Kreu i PL, Ilir Meta

Çfarëdo që fillon me tërbim, përfundon me turp

22 Prill, 11:34| Përditesimi: 22 Prill, 11:37

  • Share

Kur dëgjon se kambana po bie për larot pseudobiografë citatshënuesa, për Partinë e Lirisë, për mikun Beleri të partisë Meta, të ndërmendet ai tregimi për Peshkopin që vinte të shihte besimtarët e krishterë në fshatin periferik Humbëtirë. Ish nisur për të parë dhe ndjerë nëse ata e kishin të fortë besimin te ungjilli. Hyn në fshat, por nuk dëgjon të bjerë kambana e kishës për të kremtuar ardhjen e tij.

-Pse nuk u dëgjua të binte kambana?-ju hakërrua priftit të fshatit.

-Për 40 arsye, hirësia juaj,…e para arsye, nuk kemi kambanë!

Me gjasa, shekuj të shkuar do ketë mundur të ndodhte kjo gazmore, por mund edhe të jetë një trill humori për të përshkruar se sa shumë kujdesemi për gjërat e vogla edhe kur shohim se mungon më e madhja, ajo-Këmbana!

Vjen me tinguj të qartë kjo kambanë tani për një pjesë larosh të shoqërisë shqiptare. Se kush janë, ata vini re gjuhën vulgare që përdorin në publik, kush e përdor dhe pse e përdor?! Njeriu ka turp, kafshët dhe budallai nuk kanë, madje budallin mungesa e këtij tipari e dallon më së shumti. Shprehjet vulgare edhe kur përmenden mes dy bashkëbiseduesve, nuanca ngjyrë e rozës së gjakut përsëri e mvesh fytyrën, por kur nuk kontrollon dot gjuhën në publik, sidomos kur ke patur si spaleta (që të vunë) funksionet më të larta të administratës shtetërore e të shtetit, thjesht, në mos je një rrugaç ordiner, je një budalla!

Çdokush mund të zemërohet, zemërimi është pjesë e natyrës njerëzore, ndaj kjo është e lehtë të ndodhë. Te njerëzit jo normalë mund të ndodhë në çdo moment për shkaqe nga më banalet. Te njerëzit me mend në kokë e këmbë në tokë, ndodh të jesh i zemëruar, por me personin e duhur, në masën e duhur, në kohën e duhur, për qëllimin e duhur dhe në mënyrën e duhur. Ndryshe, të marrin si psikopat.

Nën parimet demokratike të fillesave të pluralizmit partiak, një turmë larosh ju turrën popullit me emra partish, që nuk është se i dallonte gjësendi nga programi politik! Në mesin e nja 30 partive, 3-4 prej tyre ja bënin të mundur të fitonin ndonjë mandat. Ilir Metaj, përmes postit të kryeministrit që mbajti do kohë, krijoi klanin e tij, kur për shkak të qeverisjes me mangësi nga PS ai krijoi partinë Lëvizja Soscialiste për Integrim. Është kjo partia e familjes Meta! Përmes tyre, pra çiftit Meta-Kryemadhi, shegertë, sherbëtorë, të punësuar në detyra shteti nga punëdhënësi Meta, të pasuruar prej trafikut të influencës të kryetarit të partisë, njëherësh kryeministër, kryetar kuvendi ose ministër i jashtëm, të gjithë së toku metasizuan shoqërinë shqiptare.

Kur togu i plehrave në LSI sa vinte e rritej, na ishte njëherë brënda saj i ndjeri Dritan Prifti, që e pa veten të rrezikuar dhe filloi të regjistrojë inkonjito aferat dhe pisllëqet me shefat, ku nuk po zgjatemi se specialisti IT i Metës “provoi” manipulimin. Një eksperti i njohur i ekonomisë, i ftuar në një studio TV Kombëtar, shpjegoi rrezikun që i vjen shoqërisë nga aleanca e kësaj partie, që me 3-4 mandatet e saj merr 20-25 përqind të administratës. Shndërrohet kështu qeverisja me postet drejtuese dhe tenderat në një tortë, ku sa kohë do qëndrojnë, do ëmbëlsohen vetë, familja dhe miqtë. Byrek, e quajti Edi

Rama këtë tortën tonë, kur i kërkoi Lulzim Bashës bërjen dalje të kësaj krijese tumoroze nga skena politike!Në të ashtuquajturën Partia e Lirisë, prej kohësh kanë filluar të shahen e goditen ku të dhëmb e ku të djeg.

Ai, presidenti i partisë, pasi nuk vuri dot rregull në familje ka marrë përsipër të vendosi rregull në parti e përmes saj t’i dhurojë popullit lirinë e munguar, ndonëse vetë Partia e Lirisë ka pushuar së qeni e lirë. E ekspozoi gruan Monika sa në parti aq dhe në publik, të dy shthurrën gojën pa teklif para TV-ve, para prindërve tanë, para fëmijëve.

E bënë këtë pa pikë turpi në televizionet, të cilat befas shpërthyen nga frekuentimi prej gallatës që shihnin. Dhe të kujton e gjithë kjo thënjen e dikujt, se kur ekspozon shumë shpesh gruan dhe kuletën është në rrezik t’i huazosh që të dyja! Në konferencat e shtypit askush nga pjesëmarrësit gazetarë nuk u kërkuan të vetëkontrollonin emocionet e impulsivitetin banal që shfaqej në formën e tërbimit kur shante e fyente organet e drejtësisë shqiptare. Përkundrazi zgjodhën kënaqësisë e hapjes së dhëmbëve, si për t’i turpëruar.

Por turpi është ndjesi e njeriut, e njerëzorit! Njerëzit me karakter të ulët sdo guxonin t’i jepnin vetes të drejtë të përgojojnë, fyejnë e poshtërojnë një organ kushtetues. Ndiq paranë prokurori, se do ju dalin vetë në shteg!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?