Festa e Raphinhas dhe Lautaros

Sport

Champions League/ Asllani shkëlqen, Interi fiton 0-2! Bayern bën për ‘aspirina’ Leverkusenin, Barça sukses minimal! Liverpool mposht PSG-në

5 Mars, 22:56| Përditesimi: 5 Mars, 23:08

  • Share

Champions League zhvilloi mbrëmjen e 5 marsit katër ndeshjet e radhës për fazën e 1/8. Në takimet e para sukses shënuan Interi, Bayern Munich, Liverpool dhe Barcelona.

Në ‘De Kuip’, vendasit e Feyenoord u mposhtën 0-2 nga Interi. Zikaltërit e Inzaghit hodhën një hap të rëndësishëm për kalimin në çerekfinale dhe tanimë kanë dy gola epërsi për sfidën e kthimit që luhet më 11 mars. Me Asllanin nga minuta e parë, Interi gjeti golin me Thuram pas 38 minutave lojë. Në pjesën e dytë Lautaro shënoi golin e dytë dhe veç qetësisë që i dha ekipit, vendosi edhe një rekord personal. Me 18 gola ai bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Interit në Kupat e Evropës. Për t’u theksuar se Zielinski humbi një 11 metërsh, ndërsa Asllani luajti 81 minuta dhe ishte ndër më të mirët në fushë. 7.2 nota për mesfushorin e Kombëtares.

Në Munich, Bayern mposhti 3-0 Leverkusenin në derbin gjerman. Kane me dopietë dhe Musiala shënuan për të besuarit e Kompany, ndërsa ‘Aspirinat’ mbetën me një lojtar më pak për 28 minuta, pas daljes me dy kartona të verdhë të Mukiele. Bayern është me një këmbë në çerekfinale.

Në Lisbonë, Barcelona fitoi 0-1 në udhëtim kundër Benficas. Edhe pse katalanasit për më shumë se 70 minuta luajtën me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Cubarsit, skuadra e Hansi Flick iu fal supergolit të Raphinhas në minutën e 61 dhe paraqitjes së shkëlqyer të portierit Szczesny.

Në Paris, PSG u mposht 0-1 nga Liverpooli. Goli i Elliott në minutën e 87-të vendosi ndeshjen, ndërsa të kuqtë panë një paraqitje fantastike edhe të Alisson.

Ndeshjet e kthimit mes këtyre skuadrave zhvillohen më 11 mars.

Champions League, ndeshjet e para – faza 1/8:

E martë, 04 mars 2025

18:45 Club Brugge 1-3 Aston Villa

21:00

Dortmund 1-1 Lille

PSV 1-7 Arsenal

Real Madrid 2-1 Atletico Madrid

E mërkurë, 05 mars 2025

18:45 Feyenoord 0-2 Inter

21:00

Bayern Munich 3-0 Bayer Leverkusen

Benfica 0-1 Barcelona

PSG 0-1 Liverpool

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?