Armë të sekuestruara pas sulmit në Banjskë

Çfarë thuhet në aktakuzën për Banjskën?

12 Shtator, 23:56| Përditesimi: 13 Shtator, 00:00

  • Share

Aktakuza që ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës kundër 45 personave për sulmin e armatosur në Banjskë, i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Sipas dokumentit prej 158 faqesh që siguroi Radio Evropa e Lirë, Millan Radoiçiq ngarkohet edhe me lehtësim dhe financim të kryerjes së terrorizmit dhe shpëlarje të parave, ndërsa Radulle Steviq dhe personi juridik RAD D.O.O. vetëm me shpëlarje të parave.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës më 11 shtator, gati një vit pas sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat në veri të Kosovës, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator, 2023, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kush janë të pandehurit?

Në aktakuzë përmenden 45 persona:

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Si përshkruhet sulmi në aktakuzë?

Në aktakuzë, Millan Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”, i cili bashkë me pjesëmarrësit tjerë, më 24 shtator, 2023, në orën 01:00, pasi që kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë dhe pastaj janë fshehur, kanë sulmuar zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët kanë shkuar për t’i hequr kamionët dhe për të liruar rrugën.

Me këtë rast është vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku, është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti, dhe janë lënduar zyrtarët tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi.

Ky sulm, sipas aktakuzës, ka vazhduar deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e këtij grupi është arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë”.

Në aktakuzë thuhet se ata kanë qenë “të trajnuar në mënyrë profesionale” dhe se kanë hyrë ilegalisht në Kosovë nga Serbia “përmes rrugëve malore“ dhe me dhjetëra vetura, “disa prej tyre të blinduara dhe të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake”.

Sipas aktakuzës, nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator, 2023, kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, Millan Radoiçiq ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, pjesa më e madhe e të cilave janë përdorur për armatim të rëndë, uniforma ushtarake, mbështetje logjistike dhe pagesën e pjesëmarrësve të grupit.

Në aktakuzë thuhet se një pjesë e të hyrave të tij buron nga “aktiviteti kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të pandehurit Radulle Steviq - pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq B.I”.

Sipas aktakuzës, ai i ka konvertuar paratë në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ndërsa një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar edhe te personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

Çka thonë të pandehurit që janë në paraburgim?

Prej të pandehurve që përfshin aktakuza, tre janë në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Sipas aktakuzës, një i pandehur është mbrojtur në heshtje.

Një tjetër ka deklaruar në Stacionin policor të Mitrovicës më 24 shtator, 2023, se një ditë më herët ka shkuar në Rashkë, ku është takuar me tre persona (po ashtu të akuzuar), me të cilët, në mënyrë të organizuar me disa vetura, kanë shkuar në Banjskë, ku u janë dhënë uniforma dhe armatim.

Atij i është thënë se “do të bëhet një barrikadë me kamion dhe një protestë, për të cilën ka menduar se është paqësore”.

“Por, pasi ka pranuar uniformën ushtarake-taktike dhe armatimin, aty e ka kuptuar se diçka nuk është në rregull, por se është detyruar t’u bindet urdhrave”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, ai ka thënë se gjatë natës ka qëndruar në një veturë dhe pastaj në afërsi të një ujëvare dhe në mal, dhe se “asnjëherë nuk ka shtënë me armë”.

Më vonë, ai i është dorëzuar Policisë së Kosovës.

Ai, po ashtu, ka deklaruar se rreth dhjetë vetura të tipit Jeep pa targa, kanë ardhur nga Serbia me rreth 50 persona, shumicën e të cilëve ka thënë se nuk i ka njohur.

“Gjithashtu, ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë presion apo kërcënim për të marrë pjesë në këtë grup dhe se vullnetarisht është bërë pjesë e tij...”.

Çka thonë dëshmitarët?

Në aktakuzën e ngritur përmenden gjithsej 29 dëshmitarë - tre prej të cilëve janë anonimë.

Në mesin e dëshmitarëve është edhe Ema Rexhepagiq, bashkëshortja e Radoiçiqit.

Përveç pjesëtarëve policorë që ishin në detyrë gjatë sulmit, dëshmitarët e tjerë përfshijnë edhe mysafirë dhe punëtorë të hotelit dhe banjës termale “Rajska Banjska” në fshatin Banjskë, si dhe persona që njohin të përfshirë në sulm.

