Foto e Miloard Dodik

Bota

Çfarë plani ka Trump për Ballkanin Perëndimor?

11 Mars, 10:13| Përditesimi: 11 Mars, 10:15

  • Share

Javët e fundit kanë treguar, se sa shpejt mund të ndryshojnë situatat nën Presidentin e SHBA Donald Trump.

Çfarë mund të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?

Tri luftërat e Jugosllavisë të viteve 1990 në Kroaci (1991-95), Bosnjë-Hercegovinë (1992-95) dhe Kosovë (1999) morën fund përfundimisht nën udhëheqjen e SHBA. Që atëherë dy misione ushtarake të drejtuara nga BE dhe NATO garantojnë paqen në këto ish-zona lufte. Por që prej më shumë se dy vjetësh situata në Ballkanin Perëndimor acarohet vazhdimisht.

Spiralja e dhunës filloi në dhjetor 2022. Pasi përfaqësuesit e pakicës serbe në Republikën e Kosovës nën orientimin e kryeqytetit të Serbisë, Beogradit, u larguan nga institucionet e shtetit kosovar gjyqësori, policia dhe administrata presidenti serb Aleksandar Vuçiç filloi një grumbullim të trupave në kufirin verior të vendit fqinj.

Ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger akuzoi Vuçiçin se dëshironte të “luante rolin e një Putini të vogël”.

“Më duket e paimagjinueshme, se si Vuçiç dhe udhëheqja serbe po nxisin telashe këtu. Fajin për këtë shkallëzim ia jap ekskluzivisht Beogradit.”

Vuçiç nga ana tjetër theksoi, se ushtria e Serbisë do të mbronte pakicën serbe në “krahinën jugore” të Serbisë siç e quan ende udhëheqja në Beograd Kosovën, e cila nuk ka qenë nën kontrollin serb që nga viti 1999. Gjatë vitit 2023 situata u përshkallëzua: Në trazirat në maj serbë të dhunshëm goditën dhe plagosën 90 ushtarë të NATO-s nga trupa e paqes në Kosovë, KFOR.

Situata në Kosovë për pak sa nuk përshkallëzoi

Në shtator të vitit 2023 pranë manastirit ortodoks serb Banjska në veri të Kosovës pati luftime mes paraushtarakëve serbë dhe policisë kosovare. Katër vetë humbën jetën dhe dhjetëra paraushtarakë serbë të udhëhequr nga një i besuar i Vuçiçit arritën të arratiseshin në Serbi. Ata lanë pas një arsenal ushtarak modern me vlerë milionash nga rezervat e ushtrisë serbe, që mund të kishte pajisur më shumë se 100 luftëtarë.

Këtu me sa duket ishte planifikuar një operacion më i madh ushtarak – ndoshta me qëllim pushtimin e katër komunave veriore të Kosovës, ku minoriteti serb përbën shumicën e popullsisë në vendin e banuar kryesisht nga shqiptarët. Në tetor 2023 Vuçiçi urdhëroi pastaj tanket të drejtoheshin drejt Kosovës, të cilat u ndaluan vetëm nga ndërhyrjet diplomatike nga Uashingtoni dhe NATO.

Në prill 2024 gjenerali amerikan Christopher Cavoli, Komandanti Suprem i NATO-s për Evropën, paralajmëroi Kongresin e SHBA për synimet e Beogradit, duke thënë se rritja e trupave serbe pas sulmit në Banjska ishte “kërcënimi më i madh i dhunës ndërshtetërore” prej 25 vjetësh.

Kërcënime kundër Bosnjës

Ndërkohë zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vulin kërcënoi një vend tjetër fqinj gjatë një vizite në kryeqytetin rus Moskë: “Bosnja nuk ka qenë kurrë kaq afër fundit të saj”. Pak më parë Milorad Dodik, presidenti separatist i “entitetit” të dominuar nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Srpska (RS), u dënua nga Gjykata e Lartë e Bosnjës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim ushtrimi të detyrës.

Vetëm pak ditë më parë Dodik pati kërcënuar se një vendim fajësimi ndaj tij mund t’i jepte një “goditje fatale” Bosnjës. Presidenti i RS u akuzua për shpërfillje të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt. Përfaqësuesi i Lartë është institucioni më i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, që siguron paqen në vend që nga fundi i luftës 1992-95. Pas dënimit të tij Dodik shkoi më tej dhe inicioi miratimin e ligjeve në Parlamentin e RS, të cilat janë në fuqi fletoren zyrtare të sigurisë shtetërore.

“Serbë tradhëtarë”

Pas dënimit të tij Dodik ndërmori nismën në Parlamentin e Republika Srpska (RS) për miratimin e një sërë ligjesh, që ndalojnë organet boshnjake të sigurisë dhe drejtësisë të veprojnë në RS. Këto ligje hynë në fuqi të premten (6.03.2025) – por nuk janë zbatuar nga të gjtiha autoritetet. Punonjësit në kuartierin qendror të Bosnjes autoritetit policor të shtetit të Bosnjes, Agjencia shtetërore e Hetimit dhe Sigurisë (SIPA), vazhdojnë punën, kolegët e tyre në përfaqësië rajonale në kryeqytetin e RS, Banja Luka, në të kundërt janë larguar nga vendet e tyre të punës.

Presidenti i RS-së Dodik pati paralajmëruar: Të gjithë, që qendrojnë në institucionet e shtetit boshnjak, do të trajtohen si “serbë tradhëtarë”. Gjatë një takimi me presidentin e Serbisë Vuçiç në Beograd më 6 mars Dodik madje pretendoi, “se boshnjakët nga Sarajeva duan një konflikt të armatosur në Bosnje”, për “t’u hakmarrë ndaj serbëve”.

Schmidt: “Është tejkaluar vija e kuqe”

Përfaqësuesi i lartë Schmidt reagoi më 8 mars. Në radion kombëtare gjermane Deutschlandfunk ai tha, se me “sulmin e Dodikut ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës” është “tejkaluar vija e kuqe”. Schmidt i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare, që t’i përkushtohet më fort krizës në Bosnje.

Për herë të parë Përfaqësuesi i Lartë kritikoi krahas Dodikut në mënyrë eksplicite edhe qeverinë serbe, së cilës “duhet t’i tregohen qartë kufijtë”. /DW

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?