70% e të gjitha ndërtesave të Gazës është dëmtuar. Nga këto, 28%, më shumë se një e treta, është shkatërruar plotësisht. Janë shkatërruar më shumë se 800 xhami. Deri në gjysmën e parë të konfliktit, sulmet janë përqendruar kryesisht në pjesën veriore të Rripit, në qarkun e Gaza City. Me kalimin e muajve, ushtria izraelite ka goditur rëndë edhe qarkun e Rafahut, në jug.

Gati 80% e spitaleve dhe klinikave është dëmtuar ose shkatërruar, dhe janë regjistruar rreth 720 sulme ndaj strukturave shëndetësore që kanë shkaktuar 950 të vdekur: mes viktimave, më shumë se njëqind janë mjekë dhe infermierë. Mbi dy milionë banorët e Gazës ndodhen në një situatë të pasigurisë ushqimore ndër më të rëndat në botë.

Bllokimi i plotë i ndihmave, që zgjati dy muaj, bëri që 93% e popullsisë të përjetojë atë që quhet krizë ushqimore, ndërsa 12% ndodhet në kushte “katastrofike”. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi, numri i përgjithshëm i personave që kanë vdekur për shkaqe të lidhura me urinë që nga fillimi i luftës ka arritur në 181, mes tyre 94 fëmijë.

Para luftës, në Gaza hynin rreth 600 kamionë ndihma në ditë. Gjatë dy javëve të fundit, që nga hapja e portave nga qeveria e Benjamin Netanyahut, kanë hyrë vetëm 400: shumë pak në raport me nevojat e njerëzve të uritur dhe të dëshpëruar, të cilët grumbullohen në qendrat e shpërndarjes që tani administrohen nga Gaza Humanitarian Foundation. “Ky sistem i ri i militarizuar nuk plotëson as nevojat, as dinjitetin e popullsisë, e vë atë në rrezik dhe shkel parimet humanitare,” komentojnë nga Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, Angelo Rusconi i organizatës MSF, që ndodhet në Gaza City, dërgon një foto të krahut të një fëmije me perimetër të ngjashëm me atë të një gishti. Që nga 18 marsi, nga përfundimi i armëpushimit, mbi 632.000 persona janë zhvendosur sërish. Që nga fillimi i majit, janë vrarë të paktën 28 punonjës humanitarë, duke e çuar numrin total në 452.

Kanë kaluar njëzet muaj që rreth një milion fëmijë nuk shkojnë në shkollë. Kanë kaluar dy vjet që 700.000 gra përballen me një emergjencë të heshtur higjienike menstruale, me pasoja të rënda për shëndetin e tyre./ Corriere della Sera

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tani: 06/08/2025 09:44

    As nazistat nuk kane qene kaq te pameshirshem e shkatrrues si shteti terrorist izraelian

    Përgjigju
    • gfds: 06/08/2025 13:20

      Absolutisht!

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha i quajti vrasje shtetërore pa dashje ato të 21 janarit, ju si i konsideroni?