Prej një muaji me vulë. Prej 11 vitesh me dëshirë të madhe për të rrëzuar qeverinë. Prej po aq vitesh e pa mundur të gjejë mbështetjen e nevojshme masive në popull. Mes një vape të padurueshme edhe pse ishte mbrëmje vonë, protesta kombëtare e Partisë Demokratike si dhe e partive të tjera të opozitës të enjten e 11 korrikut nuk solli asgjë më shumë se një mbledhje me pjesëmarrje të gjerë militantësh dhe anëtarësie në natyrë. Për rreth 3 orë, mijëra vetë kryen manifestimin dhe treguan forcën ndoshta të fundit të këtij sezoni politik, përpara se të nisë sezoni masiv i plazhit. Por çfarë solli protesta e 11 korrikut? Janë të paktën 10 tregues për gjithçka që ndodhi në ato pak orë dhe që tregojnë edhe gjendjen që ndodhet Shqipëria politike në mes të vitit 2024.
1.Protesta e 11 korrikut tregoi se vula që iu dha me vendim të gjykatës së Apelit më 11 qershor nuk ka qenë dhe nuk është gjithçka për Rithemelimin që tashmë quhet me plot gojën Partia Demokratike e Shqipërisë. Edhe pse prej 11 qershorit ajo është në duart e grupimit të shumicës, ajo vulë nuk ka krijuar frymë dhe nuk e ka shtuar numrin e mbështetësve të Partisë Demokratike ashtu siç u trumpetua, por edhe siç pritej nga një pjesë e opinionit. Marrja e vulës nuk shtoi as numrin e atyre që janë në zonën gri dhe që mendoheshin se do të mbështesin Partinë Demokratike, por as të tjerë që janë edhe më indiferentë. Numri i pjesëmarrësve në protestë ishte i konsiderueshëm, por jo i mjaftueshëm për të arritur në konkluzion se qeveria u vendos në vështirësi. Vula thjesht mbeti një koncept abstrakt që tregon se bashkimi vullnetar dhe angazhimi qytetar me dëshirë është shumë më i rëndësishëm se sa vula, logoja, flamuri dhe çdo pjesë e logjistikës së kësaj partie.
2.Protesta e 11 korrikut tregoi se Partia Demokratike vijon të bëjë gabimin e madh duke quajtur fajtor popullin përse nuk e mbështet gjerësisht. Kjo tregon edhe një herë se fajin që kjo forcë politike e ka vete kërkon ta transferojë gjetkë. Thirrjet gjatë fjalimeve të protestës për ata që nuk shkojnë atje dhe për ata që nuk bëhen pjesë e opozitës janë thjesht dëshpërim që tregojnë distancën që opozita ka me masën e njerëzve. Mungesa e një pjesëmarrje të gjerë duhet të shikohet te ata që e drejtojnë Partinë Demokratike dhe jo te ata që nuk e mbështesin Partinë Demokratike.
3.Protesta e 11 korrikut tregoi edhe një herë se mungesa e raportit të Partisë Demokratike me faktorin ndërkombëtar është determinant për këtë parti. Si përherë, edhe për këtë protestë nuk pati asnjë reagim apo mbështetje nga diplomatë apo personalitete të huaja. Kjo tregon se kjo opozitë është dhe mbetet e braktisur nga faktori perëndimor si asnjë opozitë tjetër në këto 34 vjet dhe për këtë është vetëm përgjegjëse dhe askush tjetër. Shitja se dikush në kupolën e PD pi një gotë verë me një ambasador në Tiranë në kohë të lirë, apo se dikush tjetër i dha dorën një kongresmeni amerikan gjatë një vizite në SHBA janë thjesht një humor i pavetëdijshëm nga personazhe në këtë parti që mburren se bëjnë çdo gjë dhe nuk bëjnë asgjë.
4.Protesta e 11 korrikut tregoi se Partia Demokratike dhe e gjithë opozita në përgjithësi nuk po arrin të gjejë çelësin për të arritur përkrahjen e gjerë në popull. Mbetet e njëjta situatë që populli opozitar është shumë më i madh se sa opozita. Edhe gjatë protestës ata që morën fjalën folën, kritikuan dhe evidentuan defektet e qeverisë dhe pushtetit socialist si një retorikë mediokre ditore dhe çështje që shumica e shqiptarëve i dinë edhe më mirë se ata që flasin pas një podi. Por, të kritikosh dhe të akuzosh qeverinë nuk e bën automatikisht të madhe opozitën. Nuk mjaftoi as protesa e fundit kur në të e gjjtha përmblidhet se sa e keqe është qeverisja. Por askush nga folësit nuk thanë se ku ndryshon Partia Demokratike nga Partia Socialiste që është në pushtet.
5.Protesta e 11 korrikut tregoi se në Partinë Demokratike vijon të mungojnë ende shtyllat kryesore qe e përbëjnë atë një forcë politike të denjë për të ardhur në pushtet. Institucionalizimi i votës dhe demokracia në parti mbeten një ëndërr e vjetër që ka kohë që nuk realizohet. Në ballë të kësaj proteste dukej sikur kishte një garë të ethshme mes deputetëve të kësaj partie që t’i kapte kamera sa më gjatë, gjë që tregon se beteja aty nuk është për parime demokratike, por për të kapur një vend të sigurtë në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e vitit që vjen.
