Bota

Çfarë ndodh kur ndërron jetë një Papë? Protokolli, funerali, Konklava (dhe risitë e sjella nga Françesku)

21 Prill, 14:19| Përditesimi: 21 Prill, 14:34

  • Share

Papa Françesku ndërroi jetë sot, e hënë, më 21 prill. Ati i Shenjtë ndodhej në Romë, në shtëpinë “Casa Santa Marta”, ku ishte transferuar pas shtrimit në spitalin Gemelli. Lajmin e dha kardinali Farrell: «Në orën 07:35, Peshkopi i Romës u kthye në shtëpinë e Atit».

Vdekja e një Pape shënon fillimin e një rituali me traditë mijëravjeçare, i karakterizuar nga një ceremonial rigoroz dhe – në disa aspekte – i panjohur, i cili ndër vite ka pësuar disa ndryshime si pasojë e kohës. Ndër këto, jo të fundit, janë edhe disa risi të futura pikërisht nga Papa Françesku.

Le të ndjekim hapat më të rëndësishëm, nga konfirmimi i vdekjes deri te varrimi, nga simbolika e përdorur deri te mbledhja e Konklavës, e thirrur për të zgjedhur Papën e ri, Pasuesin e Krishtit dhe trashëgimtarin e Shën Pjetrit.

Konfirmimi i vdekjes

Para së gjithash, vdekja e Papës duhet të konfirmohet nga Kamerlengo – kardinali i ngarkuar për të administruar financat e Selisë së Shenjtë dhe për të drejtuar qeverisjen e saj gjatë periudhës së njohur si "sede vakante" (vendi bosh). Ai e bën këtë përpara dy figurave: mjeshtrit të kremtimeve liturgjike dhe sekretarit e kancelarit të Dhomës Apostolike.

Në të kaluarën, për të shpallur vdekjen, Kamerlengo – sipas traditës – e thërriste Papën me emrin e pagëzimit tri herë, ndërsa e prekte në ballë me një çekiç të vogël. Nëse nuk merrte përgjigje, ai shqiptonte frazën latine Vere Papa mortuus est (“Papa ka vdekur me të vërtetë”). Ky ritual është dokumentuar për herë të fundit në vitin 1878, me vdekjen e Papës Piu IX, të konfirmuar nga Kamerlengo Gioacchino Pecci, i cili më vonë u bë Papa Leoni XIII. Në dekadat e fundit, vdekja e Papës konfirmohet nga një mjek. Megjithatë, fraza latine përfshihet nga Kamerlengo në certifikatën e vdekjes të hartuar nga Kancelaria Apostolike, e cila shënon fillimin zyrtar të periudhës “sede vakante”. Që nga viti 2019, Kamerlengo është kardinali Kevin Joseph Farrell.

Përhapja e lajmit në mbarë botën

Pas këtij akti të parë, dhoma dhe studioja e Papës mbyllen me vulë dhe Kamerlengo njofton për vdekjen Vikarin e Romës, i cili e bën publike për gjithë botën. Porta prej bronzi e Shën Pjetrit mbyllet përgjysmë dhe kambanat bien me zë të rëndë, në formë zile të zisë.

Siç thuhet në Universi Dominici Gregis, kushtetuta apostolike e Kishës e shpallur nga Papa Gjon Pali II më 22 shkurt 1996 – dokumenti që përcakton rregullat gjatë periudhës së “sede vakante” – “nëse Papa Romak vdes jashtë Romës, i takon Kolegjit të Kardinalëve të përgatisë gjithçka të nevojshme për një transferim të denjë dhe solemn të trupit në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan”. Në tekst konfirmohet se është Kamerlengo ai që vërteton vdekjen e Papës, pa përcaktuar mënyrën.

Një popull në pelegrinazh

Trupi i Papës transportohet në Kapelën Sistine në një procesion. Aty bëhet balsamosja dhe trupi vishet me rrobat e shenjta (mitrën e bardhë, kazullën e kuqe, palliumin prej leshi të bardhë me kryqe të zeza). Kufoma vendoset mbi një katafalk dhe ekspozohet për tre ditë përpara besimtarëve. Ndërkohë, kardinalët për nëntë ditë kremtojnë të ashtuquajturat “Novendiale” – meshë lutjeje për shpirtin e tij.

Po këta kardinalë thirren të shkatërrojnë Unazën e Peshkatarit, të cilën Papa e merr gjatë meshës solemne të fillimit të papatit, dhe vulën prej plumbi me të cilën zyrtarizonte letrat apostolike. Që nga papati i Gjon Palit II, unaza anulohet përmes një gërvishtjeje simbolike.