Një dëshmitar i mbrojtur me nofkën F1, ka deklaruar se një mik i tij i ngushtë ka qenë pjesë e sulmit dhe se këtë e ka kuptuar pasi ai e ka telefonuar nga Serbia, pas sulmit.

Sipas aktakuzës, ai ka deklaruar se miku i tij i ka thënë që “celula ka filluar nga organizata Mbrojtja civile (Civilna Zastita), ku këta persona janë organizuar me qëllim që të krijojnë strukturë paralele me institucionet e Kosovës”.

Sipas tij, Millan Radoiçiq i ka organizuar këta persona, “të cilët i ka ushtruar, i ka përgatitur me armatim të lehtë dhe të rëndë”. Po ashtu, “për një kohë të gjatë, ata kanë ushtruar në Serbi” dhe “shumicën prej tyre Millani i ka paguar nga 2.000 euro në muaj, përmes parave kesh, për t’i përfshirë në këtë grup”.

Qëllimi i sulmit, sipas këtij dëshmitari, ka qenë “çlirimi i pjesës veriore të Kosovës” dhe që “serbët e kësaj pjese të shkëputeshin nga Kosova”.

“Pastaj, një natë përpara sulmit, Millani i ka thirrur në takim dhe ata kanë hyrë në po të njëjtën natë, para agimit, diku rreth orës 03:00 të mëngjesit, dhe nga aty ka filluar sulmi”, thuhet në aktakuzë.

Ky dëshmitar, po ashtu, ka dëshmuar se miku i tij i ka thënë se armatimin e kanë marrë në Serbi dhe se atë e ka siguruar Radoiçiq, “me lidhje të forta përmes shtetit të Serbisë”,

Ky dëshmitar, sipas aktakuzës, përmend edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe “njerëzit e tij” si të përfshirë, por pa shumë detaje konkrete.

Më tutje, dëshmitari anonim, i emëruar A2, ka rrëfyer se po kalonte në zonën ndërmjet kufirit të Serbisë dhe Kosovës, ku vëzhgoi lëvizje të shumta të automjeteve dhe personave të dyshimtë, përfshirë edhe automjete pa targa dhe me targa serbe.

“Ishte ditë e diel kur rreth orës 09:00 të mëngjesit ka ecur kodrave të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe, rreth orës 10:00, kishte shkuar në Rogozna, që është 500 metra deri në 1 km larg nga kufiri i Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

“Ai identifikoi rreth 15 meshkuj të veshur me uniforma të gjelbra dhe të lagur nga shiu, të cilët ishin kthyer nga Banjska pas sulmit dhe atje priteshin nga gratë e tyre, motrat dhe anëtarët e tjerë të familjes”, thuhet, po ashtu, në aktakuzë.

Duke mos dashur të kalojë pranë tyre, ai i kishte anashkaluar dhe “ishte ngjitur në një kodër, ku ka parë gjithë kufirin dhe shumë pjesë të territorit të Kosovës”.

“Prej aty ka parë që shumë prej tyre vinin nga Manastiri i Banjskës dhe se në kthim i prisnin dy automjete të zeza të markës Dacia, të cilat po vinin në drejtim të tyre dhe ishin të pista dhe të lagura nga shiu”.

“Këto dy vetura normalisht kalonin nga policia serbe pa asnjë kontroll dhe ndalim, lëviznin vazhdimisht deri në dy ose tri herë, duke transferuar anëtarët e atij grupi”, citohet dëshmia e dëshmitarit A2 në aktakuzë.

Ky dëshmitar i ka thënë Prokurorisë se beson që ai grup “është furnizuar me armatim dhe pajisje personalisht nga Serbia, nga duart e privatëve, sepse armët blihen lehtë në Serbi - 200-300 euro mund të blesh një kallashnikov”.

Dëshmitarë të tjerë, ndërkaq, kanë deklaruar se çfarë kanë parë dhe dëgjuar jashtë mureve të hotelit “Rajska Banjska”, ku po qëndronin atë natë.

Në dëshmitë e tyre, ata kanë thënë se kanë dëgjuar krisma të mëdha për orë të tëra natën e 24 shtatorit dhe se për një periudhë të caktuar nuk kanë mundur të largohen nga hoteli.

