Bota

Çfarë nxjerrin në pah dokumentat e bëra publike nga kompania Facebook

4 Nëntor 2021, 20:25| Përditesimi: 4 Nëntor 2021, 20:33

  • Share

Kompania Facebook, gjigandi i medias sociale, po përballet me kritika publike dhe hetime nga entet rregullatore pas daljes në dritë të mijëra dokumenteve të brendshme nga një ish-punonjëse e rrjetit social.

Çfarë përmbajnë dokumentet?
Pas përpilimit të dokumenteve, ndërsa punonte si menaxhere në kompaninë Facebook, Frances Haugen ia shpërndau ato një grupi prej 17 mediash amerikane, të cilat bashkëpunuan në një projekt për të publikuar në rrugë individuale gjetjet e tyre.

Raportet, të publikuara në një ditë të koordinuar në fund të tetorit, e portretizojnë Facebook-un si një kompani në përpjekje të rritjes së përdoruesve dhe shtimit të fitimeve, duke mos marrë parasysh mënyrën se si njerëzit po e përdornin platformën për të përhapur urrejtje dhe dizinformim.

Nga dokumentet e studiuara, del në pah se Facebook-u kishte vështirësi kryesisht tek monitorimi i gjuhës së urrejtjes, retorikës nxitëse dhe keqinformimit nga përdoruesit që postonin nga vende të caktuara. Ndër ta përfshiheshin edhe disa përdorues që Facebook-u i kishte përcaktuar se përbënin rrezik të madh për abuzime me pasoja reale.

Deshtimet ishin rezultat i sistemeve me mangësi të inteligjencës artificiale si dhe mungesa e moderatorëve të duhur që flasin shumë gjuhë të ndryshme të përdorura në Facebook.

Kush kishte qasje tek dokumetet?
Përveç dhënies së dokumenteve organeve të shtypit, zonja Haugen i vuri ato në dispozicion të agjencisë amerikane që mbikëqyr dhe zbaton ligjet kundër manipulimeve në treg si dhe Kongresit. Sinjalizuesja Haugen gjithashtu ka dëshmuar para Komisionit të Senatit për Tregtinë dhe para Parlamentit Britanik. Ajo përdori kameran e telefonit për të fotografuar dokumentet.

Pse janë të rëndësishme dokumentet?
Kompania ka shtrirje masive globale. Facebook-u kishte 2.74 miliardë përdorues aktivë në fund të shtatorit, sipas statistikave të kompanisë. Çfarë do të thotë se rreth 1 në çdo 3 njerëz në planet është përdorues. Kompania ofron gjithashtu shërbime të tjera të njohura si WhatsApp dhe Instagram.

Si reagoi kompania Facebook?
Zëdhënësja e Facebook-ut, Mavis Jones, tha përmes një deklarate se kompania po punon për të ndaluar abuzimet në platformën e saj në vendet ku ka një rrezik më të lartë konflikti dhe se ka moderatorë që flasin gjuhë të ndryshme për të rishikuar përmbajtjet e postimeve në 70 gjuhë.

Themeluesi i kompanisë, Mark Zuckerberg, foli të hënën gjatë një konference mbi fitimet tremujore dhe tha se Facebook-u po përballet me “një përpjekje të koordinuar për të përdorur në mënyrë të përzgjedhur dokumentet e dala për të paraqitur një panoramë të rreme të kompanisë ”.

Për këtë raport u përdorën disa informacione nga Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters./VOA/

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?