Deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se Lista Serbe po përpiqet të bllokojë formimin e institucioneve të reja, analistët e interpretojnë kryesisht si një mesazh politik.
Qëllimi i saj, sipas tyre, është të tregojë pajtueshmëri me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në mënyrë që të sigurojë mbështetje edhe për një mandat tjetër presidencial, pas prillit të 2026-ës, kur i përfundon aktuali.
Sociologu nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se pa mbështetjen e Kurtit, Osmani “nuk ka asnjë shans” për mandatin e ardhshëm, dhe se deklaratat e saj të fundit duhet kuptuar në këtë kontekst politik.
“Qëndrimet e saj të fundit përkojnë kryesisht me ato të Kurtit - në lidhje me problemin me nënkryetarin e Kuvendit nga Lista Serbe dhe vendimin e pritur të Gjykatës Kushtetuese”, thotë Muhaxhiri.
Në anën tjetër, politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, i cili ndjek nga afër zhvillimet në Kosovë, beson se Osmani mban përgjegjësi të madhe për krizën institucionale disamujore pas zgjedhjeve të shkurtit, sepse, siç thotë, nuk ka reaguar në kohën e duhur.
“Partitë shqiptare kishin një rol shumë më të madh [në konstituimin e Kuvendit]. Osmani kontribuoi në këtë situatë me mosveprimin e saj. Është Vetëvendosje ajo që tani po e bllokon formimin e institucioneve, sepse udhëhoqi votimin [për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit]”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh në fund të gushtit, pas një krize politike disamujore, që pasoi zgjedhjet parlamentare të shkurtit.
Në ato zgjedhje, asnjë parti nuk mori mjaftueshëm vota për të formuar vetë institucionet e reja.
Tani, një krizë e re duket sërish në horizont, pasi Basha shpalli në mënyrë të njëanshme përfundimin e konstituimit të Kuvendit, edhe pse nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk ishte zgjedhur.
Për këtë arsye, Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese javën e kaluar. Kjo parti - më e madhja e serbëve në Kosovë, që fitoi 9 nga 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend - konsideron se Basha ka shkelur Kushtetutën, duke e ndarë votimin për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë dhe ai serb.
Lëvizja Vetëvendosje i bëri thirrje Kushtetueses që ta shpallë të papranueshme kërkesën e Listës Serbe.
Edhe presidentja Osmani vlerësoi se Kuvendi nuk duhet të bllokohet për këtë çështje dhe pret që Gjykata Kushtetuese të mos vendosë në favor të Listës Serbe, por të konfirmojë se Kuvendi është konstituuar edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë serb.
Përgjegjësinë për bllokimin e formimit të institucioneve të reja, Osmani e kaloi te Lista Serbe, ndërsa analisti politik, Muhaxhiri, beson se këtë e bëri “për të forcuar në mënyrë strategjike aleancën e saj me Kurtin dhe Vetëvendosjen”.
A ka Lista Serbe kapacitet për të bllokuar formimin e institucioneve?
Muhaxhiri beson se Lista Serbe është “një subjekt specifik politik në Kosovë, që formalisht dhe me Kushtetutë, ka fuqi të madhe politike në lidhje me proceset më të rëndësishme shtetërore”.
“Megjithatë, fuqia e saj autonome për të marrë vendime nuk ekziston, sepse është e varur nga një sërë faktorësh të ndërsjellë - vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë”, shton Muhaxhiri.
Ai thekson se Kushtetuta e Kosovës është e qartë për rolin e deputetëve serbë në proceset e formimit të institucioneve.
“Kjo është një pasqyrë direkte e parimeve themelore të Planit Ahtisaari [mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës]. Prandaj, nuk është realiste të thuhet se Lista Serbe mund të bllokojë formimin e institucioneve me vetiniciativë. Çdo përpjekje e tillë paradoksale vetëm do ta forconte atë”, thotë Muhaxhiri.
Sipas tij, vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës “mund ta shpërndajë gjithë mjegullën populiste që ka kapur hapësirën publike që nga zgjedhjet e 9 shkurtit”.
Gogiq thekson, gjithashtu, se Lista Serbe në këtë situatë nuk merr asnjë vendim dhe, në përputhje me rrethanat, nuk mund të bllokojë formimin e institucioneve të reja.
“Osmani nuk dëshiron të marrë përgjegjësi, ajo nuk do ta kritikojë Vetëvendosjen, ndaj është më e lehtë për të që ta fajësojë Listën Serbe. Nuk ishte vetëm Lista Serbe që u indinjua që nuk u zgjodh nënkryetari i pestë, por edhe opozita shqiptare. Ata thanë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse Osmani i jep mandatin [për formimin e Qeverisë së re] Kurtit”, thotë Gogiq.
Partia e dytë më e madhe në Kuvendin e Kosovës pas Lëvizjes Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, beson se Basha nuk duhej ta kishte përfunduar seancën konstituive, sepse Kryesia e Kuvendit nuk u zgjodh në përbërje të plotë kushtetuese.
Lidhja Demokratike e Kosovës - partia e tretë më e madhe në Kuvend - tha gjithashtu se Kuvendi nuk është konstituuar ende dhe se ai nuk mund të funksionojë e as të marrë vendime, pa u përfunduar procesi i konstituimit në përputhje me ligjet dhe rregulloret.
Cila është zgjidhja?
Muhaxhiri thotë se për të dalë nga kriza aktuale, është e nevojshme që udhëheqësit e Kosovës të “gjejnë vizionin, guximin dhe forcën për t’iu rikthyer politikës normale dhe racionale”.
“Politika të mbështetet në patriotizmin kushtetues dhe të lidhet me vlerat kushtetuese dhe parimet demokratike. Mund të tingëllojë si klishe, por, në fakt, është mënyra e vetme për zhbllokim të menjëhershëm dhe për përparim afatgjatë shoqëror e institucional në Kosovë”, thotë Muhaxhiri.
Mendim të ngjashëm ndan edhe Gogiq.
“Zgjidhja është të tregohet pjekuri dhe përgjegjësi më e madhe. Kjo është e pashpjegueshme - ajo që ata bëjnë për muaj të tërë. Nuk ka zgjidhje kushtetuese-gjyqësore nëse keni një situatë ku deputetët nuk duan t’i formojnë institucionet. Kur shkruhen ligje, llogaritet që deputetët do të duan të marrin kontrollin e institucioneve, dhe këtu kemi një ikje nga përgjegjësia”, thotë Gogiq.
Më 7 shtator, Lëvizja Vetëvendosje emëroi udhëheqësin e saj, Albin Kurti, si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Me atë rast, Kurti kritikoi Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se ajo vepron në mënyrë të njëanshme, përkatësisht në favor të partive shqiptare, të cilat në përbërjen e kaluar parlamentare ishin në opozitë.
Gjykata Kushtetuese reagoi përmes një deklarate, ku tha se pavarësia dhe paanshmëria e saj mbrohen nga Kushtetuta dhe se asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj.
Kreu i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë bëri thirrje për respektimin e pavarësisë së gjyqtarëve, ndërsa Ambasada gjermane në Kosovë u bëri thirrje aktorëve dhe institucioneve politike të respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet e saj, duke thënë se pavarësia e gjyqësorit është gurthemeli i sundimit të ligjit./REL
Komente
