KOSOVË, Podujevë - Kampionët e Kosovës në futboll, FC Ballkani janë eliminuar nga turi kualifikues i Champions League. Edhe pse kishin fituar 1-2 ndeshjen e parë kundër ekipit Santa Coloma në Andorra, sfida e kthimit ishte me tjetër fytyrë për të besuarit e Ilir Dajës. Ekipi nga Andorra kishte 17 ndeshje radhazi në Kupat e Europës pa gjetur fitoren, por sot eliminoi skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja pas goditjeve të penalltive duke i hequr 1 milionë euro nga duart dhe jo vetëm.
Në "Zahir Pajaziti" të Podujevës ndeshja shkoi në shtesë dhe më pas me penallti, aty ku "ruleta" i buzëqeshi Santa Coloma që kalon më tej dhe gjen në raundin e dytë ekipin e Midtjylland.
Ndeshja për Ballkanin e kushtëzua në minutën e 38-të kur sulmuesi Sunday Adetunji la suharekasit me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq. Miqtë nga Andorra morën frenat e lojës dhe kishin shumë raste të rrezikshme.
Momenti që dërgoi ndeshjen në shtesë ishte në minutën e 90+2, kur një krosim nga këndi i Mohedano u devijua në portën e tij nga Ualid Hamidi. Santa Coloma mori epërsinë 0-1 dhe ndeshja shkoi në shtesën prej 30 minutash.
Të besuarit e Ilir Dajës u shokuan në minutën e 102 kur miqtë shënuan edhe golin e dytë me de Jesus, ndërsa ishte Hamidi për Ballkanin që me golin e tij në minutën e 109 e dërgoi rezultatin në 1-2 dhe gjithë ndeshjen te penalltitë (3-3 në total).
Nga "ruleta" e 11 metërshave lojtarët nga Andorra u treguan më të saktë dhe fituan 5-6. Emërllahu dhe Thaqi gabuan te Ballkani, teksa vetëm Virgil për miqtë u ndal nga Koliqi.
Kështu Ballkani është jashtë kualifikueseve të Champions League dhe do kërkojë të bëjë mirë në ato të Conference League (turi II), ku dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e grupeve. Ballkani do luajë në raundin e dytë të Conference League, ku përballë do ketë fituesin e takimit Lincoln Red Imps - Hamrun.