Gjykata Kushtetuese ka dëshmuar sot edhe një herë paaftësinë, apo neglizhencën, për të vendosur rreth vlefshmërisë së 30 Qershorit.
Kjo pasi mori kohë plot dy vite duke u fshehur pas Komisionit të Venecias dhe opinionit të tij. Sot, që Kushtetuesja ka dy përgjigje në tryezë, ende nuk ka qenë e parapërgatitur për të vendosur. Vitore Tusha madje e ka lënë të hapur shpalljen e vendimit “brenda afateve”. E thënë ndryshe, Kushtetuesja mund të qëndrojë edhe një muaj pa e dhënë verdiktin për një temë kaq delikate. Sepse siç e parashikon edhe ligji: “Gjykata Kushtetuese i shqyrton çështjet brenda një afati të arsyeshëm, kurse vendimi përfundimtar shpallet i arsyetuar jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i seancës”.
Por përse është i nevojshëm sa më parë vendimi i GjK, rreth 30 Qershorit? Së pari, ky organ suprem i drejtësisë as nuk do të duhej t’i drejtohej për herë të dytë Venecias, kur kjo e fundit iu përgjigj që në 2019 pretendimeve të Ilir Metës.
Konkretisht, Komisioni shprehej se: “Një e drejtë e Presidentit për të shtyrë ose madje anuluar zgjedhjet është e diskutueshme dhe nuk mund të themelohet pa një bazë të veçantë ligjore”.
Dhe të dytën herë, në tetor të këtij viti, po sërish Venecia vëren se Kushtetuesja s’ka kompetencë për të shqyrtuar vendoret e 30 qershorit.
Megjithatë, tani që tekat e Voltana Ademit dhe Ilir Metës u plotësuan duke i dhuruar shqiptarëve dhe botës një cirk, a mundet që GJK të flasë përfundimisht dhe pak shpejt? Sepse nëse anëtarët e saj nuk e kuptojnë, këtu flitet për fatin e të paktën gjashtë bashkive pa kryetarë, që presin se ç’do të bëhet me to. Janë Dibra, Shkodra, Vora, Durrësi, Rrogozhina e Lushnja që përveçse duhet të kenë organet e tyre të zgjedhura vendore si i gjithë vendi, rrezikojnë investimet, ndihmat ekonomike e shumë çështje të tjera administrative.
Apo edhe për ta kuptuar këtë, i duhen leksione nga Venecia?