Rrogozhinë - Kampionët e Shqipërisë, Egnatia, siguroi një fitore të vyer 1-0 kundër Breidablik në sfidën e parë të turit të parë kualifikues në Champions League. Me pesë mijë tifozë në stadiumin e Rrogozhinës, të besuarit e Edlir Tetovës i dhanë kënaqësi publikut të tyre me një fitore evropiane, teksa heroi i takimit ishte Ildi Gruda që shënoi në shtesë. Tanimë ekipi ynë ka një avantazh edhe pse të lehtë për në transfertën e javës që vjen në Islandë.
NDESHJA - Emocione në Rrogozhinë pasi ekipi i Egnatias luante për herë të parë në stadiumin e qytetit në një event të tillë, me himnin e Champions League që u dëgjua në qytetin e vogël. Sfida nisi mirë për tanët, por Bakayoko nuk mundi të shfrytëzonte rastet. Paçka dominimit, deçizive ishte minuta e 77-të kur në fushë u fut Ildi Gruda, shkodrani që vetëm pak ditë më parë u bashkua me ekipin pas një ‘divorci’ me zhurmë nga Vllaznia.
Duhej shtesa e dytë kur një pasim vertikal të shfrytëzohej nga Gruda falë shpejtësisë, për ta lënë topin pas krahëve të Einarsson dhe për të çuar në festë një qytet të tërë. Festë dhe kartona në fund, me Yahaya, Ruçi dhe Kuka që u ndëshkuan me karton të verdhë dhe Lushkja me të kuq, si duket për festimin e tepruar.
Egnatia merr një sukses të merituar dhe ka hedhur një hap të rëndësishëm në garën për kalimin në turin e dytë.
Komente