Varrimi

Funerali papnor, i quajtur Missa poenitentialis, kremtohet në Bazilikën e Shën Pjetrit në prani të delegacioneve shtetërore nga e gjithë bota. Tradicionalisht, ky rit është zhvilluar nën altarin papnor të realizuar nga Bernini, por për varrimet e fundit – për shkak të pjesëmarrjes së madhe – është përdorur sheshi përpara bazilikës.

Trupi i Papës vendoset në një arkivol trefish: prej selvie, plumbi dhe arre. Para se të mbyllet dhe vuloset, fytyra i mbulohet me një copë mëndafshi. Në fund, arkivoli vendoset në një varr në Grotat e Vatikanit, nën bazilikë, ku ndodhen edhe mbetjet e Papës së parë, Shën Pjetrit. Megjithatë, jo të gjithë Papët janë varrosur atje – një Papë mund të lërë udhëzime të qarta për vendin e varrimit. Disa shembuj: Gregori XII (1406-1415) është varrosur në Recanati; Benedikti XII (1334-1342) dhe Gjoni XXII (1316-1334) në Avinjon; Gregori X (1271-1276) në Arezzo.

“Revolucioni i thjeshtë” i Françeskut

Papa Françesku zgjodhi të revolucionarizojë ritualin, siç shkruhet në Ordo Exsequiarum Romani Pontificis, përditësimi përfundimtar i normave liturgjike për funeralet e Papëve, i publikuar në prill 2024. Botimi i parë i këtij teksti u miratua nga Gjon Pali II në vitin 1998 dhe u botua më 2000; u përdor për funeralin e tij në 2005 dhe, me përshtatje, për atë të Papës emerit Benedikti XVI në 2023.

Struktura e ritit të funeralit mbetet ajo tradicionale (vigjilje, meshë dhe varrim), por me vdekjen e Papës – duke nisur nga Bergoglio – trupi i tij nuk do të ekspozohet më për adhurim mbi një katafalk, por mbi një arkivol të thjeshtë prej druri, “me dinjitet, por si çdo i krishterë tjetër”.

Françesku ka thjeshtuar gjithashtu ceremoninë e varrimit, duke parashikuar vetëm një vigjilje dhe asnjë ceremoni për mbylljen e arkivolit. Një tjetër risi përfshin udhëzimet e nevojshme për varrimin eventual në një vend tjetër nga Bazilika e Vatikanit.

Françesku ka konfirmuar se ka lënë udhëzime për t’u varrosur në Santa Maria Maggiore, bazilika ku shkonte shpesh për të lutur edhe para se të bëhej Papë: “Në një dhomë ku ruanin qirinjtë. Ai është vendi... më kanë konfirmuar se gjithçka është gati”.

Drejt Konklavës

Çfarë ndodh më pas, pas përfundimit të funeralit? Siç thuhet gjithashtu në Universi Dominici Gregis, në kapitullin 37, për të nisur procesin e zgjedhjes së Papës së ri duhet të pritet të paktën pesëmbëdhjetë ditë, për të lejuar ardhjen e të gjithë kardinalëve votues në Romë për Konklavën. Megjithatë, “i lihet Kolegjit të Kardinalëve mundësia për të filluar më herët Konklavën nëse janë të gjithë të pranishëm, ose për ta shtyrë për disa ditë nëse ka arsye të rëndësishme. Por pas njëzet ditësh nga fillimi i ‘Sede Vacante’, të gjithë kardinalët e pranishëm janë të detyruar të kalojnë në zgjedhje”.

Janë në total 252 kardinalë katolikë, 138 prej të cilëve kanë të drejtë të votojnë për Papën e ri. Kardinalët propozojnë kandidatin e tyre të preferuar dhe më pas zgjidhet fituesi mes tyre. Procesi është mjaft i rezervuar dhe hermetik ndërsa lajmi për zgjedhjen e një pape të ri mësohet vetëm nga tymi i bardhë i famshëm.

Pullat postare me vlefshmëri të kufizuar

Si një kuriozitet i fundit, me vdekjen e Papës, Posta e Vatikanit lëshon pulla postare që përshkruajnë stemën e Selisë së Shenjtë – dy çelësat e Shën Pjetrit të kryqëzuar: një prej ari që simbolizon fuqinë e Papës për të zgjidhur dhe lidhur në botën e përtejme, dhe një prej argjendi që përfaqëson fuqinë shpirtërore tokësore – dhe këto pulla kanë vlefshmëri vetëm gjatë kësaj periudhe të veçantë./Corriere Della Sera

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?