'Sunny Hill' në Tiranë, ndizet debati! Nga diskutimet për qëllimet humanitare e tokën ‘djerrë' me shtetarët e Kosovës, tek lumturia e politikanëve tanë

15 Qershor 2022, 09:33| Përditesimi: 15 Qershor 2022, 21:14

  • Share

Një postim në Instagram në faqen zyrtare të Sunny Hill Festival, ku njoftohet se ky Festival i organizuar nga Dua Lipa, artiste shqiptare e Kosovës, do të zhvendoset për edicionin e këtij viti në Tiranë, përkatësisht nga data 4 në 7 gusht, ka bërë që rrjeti të ziejë në Kosovë. Ndërsa në Shqipëri, kryebashkiaku Erjon Veliaj rrëfen se Festivali do të mbahet në Parkun e Liqenit, ndërsa kryeministri Edi Rama në postimin e tij shpreh lumturi.

"Festivali ‘Sunny Hill’ vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S’ka si Tirona jo”, ka shkruar ai.

Shkakun e kësaj zhvendosje të përkohshme e zbardh vetë Dukagjin Lipa, i ati i këngëtares, muzikant dhe menaxheri i saj, i cili ka bërë publike një letër drejtuar krerëve të pushtetit qendror e lokal në Kosovë, në lidhje me atë që ai konsideron si mbajtje peng  prej tri vitesh të Festivalit Sunny Hill, në mungesë të dhënies së hapësirës së përshtatshme për të.

“Nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, edicioni i këtij viti i festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë”, shkruan Lipa.

Në dy edicionet e mëparshme Festivali është mbajtur në Parkun Gërmia në veri të Prishtinës, ndërsa një vit më herët Dua njoftoi se Sunny Hill do të mbahej sërsh në Prishtinë. Dukagjini thotë se për një Festival të tillë, të rangut botëror, ka dhënë një zgjidhje alternative për hapësirën që nuk gjendet në Prishtinë, dhe ka hedhur poshtë aludimet se kërkon tokën për 99 vjet.

“Ne kemi shprehur gatishmërinë që hapësirën e ndarë nga Komuna e Prishtinës, (tokë djerrinë dhe e papërdorshme sot) të kthejmë në një PARK PUBLIK, të qasshëm për të gjithë qytetarët, para dhe pas përdorimit për nevojat e festivalit dhe nën mbikëqyrjen e organizatës Sunny Hill”, shton babai i artistes.

Një vendimi i tillë ka bërë që opinionet të ndahen, pro dhe kundër Lipajve artistë, apo politikanëve shqiptarë të Kosovës.

Aktivistja Esarta Gashi shprehet, se Sunny Hill është prezantuar në Prishtinë, si organizatë humanitare, ku një pjesë të fitimit sipas saj ishte angazhuar ta investonte tek të rinjtë e Kosovës. Po ashtu ajo thekson, se Festivali mund të rimbahej në të njëjtën tokë.

“Nëse hyn në ueb faqe të Sunny Hill shkruan që është organizate humanitare ndërsa nëse hyn ne Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron si sh.p.k (biznes privat) dhe askund në aktivitetet e tij nuk përmendet aktiviteti humanitar. E mos të flasim për çmimet e larta te biletave nga ky festival i organizuar prej një organizate ”humanitare””, thotë aktivistja.

Mirëpo, se cilat janë fitimet që i vijnë Kosovës prej këtij Festivali i rendit vetë Dukagjin Lipa në letrën e tij, ndër të cilat ndalet dhe në aspektin monetar.

“Vetëm nga edicioni i fundit është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), ka sjell deri në 10 (dhjetë) milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë”, shkruan Dukagjin Lipa.

Ndërsa politikania Vlora Çitaku shkruan se nuk gjen asnjë motiv logjik për mosdhënien e tokës djerrinë në Bernicë për Festivalin, duke e parë si një investim fitimprurës për Kosovën.

“Me të drejtë, shumë qytetarë të Prishtinës janë ankuar gjatë Sunny Hill Festival se nuk u është mundësuar qasja në parkun e Gërmisë gjatë festivalit. Ja pra, Sunny Hill ka bërë ofertën ideale. Na e ka ofru edhe një park. Pa asnjë investim nga qeveria. Dua nuk ka nevojë për paret tona. Ama zero”, thotë ajo

Biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli, shprehet i keqardhur që Kosova humbi një Festival të tillë.

“Jam shumë i hidhëruar dhe i zhgënjyer nga dështimi i organizimit të festivalit ”Sunny Hill” në Prishtinë. Kemi humbur rastin e një festivali botëror që do ta vendoste përsëri Kosovën në hartën botërore. Si është e mundur që Tirana heq çdo barikadë dhe shfrytëzon këtë event e Kosova e hedh?”, shkruan ndër të tjera Pacolli.

Për humbjet që i sjellë Kosovës  zhvendosja e festivalit “Sunny Hill” , ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, i cili thekson se kjo është shkaktuar “kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë dhe  do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

Mirëpo Lipa në letrën që shkruan i lë vend zgjidhjes së çështjes, siç ishte konceptuar në zanafillë, me Kosovën si shtëpi të Festivalit.

“Vendimi ishte i vështire por i domosdoshëm. Presim ditë më të mira e rikthim sa më të shpejtë në Prishtinë”, thotë Lipa.

Ora 09:37
Anulimi i Festivalit Sunny Hill në Prishtinë, mesazhi i Dua Lipës

1655278714_DuaLipa.jpg

Sunny Hill Festival nuk do të mbahet në Prishtinë. E pas këtij lajmi ka ardhur edhe reagimi i këngëtares se njohur kosovare. Ajo me anë të një postimi në Story të Instagramit.

“Data e njëjtë, përvoja të njëjta të mrekullueshme, lokacion i ndryshëm! Sunny Hill Festival do të lëvizë në Tiranë”, ka postuar lajmin e faqes zyrtare të Sunny Hill Festival, Dua Lipa në Storyn e saj të Instagramit.

Postimi i Dua Lipa në Instagram
K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Taku: 17/06/2022 12:35

    Kosova ka te drejte qe nuk i pranoi kushtet e babait te dua lipes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?