Izraeli dhe Hamasi janë përkulur, për momentin, përballë një presioni pa precedent. Nga njëra anë, ultimatumi i Donald Trump, i ngjashëm me një urdhër ekzekutiv i përbërë nga rreth njëzet pika. Nga ana tjetër, pesha e ndërmjetësve rajonalë – Katari, Egjipti dhe Turqia – të mobilizuar për të shuar zjarrin. Edhe Irani, pika e referimit e boshtit radikal, është shprehur në mënyrë të favorshme. Diplomacia shpreson që kjo të jetë “po”-ja e parë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme, por është e vetëdijshme për grackat që fshihen përgjatë një rruge të ndërlikuar, të cilat në Lindjen e Mesme marrin forma të ndryshme dhe strehohen në detaje. Ndonjëherë mjafton veprimi i një individi të vetëm për të ndezur zinxhirin e reagimeve.
Çarmatosja
Hamasi duhet (duhet të) dorëzojë armët. Në një fazë të dytë, ka thënë Trump. Një hap i dhimbshëm dhe i kushtueshëm për një lëvizje që në emër ka fjalën “rezistencë”. Ditët e fundit, drejtuesit kanë folur për një dorëzim të pjesshëm, duke këmbëngulur në nevojën për të ruajtur mjetet për vetëmbrojtje. Në të vërtetë, dallimi është i vogël, pasi flasim për të njëjtin “arsenal”. Fraksioni nuk zotëron tanke apo avionë, por lufton me pushkë, hedhës granatash, mjete shpërthyese, disa dronë dhe raketa. Sipas disa vlerësimeve, ka ende mbi 11 mijë militantë (ndoshta edhe më shumë), por ka humbur 90% të oficerëve dhe 97% të raketave.
Mister mbetet çështja e tuneleve: sa prej tyre ekzistojnë ende? Për disa, shumë, një vlerësim (i paplotë) që bazohet në analiza luftarake dhe deklarata propagandistike. Ekspertët kanë theksuar se pragmatizmi i drejtuesve — “mirë, pranojmë kushtet e diktuara nga Shtëpia e Bardhë dhe të rishikuara nga negociatorët” — balancohet nga qëndrimi i militantëve të trajnuar për një luftë të përjetshme. Heqja dorë nga kallashnikovi barazohet me dorëzim dhe, sipas zërave të fundit, kjo “gjeneratë e re” do të ketë qenë kundër dorëzimit të armëve.
Ekziston gjithashtu një aspekt teknik mbi atë se kush duhet të mbledhë pajisjet. Një nga hipotezat parashikon që këtë ta bëjë një forcë shumëkombëshe stabilizimi. Përvojat në konflikte të tjera tregojnë se, nëse ka vullnet, është e mundur të lihen mënjanë armët dhe bombat – megjithëse ekziston gjithmonë një anë e fshehtë, me arka të fshehura mirë.
Tërheqja
Marrëveshja parashikon një tërheqje graduale nga ana e Izraelit. Në kërkesat e Hamasit, rezultati përfundimtar duhet të jetë një tërheqje totale, por ndërkohë, Tel Avivi ka sqaruar se do të ruajë aktualisht kontrollin mbi 53% të territorit. Nuk është përcaktuar një kalendar i qartë. Lehtë kuptohet se mungesa e çarmatosjes ose një pushtim i zgjatur mund të bëhen shkak për rifillimin e armiqësive.
Të burgosurit
Në “shkëmbimin e madh”, Hamasi ka përfshirë edhe dorëzimin e eshtrave të Yahya dhe Mohammed Sinwar, një ide e refuzuar menjëherë nga pala kundërshtare. Po ashtu, fraksioni ka kërkuar lirimin e disa figurave kyçe: Marwan Barghouti, i burgosur simbol dhe drejtues i Fatah-ut; Ahmad Sadat, sekretar i Frontit Popullor, laik, i akuzuar për planifikimin e vrasjes së një ministri në vitin 2001; Hassan Salameh dhe Abbas El Sayed, operativë të Hamasit dhe frymëzues të atentateve vetëvrasëse.
Për Tel Avivin, lirimi i tyre do të thoshte kalim i një vije të kuqe, ndërsa për kundërshtarin, nxjerrja nga qelitë e të dënuarve me burgim të përjetshëm ka një kuptim të dyfishtë: tregon se nuk braktiset askush dhe dërgon një mesazh unifikues ndaj formacioneve të tjera. Pikërisht Barghouti është shembulli tipik. Sipas informacionit më të fundit, izraelitët kanë përsëritur “jo”-në e tyre, ndërsa televizioni i Katarit, Al Jazeera, ka raportuar për negociata në zhvillim.
Sajti Middle East Eye ka pohuar se zyra e kryeministrit Netanyahu do të ketë hequr nga lista Barghoutin, Salamehun dhe Sadatin. Do të shihet në orët në vijim se çfarë do të ndodhë.
Qeverisja
Në Gazën e së ardhmes, sipas “hartës politike”, nuk ka vend për Hamasin. Po flitet për një qeveri teknike, për një organizëm ndërkombëtar që duhet të mbikëqyrë procesin, dhe për një kontingjent të mundshëm paqeruajtës. Regjimet arabe dhe Perëndimi po studiojnë opsione, po llogarisin fondet e nevojshme dhe po hartojnë agjenda influence.
Lëvizja, e cila prej kohësh është e rrënjosur thellë në Rrip, beson se, pavarësisht gjithçkaje, koha është në anën e saj. Një prej përfaqësuesve të diasporës, Moussa Abu Marzouk, ka deklaruar në një intervistë se fraksioni nuk është më thjesht një organizatë, por “një ide”, dhe për këtë arsye nuk mund të dorëzohet./Corriere della sera
Komente
