Çfarë na bën evropianë? Kjo është pyetja që ka mbledhur në një panel diskutimi në Shtëpinë e Evropës, përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, në kuadër të prezantimit të Javës Kulturore të Evropës.
“Është një ftesë për të gjithë për të marrë pjesë në shprehjen e asaj se çfarë do të thotë për ne të jemi evropianë dhe ta shprehim përmes muzikës, lëvizjes, imazheve, historive., fjalëve. Duam të shohim Evropën jo si vend gjeografik, por si përvojë që ndajmë, si moment i një imagjinate kolektive. Ne e shohim si një vend ku liria e shprehjes ka rëndësi, ku artistët e shijojnë këtë liri dhe na sfidojnë me narrativat e tyre, me pyetjet e tyre dhe na bëjnë të eksplorojmë identitetet e tyre personale dhe kolektive. Java e Evropës kërkon të inkurajojë biseda kritike rreth asaj ku jemi dhe ku duam të shkojmë si evropianë.”, - shprehet Silvio Gonzato, përfaqësues i BE-së në Shqipëri.
Ndërsa për Federica Mogherinin, “Të jesh evropian është diçka mbase tërësisht e ndryshme për secilin prej nesh."
"Kush është evropian? BE, BE dhe zgjerimi, Evropa gjeografikisht, kultualisht, historikisht? Mendoj se është reflektim në identitet, më tepër se në politika ose vlera. Në të vërtetë mendoj se identiteti përcakton veten në krahasim me të tjerët. Mbase ajo çfarë na bën evropianë është mendimi se rregullat nuk janë ndalesa por garanci për të gjithë, për të garantuar identitetin e secilit.”, - thotë ajo.
Java Kulturore e Evropës, një festë gjithëpërfshirëse e artit dhe kulturës, këtë vit do të shtrihet në nëntë qytete: Tiranë, Kamëz, Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Berat dhe Pilur (Himarë) me një program prej mbi 45 aktivitetesh. Kjo javë ofron një platformë për bashkëpunim ndërkombëtar, reflektim publik dhe shprehje artistike.
Komente