6.Protesta e 11 korrikut tregoi se Partia Demokratike dhe e gjithë opozita ka një dëshirë të madhe për të ardhur në pushtet, por nuk ka gjetur mënyrën se si mund të vijë në pushtet. Ideja për një qeveri teknike duket më shumë si një dëshpërim se sa një gjetje e mençur për të shërbyer si trokitje pragu për të kapur qeverisjen. Kërkesa për bashkëpunim me qeverinë është përsëritja e asaj që ndodhi në vitin 2017 për të cilën akuzohet shumë Lulzim Basha, por që sot po quhet si një gjë normale. Ideja e një qeverie teknike duket si një ëndërr e një mbrëmje vere sepse Partia Socialiste as ka arsye ta bëjë dhe as nuk do ta bëjë. Të mbash militantët me gajret se PD do të jetë në pushtet është një tallje e madhe për ta. Prandaj ide të tilla vetëm sa shtojnë dozën e humorit të pavetëdijshëm brenda radhëve të kësaj force politike.
7.Protesta e 11 korrikut tregoi se Partia Demokratike po rrotullohet rreth të njëjtëve persona që e kanë drejtuar atë që nga viti 2013. Përjashtuar Sali Berishën që është një çështje më vete, figurat e dyta dhe të treta në këtë parti janë të njëjtët personazhe që kjo parti drejtohej nga Lulzim Basha dhe që dështoi me sukses në të gjitha aksionet opozitare. Lulzim Basha mbetet autori dhe përgjegjësi ekskluziv i asaj që po ndodh me opozitën në këto dy vjet. Por që të mendosh se situata do të ndryshojë për mirë duke vendosur në krye të PD të gjithë stafin e tij, kjo ose është naivitet politik ose është një qëllim i fshehur. E gjithë kjo panoramë ka sjellë një konkluzion se aktualisht asgjë nuk ka ndryshuar në PD. Ajo është e njëjta parti e dikurshme që drejtohej nga Lulzim Basha, por sot i mungon vetëm Lulzim Basha. Aty mungojnë figurat e reja dhe nëse dikush afrohet ai dënohet shumë shpejt me “vdekje politike” duke e nxjerrë nga kupola ekzistuese. Janë disa të tillë, por më tipiku është doktor Ilir Alimehmeti. Ai që rroku zemrat jo vetëm të demokratëve, tani është vetëm hija e tij aty. Ku është? Ku u zhduk? Sigurisht e “kanë grënë” peshkaqenët e partisë që nuk i duan të mirët, të ndershmit dhe veçanërisht ata që i do populli.
8.Protesta e 11 korrikut tregoi se Partia Demokratike edhe e gjithë opozita nuk ka hequr dorë nga sulmet ndaj SPAK dhe diplomacisë amerikane duke e zhytur veten edhe më rëndë në këtë aspekt. Edhe gjatë kësaj proteste vijuan sulmet e rënda nga drejtuesit Altin Dumani dhe gjithë aktivitetit të strukturës së posaçme që në fakt kanë bërë që të dridhen si ata opozitarë por më shumë akoma edhe qeveritarë. Ka një nonsens që përdor kjo opozitë në këtë drejtim. Kur arrestohen përfaqësuesit e pushtetit socialist ata e quajnë kryeministrin Rama që qeveris me hajdutët, por asnjë nuk e thotë që arrestimet e këtyre hajdutëve i bëri SPAK dhe jo ndonjë pjesëtar i ndonjë anije të UFO-ve të ardhur nga Hapësira.
9.Protesta e 11 korrikut tregoi se opozita vijon të mos jetë plotësisht e ndershme me akuzat, kritikat dhe kauzat që ajo paraqet në publik në luftën ndaj korrupsionit dhe defekteve të tjera të pushtetit socialist. Janë me dhjetra denoncime dhe akuza që kjo PD bën ndaj institucioneve të pushtetit. Dhe për këtë kjo parti ka meritë. Por janë jo pak çështje që ajo as nuk i zë me gojë, nuk i prek dhe madje ua ndalon deputetëve dhe përfaqësuesve të saj politikë të merren me to. Madje, madje ka personazhe në qeverisjen socialiste që për të cilët Partia Demokratike ka marrë vendim të mos u përmendet emri. Kjo tregon mungesë të theksuar sinqeriteti në opinionin publik dhe duke bërë që morali i saj të bjerë shumë poshtë. Rrjedhimisht, ky selektim është një nga arsyet e mëdha që e bën PD-në të vogël.
10.Protesta e 11 korrikut tregoi se distancë të madhe ka opozita me median. Një protestë kombëtare nuk pati ndonjë mbështetje kushedi se çfarë edhe nga gazetarët që identifikohen si opozitarë. Edhe në këtë rast u konfirmua fakti që Partia Demokratike bën selektime në raport me komunitetin e gazetarëve. Një opozitë që ndan se me kë duhet të bashkëpunojë në media dhe me kë jo, tregon se ka një problem madhor në mënyrën se si funksionon. Kur një opozitë nuk ka mbështetjen e komunitetit të gazetarëve, si mund të pretendojë se do të vijë në pushtet?