UEFA ka zgjedhur arbitrin rumun István Kovács për të drejtuar finalen e këtij edicioni të Champions League mes Paris Saint Germain dhe Interit, që do të zhvillohet të shtunën në Mynih duke nisur nga ora 21:00.
I njohur për stilin e tij të rreptë, vendosmërinë dhe saktësinë në vendimmarrje, Kovács është vlerësuar maksimalisht nga kreu i arbitrave në UEFA, Roberto Rosetti, i cili i ka besuar drejtimin e këtij takimi historik.
40-vjeçari është mësues i edukimit fizik në profesion dhe ka njohur një rritje të shpejtë në arenën ndërkombëtare. Finalja e parë evropiane për të si gjyqtar kryesor ishte ajo e Conference League në vitin 2022, e zhvilluar në "Air Albania Stadium" në Tiranë mes Romës dhe Feyenoord, ku u vlerësua për drejtimin korrekt të sfidës.
Më pas, në vitin 2023 ai arbitroi finalen e Europa League mes Atalantës dhe Bayer Leverkusen në Dublin, duke konfirmuar reputacionin e tij si një prej më të besuarve në kontinent.
Këtë fundjavë, Kovács do të shkruajë një tjetër faqe të rëndësishme në karrierën e tij, duke u bërë rumuni i tretë që gjykon finalen e Champions League. Ai ka qenë i përfshirë edhe më parë në një finale të kësaj gare; në vitin 2023 ku shërbeu si arbitër i katërt në finalen mes Manchester City dhe Interit, të luajtur në Stamboll.
Komente
