Dy janë lajmet më të spikatura që po prodhon procesi i zgjedhjes së presidentit të ri: opozita dhe veçanërisht PD që nuk bëhet dot në një mendje për të unifikuar qëndrimin e përfaqësuesve në Kuvend dhe së dyti afshi pranveror që ka përfshirë personazhet folklorikë për tu vetofruar si presidentë të Republikës. Gjithshka tjetër mbeten elementë mbushës të kronikave të pafundme televizive thua se emri i ri në krye të shtetit do të jetë leva e Arkimedit që do ti japë zgjidhje cudibërëse problematikave të shumta që ka ky vend. Starti sidoqoftë ka nisur. Si nga ana e maxhorancës ku deputetët kanë hedhur në koshin e votave nga tre emra të propozuar, ashtu dhe me konsultimet në parlament me grupe të shoqërisë civile apo dhe me grupet parlamentare të opozitës.
Deri më tani republikani Mediu dhe Duka i Agrares janë opozitarët e parë që zbarkuan në Kuvend në takim me socialistin Balla, si hap i parë i konsultimeve për të përcaktuar piketat e identikitit të presidentit të ri vendit. Në deklaratën pas takimit, Mediu gjithësesi përsëriti kërkesën e tij që opozita të ketë një qëndrim të unifikuar për kreun e shtetit dhe negociatat me maxhorancën të mos jenë të veçuara. Në katrahurën e luftës civile që vijon të mbetet konstante e PD në gjithë këto muaj, qëndrimi i Mediut mbetet më i kthjellëti krahasuar me retorikën luftarake që ka përfshirë elitën e përçarë të demokratëve. Midis deklaratave të kreut të grupit parlamentar Alibeaj që thekson se opozita duhet luajë rolin e saj në process pavarësisht se nuk i numrat për të imponuar kandidatura, dhe qëndrimit të përfaqësuesve të Grupit të Rithemelimit që mbeten refraktarë për çfarëdolloj bashkëpunimi me maxhorancën për presidentin, ekziston një hendek i madh. Një hendek i tillë aq sa është thellësia e krisjes që ka pushtuar partinë më të madhe në opozitë.
Pavarësisht hesapeve që ka politika mes vetes procesi ka nisur. Nuk ka ende një identikit se si duhet të jetë presidenti i ri, i gjatë apo i shkurtër, burrë apo grua, me shkollë a pa shkollë, verior apo jugor, kristian a musliman, politikan apo akademist, shkrimtar apo sportist. Vetëm një gjë dihet. Që nuk duhet të jetë si Ilir Meta a të na kujtojë diçka të tij pasi Kushtetutës nuk i duhen vetëm të puthura në kapakun që e mbulon. Pra, çfarë na duhet si president? Një politikan si në tre rastet e fundit ku dëshrira për tu rikthyer në politikë u impononte presidentëve të zgjedhur interesa të ndryshme nga kreu i shtetit dhe ku axhenda e shtetarit ngatërrohej keqazi me atë të politikanit të nesërm, apo një profesionisti që e sheh këtë detyrë si shkallën më të lartë të karrierës së tij? Produkti i përzgjedhjes së një emri për ta ngritur në piedestalin e pushtetit, për mënyrën se si zgjidhet presidenti tek ne, pra në parlament, nuk ka një recetë të gatshme.
Ai është produkt dhe i momentit dhe i ndërthurur me kushtet në të cilat ndodhet vendi. Nëse ka përplasje politike, duhet një figurë sa më e paanshme dhe sa më konsensuale, nëse ngjarjet janë në rrjedhën normale mudn të zgjidhet dikush që identifikohet me proceset më adekuate që përballet vendi. Fjala vjen, për ti dhënë një imazh mbështetjeje reformës në drejtësi mund të përzgjidhet president një jurist a jurist me kontribute të spikatura profesionale. Ose nëse prioriteti për këtë mandat mbetet integrimi i vendit në BE mund spikaste si figurë një diplomat i njohur për ti shërbyer më mirë imazhit të vendit në tryezat e politikës së jashtme. Formula të tilla e të lëvizshme sipas situatave janë pafund. Mjafton vetëm që ato të kryhen sipas ligjeve e në transparencë të plotë. Së fundmi mësohet se në propozimet për kandidatë nga grupi parlamentar socialist, më e kuotuara ka qenë ish ministrja Mimi Kodheli, për tu pasuar në renditjen e mëposhtme nga Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolli, Vali Bizhga e candidate të tjera zonja. Së paku ky është një tregues se socialistët po shkojnë me vullnet të qartë e paracaktuar drejt një Presidente të Republikës çka do të ishte për herë të parë në vendin tonë.
Por ajo çka më rëndësi është është fakti se nisja e këtij procesi të pakërkuar nga ana e opozitës, do të na çojë drejt një presidenti që nuk do të dojë vota të blera nga kundërshtarët poltikë siç ka ndodhur dikur. Pavarësisht se Ramën opozita po e cilëson si të pasinqertë në ofertën për një proces gjithëpërfshirës në përzgjedhjen e presidentit të ri, kjo nuk do të justifikonte bojkotimin e kunsuktimeve nga ana e saj. Vërtet që maxhoranca i ka votat që në fund të rrugëtimit të përzgjedhë kë t’ia ketë ënda për president, por mospjesëmarrja e opozitës në process duke mbetur rob i paragjykimeve, është heqje dorë nga kompetencat e saj në parlament, të cilën e ka dhe si detyrë ligjore. Bojkotimi do të ishte vvec një kujtesë se pak gjë ka ndryshuar nga mendësia e dorëzimit të mandateve parlamentare vite të shkuara, vendim për të cilin vetë opozita e ka cilësuar të gabuar e me pasoja elektorale për të. Në fund të fundit nuk po kërkohet një president konsensual, ku palët të bëjnë pazar se kë do të vendosin si të barazlarguar, por për një president të mirëpranuar e të pëlqyer ndoshta si kandidaturë që në nisjen e procedurave për përzgjedhjen e kreut të ri të shtetit.