Humbja e Dritës dhe festa e Shkëndijës

Sport

Champions League/ Drita mposhtet nga dy penallti, Copenhagen fiton 2-0! Shkëndija sukses të merituar në Shkup kundër gjigantit rumun

23 Korrik, 08:17| Përditesimi: 23 Korrik, 08:20

  • Share

Drita e Gjilanit nuk arriti të bëjë surprizën në udhëtim kundër kampionëve të Danimarkës, duke u mposhtur 2-0 nga Copenhagen në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të Champions League.

Skuadra kampione e Kosovës e nisi takimin me besim dhe vendosmëri, duke zhvilluar një pjesë të parë të shkëlqyer, ku ia doli të mbajë portën të paprekur dhe të barazojë pa gola.

Por gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë. Copenhagen përfitoi dy herë nga pika e bardhë e penalltisë, pas vendimeve të kontestuara, që i dhanë një avantazh të rëndësishëm para ndeshjes së kthimit. Ishte Mattsson ai që u tregua i saktë në të dyja rastet, duke shënuar në minutat 69 dhe 76.

Takimi i kthimit do të luhet javën e ardhshme në Kosovë, ku Drita do të kërkojë një përmbysje historike dhe të mbajë gjallë ëndrrën europiane.

Fitorja e Shkëndijës në Shkup

Kampionët e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija arriti një fitore të madhe duke mposhtur me rezultatin minimal 1-0 skuadrën e njohur rumune FCSB (Steaua e Bukureshtit).

Në një atmosferë të zjarrtë në stadiumin e Shkupit, kuqezinjtë nga Tetova treguan një paraqitje më të mirë se rivalët, duke dominuar në momente kyçe të lojës dhe duke u shpërblyer në minutën e 65-të. Klinsman Cake dërgoi një krosim të saktë në zonë, aty ku mbrojtësi Adamu Alhassanu u shkëput fuqishëm dhe me një goditje të saktë me kokë mposhti portierin rumun Tarnovanu, që deri në atë moment kishte qenë vendimtar për FCSB.

Me këtë paraqitje të fortë ndaj një kundërshtari me përvojë europiane, Shkëndija ka marrë një sukses të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit që luhet pas një jave në Bukuresht. Kështu, KF Shkëndija bëhet skuadra e parë nga Maqedonia e Veriut që mund gjigantët rumunë të Steauas së Bukureshtit.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?