Valuta e Turqisë, lira, në muajt e fundit ka rënë në vlerat më të ulëta në histori në krahasim me dollarin amerikan dhe euron. Kjo pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan insiston në politikën shumë të kritikuar për uljen e normave të interesit, megjithëse çmimet për konsumatorët janë rritur. Si rezultat i kësaj, familjet po kanë vështirësi të blejnë ushqim dhe mallra të tjera dhe lira turke ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj që nga fillimi i vitit, duke u bërë një nga valutat me performancën më të ulët. Në këtë tekst mund të mësoni detaje nga kriza e valutës turke dhe ndikimi që ka në shtetin që po përballet me inflacion marramendës.
Çfarë po ndodh?
Banka Qendrore e Turqisë e ka ulur koston e huazimit të parave për 4 për qind që nga shtatori, sipas dëshirës së presidentit Erdogan, edhe pse inflacioni u ngrit për rreth 20 për qind. Erdogan, që është në pushtet për rreth 19 vjet, dhe është bërë më autoritar ndër vite, pretendon se normat e larta të interesit shkaktojnë inflacion, gjë që shkon në kundërshtim me atë që ekonomistët në përgjithësi e thonë: që normat e rritura të interesit do t’i ulin çmimet.
Një burrë mban mallra në shpinë në një zonë tregtare në Stamboll, Turqi, të martën, 2 nëntor 2021. Shumë konsumatorë turq po përballen me vështirësi në rritje pasi çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera janë ngritur në vitet e fundit.
Ulja e normave ka rritur shqetësimet mbi pavarësinë e Bankës Qendrore, derisa politikat jo të zakonshme monetare të shtetit, i kanë frikësuar investitorët e huaj, që po i heqin asetet turke. Në anën tjetër, qytetarët turq po nxitojnë që të këmbejnë kursimet e tyre në valuta të huaja dhe në ari, që t’i mbrojnë ato nga inflacioni në rritje.
“Njerëzit sjellin kursimet e veta dhe gjithmonë duan të blejnë dollarë. Kur do të përfundojë, ku do të shkojë kjo? Po bëjnë panik. Njerëzit janë gjithmonë në panik dhe po përdorin edhe paratë e ruajtura nën krevat”, tha Hulya Orak, një punëtor në një qendër për këmbim të valutave.
Si rezultat, lira turke që mezi është rimëkëmbur nga kriza e vitit 2018, është dobësuar në vlera rekorde në krahasim me dollarin dhe euron. Kjo valutë ra në një vlerë të ulët rekorde në krahasim me valutën amerikane, më 23 nëntor, pasi Erdogan insistoi se nuk do të ketë kthim prapa nga politikat e tij jo të zakonshme.
Të martën (30 nëntor), lira ra në vlerën 14 në krahasim me një dollar, pasi Erdogani ritheksoi se ulja e normave të interesit do të vazhdojë.
Lira u rimëkëmb pak të mërkurën, më 1 dhjetor, pasi Banka Qendrore njoftoi se po intervenon në tregun e huaj të shkëmbimit valutor për të frenuar paqëndrueshmërinë e lirës.
Si janë prekur njerëzit nga kjo?
Kur inflacioni ka arritur vlerën më shumë se 21 për qind, sipas shifrave zyrtare, të premten (3 dhjetor) çmimet e mallrave bazike u rritën dhe shumë njerëz në këtë shtet me një popullsi mbi 83 milionë, po kanë vështirësi t’ia dalin.
Grupi i Pavarur për Studimin e Inflacionit i përbërë nga akademikë dhe ish-zyrtarë qeveritarë, e vendosi inflacionin në një shifër prej 58 për qind.
Opozita turke tash e një kohë të gjatë kanë qenë të zëshëm dhe skeptike mbi shifrat zyrtare të inflacionit dhe ka vënë në pikëpyetje pavarësinë e Institutit Statistikor të Turqisë.
Lira e zhvleftësuar i ka rritur çmimet, duke bërë që importet, derivatet dhe mallrat e përditshme të jenë më të shtrenjta në Turqi, shtet ky që varet nga importi i lëndës së parë.
Ndërkohë, çmimi i qirave është rritur dhe çmimet për blerjen e shtëpive po rriten.
Çdo mëngjes, radhë të gjata formohen para kioskave që shesin bukë më lirë se dyqanet ushqimore dhe furrat.
“Ne po zvogëlojmë konsumin në gjithçka. Më herët kam blerë dhjetë bukë, tani i blej pesë. Tashmë kemi hequr dorë nga blerja e mishit”, tha Sinasi Yukselen derisa po priste në radhë.
Në një qendër tregtare që shet mallra në lirim në Ankara, Emine Cengizer tha se dëshiron të blejë një pallto dimri për vajzën e saj adoleshente, por u largua duarthatë.