Sipas dëshmisë së dëshmitarit G.T. - mysafir në këtë hotel gjatë asaj nate - kur kanë filluar të shtënat, ai ka parë dy apo tre persona, ndërsa pastaj hoteli është mbushur plot.

Sipas dëshmisë së tij, persona të armatosur dhe me uniforma kanë urdhëruar që ata të mos largoheshin nga hoteli dhe gjatë gjithë kësaj kohe “kanë mbetur pa ushqime dhe pa ujë”.

Dëshmitë e kolegëve të Afrim Bunjakut

Në aktakuzë përshkruhet në detaje ngjarja se si erdhi deri te vrasja e rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Tetë pjesëtarë të policisë së Kosovës, të cilët kishin arritur të parët në Banjskë, kanë shpjeguar në dëshmitë e tyre se si rreth orës 02:00 të mëngjesit të 24 shtatorit, 2023, kishin vërejtur bllokimin e rrugës në hyrje të fshatit Banjskë.

Pjesëtari i policisë së Kosovës, Alban Rashiti, ka treguar se kamionët e vendosur në mes të rrugës, i kishin vërejtur në kohën kur po ktheheshin nga pika kufitare në Izvor.

Pasi kishin parë kamionët, Rashiti dhe kolegët e tij kanë thënë se janë udhëzuar që të kontrollojnë edhe rrugë të tjera, për të parë nëse ishin vendosur bllokada.

Pas këtij momenti, drejt Banjskës ishin dërguar njësi të tjera nga stacioni policor i Zveçanit.

“Dhoma Komanduese i ka informuar që ka dërguar njësi shtesë për të ardhur në vendin e ngjarjes dhe, po ashtu, atyre u është thënë që të kthehen dhe të qëndrojnë në lokacion dhe të bëjnë foto të kamionëve, të cilët kanë bllokuar rrugën dhe t’ua dërgojnë”, thuhet në aktakuzë.

Pas rreth 20 minutash, aty kanë arritur njësi shtesë, e në njërën prej veturave ishte edhe rreshteri Afrim Bunjaku.

Bunjaku dhe një koleg tjetër ishin nisur drejt kamionëve që bllokonin rrugën dhe papritmas kishte ndodhur një shpërthim.

“Në ato momente ka vërejtur që rreshteri (Afrim Bunjaku) ka mbetur i shtrirë në tokë”, thuhet në aktakuzë.

Pjesëtari tjetër i policisë së Kosovës, Çlirim Shaqiri, ka deklaruar se si ishte munduar që ta tërhiqte nga vendi i ngjarjes rreshterin Afrim Bunjaku pas plagosjes.

“Është afruar tek ai dhe e ka vërejtur se plagët e tij janë në fyt dhe ka gjakderdhje”, por e kishte të pamundur ta tërhiqte, thuhet në aktakuzë.

“Ai kishte provuar sërish ta kryente tërheqjen, kësaj here përmes veturës... Sulmuesit me armë kanë shtënë në drejtim të tij dhe kanë arritur ta godasin veturën, e cila është fikur... Ka mbetur brenda në veturë, pasi nuk ka mundur të dilte prej saj nga të shtënat e shumta në drejtim të tij”, përshkruan aktakuza momentin e sulmit.

Bunjaku ishte tërhequr më pas, përmes një veture tjetër dhe ishte dërguar drejt Mitrovicës së Jugut.

Duke qenë në numër të ulët dhe duke parë artilerinë e rëndë që po i sulmonte, policët kishin provuar të tërhiqeshin nga sulmi, por në ato momente atyre iu kanë ardhur përforcime, përfshirë automjete të blinduara, sipas aktakuzës.

Aty thuhet se konfrontimet kanë zgjatur disa orë dhe se zyrtarët policorë të Kosovës e kanë pasur të mundur t’i përgjigjen sulmit efektivisht deri në fund, pas ardhjes së njësive shtesë.

Në fund të aktakuzës, prokurori i rastit, Naim Abazi, thotë se për shkak të rrezikshmërisë së madhe dhe pasojave, të cilat mund t’i shkaktojnë veprat e kryera penale, “në legjislacionin tonë janë paraparë dënime shumë të rënda, për çka, me rastin e matjes së dënimit kundër të pandehurve, i propozojmë gjykatës që t’i marrë parasysh”./REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?