Foto nga shkatërrimet ë Gaza, foto arkiv

Bota

Çfarë mund të ndryshojë vërtet me njohjen e Palestinës si shtet?

23 Shtator, 10:43| Përditesimi: 23 Shtator, 11:02

  • Share

Algjer, 5 nëntor 1988. Pikërisht këtu, Yasser Arafat lexon për herë të parë "Deklaratën e Pavarësisë Palestineze", dokumentin zyrtar të PLO-së që shpall Palestinën si shtet të pavarur. Teksti është shkruar nga poeti Mahmoud Darwish dhe lexohet gjatë sesionit përmbyllës të Këshillit të 19-të Kombëtar Palestinez. Salla ngrihet në ovacion. Tridhjetë e shtatë vite më vonë, me Gazën që digjet, fjalët e shkrimtarit të madh në mërgim bëhen një listë e gjatë ëndrrash të shkatërruara, por është nga ky tekst prekës që fillon udhëtimi ndërkombëtar drejt njohjes së shtetit palestinez. Sot, 151 nga 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë bërë këtë. Por çfarë do të thotë kjo valë e re votash "po" për Palestinën?

Çfarë është një shtet?

Nisemi nga koncepti i shtetit. Për t’u njohur si i tillë, një entitet duhet të ketë katër karakteristika minimale: një popullsi të qëndrueshme, një territor të përcaktuar, një qeveri dhe aftësinë për të mbajtur marrëdhënie me shtete të tjera (Konventa e Montevideos, 1933). Palestina ka një popullsi të përhershme dhe një territor që do të ishte i përcaktuar, edhe pse pjesërisht i pushtuar nga Izraeli. Në Bregun Perëndimor qeveria përfaqësohet nga Autoriteti Kombëtar Palestinez, që ushtron funksione të kufizuara për shkak të pranisë izraelite, ndërsa që prej vitit 2007 Gaza është nën administrimin e Hamasit. Në këtë gjendje të brishtë politike dhe territoriale, njohja e shtetit palestinez ka kryesisht një vlerë simbolike.

Sipas Gideon Levy, editorialist i Haaretz, "të njohësh Palestinën, që nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë në të ardhmen e afërt, është e barabartë me një heshtje të turpshme (…). Do të ishte më efektive të merreshin masa konkrete, si sanksione ndaj Izraelit për ta detyruar të ndalte gjenocidin — një veprim që Europa mund ta udhëhiqte — e më pas të riktheheshim te diskutimi mbi të vetmen zgjidhje të mbetur: një demokraci e përbashkët midis Mesdheut dhe lumit Jordan". Megjithatë, njohja e shtetit palestinez ka edhe pasoja praktike.

Ambasadat

Misionet diplomatike palestineze në vendet që njohin Palestinën duhet të ngrihen në nivel ambasadash. Emmanuel Macron ka vendosur tashmë një kusht: lirimi i pengjeve izraelite në Gaza është një hap i domosdoshëm përpara çdo hapi diplomatik, përfshirë hapjen e një ambasade. Por është e qartë se një njohje do ta lehtësonte procesin për dhënien e vizave dhe shkëmbimet mes shteteve. Kjo nuk do të thotë se ata që nuk e njohin Palestinën nuk kanë marrëdhënie diplomatike me ANP-në; është rasti, për shembull, i Italisë, që ka një zyrë konsullore në Jerusalemin Lindor.

Tregtia

Njohja e Palestinës mund të nënkuptojë edhe rishikimin e disa marrëdhënieve tregtare me Izraelin. Ato shtete nuk do të mund të blinin më produkte që vijnë nga vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara. Nuk është një humbje e madhe për ekonominë e Benjamin Netanyahut: edhe këtu mbizotëron simbolika.

Në Pallatin e Qelqtë

Njohja mund të hapë derën e organizatave të mëdha ndërkombëtare, para së gjithash të OKB-së. Që nga viti 2012 Palestina ka statusin e "vëzhguesit të përhershëm", një pozitë që i lejon të ulet në Asamblenë e Përgjithshme por pa të drejtë vote. Megjithatë, anëtarësimi i plotë në OKB kërkon miratimin e Këshillit të Sigurimit, ku Amerika — që nuk e njeh shtetin palestinez — ka të drejtën e vetos.

Kush qeveris?

Sërish Macron thekson se njohja e Palestinës do të shoqërohet me angazhimin e ANP-së për të zbatuar reforma që do ta bëjnë atë një partner më të besueshëm për administrimin e Gazës pas luftës. Por nuk është i të njëjtit mendim Donald Trump, i cili sot takohet në New York me liderët arabë për të diskutuar edhe fazën pasluftës: ANP nuk është e përfshirë./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?