“Nëse e blej pallton, nuk do të kemi asgjë të hamë për gjithë javën”, tha ajo.
Selva Demiralp, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Stambollit, tha se është e shqetësuar edhe për një ikje eventuale të trurit.
“Kur dallimi në pagë në mes të asaj që mund të fitosh në Turqi dhe diku jashtë është aq i madh, do të jetë shumë e vështirë që t’i mbajmë njerëzit të shkolluar në shtëpi. Dhe ky është një kërcënim i madh për të ardhmen e këtij vendi”, tha ajo.
Çfarë është politika ekonomike e Erdoganit?
Presidenti turk, Erdogan ka kërkuar që të ketë kosto të ulët të huazimit të parave në mënyrë që ta stimulojë ekonominë, të nxisë rritjen ekonomike dhe eksportin si dhe të krijojë vende pune. Ai është betuar se do të ndalojë ciklin e një ekonomie të varur nga “para të nxehta” afatshkurtra, të joshura nga norma të larta të interesit.
Ekonomistët thanë se duke i rritur kostot e huazimit zvogëlohet inflacioni që ka shënuar rritje nëpër botë, pasi ekonomia po rimëkëmbet nga pandemia e koronavirusit, por është në mënyrë specifike akute në Turqi për shkak të politikave jo të zakonshme të kësaj qeverie.
Një mysliman i devotshëm, religjioni i të cilit e sheh fajdenë si mëkat, Erdogan ka thënë se normat e interesit “janë nëna dhe babai i të gjitha të këqijave”.
Ai ka larguar nga puna tre guvernatorë të Bankës Qendrore që rezistuan uljen e normave të interesit. Erdogan më 2 dhjetor emëroi një ministër të ri të Financave që konsiderohet se e mbështet uljen e normave të interesit, duke çuar kështu në rënie të lirës.
“Me një model të ri ekonomik, ne po e largojmë politikën e tërheqjes së parave me norma të larta të interesit. Ne po mbështesim prodhimin dhe eksportin me interesa të ulëta”, tha Erdogani këtë javë.
Lideri turk i ka lënë fajin për rënien e lirës, forcave të huaja të vendosura për ta shkatërruar ekonominë turke dhe ka thënë se qeveria e tij po lufton “një luftë ekonomike për pavarësi”.
Demiralp, ekonomiste, tha se qeveria po bën të kundërtën e asaj që duhet bërë për të ulur çmimet.
“Banka Qendrore pretendon se duke ulur normat e interesit, do të ndalin presionin e inflacionit. Tregjet nuk po e besojnë këtë histori”, tha ajo.
“Turqia është fokusuar në rritje ekonomike në vend se të ulë inflacionin. Por, unë besoj se edhe rritja është në pikëpyetje në këtë pikë sepse do të shohim më shumë shtrëngime që do vijnë si pasojë e panikut dhe paqartësisë si dhe koston e larta që e shkakton kriza”, shtoi Demiralp.
Çfarë është ndikimi politik për Erdoganin?
Vitet e tij të hershme në pushtet u shënuan me një ekonomi të fortë që i ndihmoi të fitojë disa zgjedhje. Së fundmi, çmimet e rritura për konsumatorët e kanë ulur popullaritetin e tij, ku anketat po tregojnë shqetësim mbi politikat e tij ekonomike edhe në mesin e mbështetësve të tij.
Javën e kaluar, Policia e ndaloi një demonstratë të vogël që shpërtheu në Stamboll dhe disa qytete të tjera turke nga grupe që protestojnë kundër kostos së lartë të jetesës. Dhjetëra persona u ndaluan.
Një aleancë e partive opozitare kanë formuar një bllok ndaj partisë së Erdoganit dhe tashmë kanë filluar të ngrihen në popullaritet, sipas sondazheve.
Pjesëtarë të koalicionit opozitar po kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe po e akuzojnë Erdoganin për tradhti për shkak të keqmenaxhimit të ekonomisë.
Erdogani ka refuzuar të thërrasë zgjedhje të parakohshme, duke insistuar që zgjedhjet do të mbahen në vitin 2023, sipas afatit të rregullt.
Ai tha këtë javë se Qeveria turke po punon në program që do të krijonte 50,000 vende të reja puna dhe pritet të rrisë pagën minimale.
“Ne po përgatitemi që një nga një, të marrim hapa që t’i mbështesim qytetarët, fuqia blerëse e të cilëve ka rënë”, tha Erdogan./ REL
Ca ndikimi thot ky.S,do bej me ligjin Sinan kurrizdali ne Vlore ta dhjesi sic dhjeu Flamurtarin.Fundoset Turqia pirdhet shoqeria me te gjatin
Përgjigju