Festa e Real Madrid

Sport

Champions League/ Liverpool ‘bie’ në Stamboll, Inter dhe Chelsea bëjnë detyrën! Real Madrid, Atletico e Bayern shënojnë nga 5 gola

1 Tetor, 00:24| Përditesimi: 1 Tetor, 00:48

  • Share

Champions League dhuroi 33 gola në nëntë ndeshjet e të martës. Real Madrid, Atletico Madrid, Bayern Munich, Inter dhe Marseille dhanë spektakël në fushë me fitore të thella, ndërsa skuadrat angleze përjetuan një mbrëmje të vështirë. Liverpool dhe Tottenham u ndalën pa fitore, ndërsa vetëm Chelsea arriti të marrë tre pikë. Tri pikë siguroi edhe Atalanta me Berat Gjimshitin që ishte ndër më të mirët në fushë.

Liverpool i dorëzohet Galatasarayt

Në “Rams Park” të Stambollit, Liverpool u mposht 1-0 nga Galatasaray. Victor Osimhen shënoi golin e vetëm të ndeshjes nga pika e bardhë në minutën e 15-të, pas një faulli të Szoboszlait ndaj Yilmaz. Në pjesën e dytë, portieri Alisson u largua i dëmtuar, duke lënë vendin për Mamardashvilin. Në minutën e 88-të anglezët menduan se fituan një penallti, por arbitri Clement Turpin e anuloi pas ndërhyrjes së VAR-it.

Tottenham shpëton në fund ndaj Bodo/Glimt

Norvegjezët regjistruan pikën e parë në grupe duke barazuar 2-2 me Tottenham. Pas penalltisë së humbur nga Kasper Hogh, Jens Hauge realizoi një dopietë (53′, 66′). Van de Ven ngushtoi diferencën, ndërsa në kohën shtesë Spurs u shpëtuan nga një autogol i Gundersen.

Chelsea mban lart flamurin anglez

Në “Stamford Bridge”, Chelsea mori një fitore të ngushtë 1-0 falë autogolit të Richard Rios në minutën e 18-të, pas një aksioni të nisur nga Garnacho. Blutë u mbrojtën deri në fund dhe siguruan një tripikësh me vlerë kundër Benficas të Mourinhos.

Atletico Madrid, fitore spektakolare

Skuadra e Diego Simeones dominoi Frankfurtin me rezultatin 5-1. Raspadori hapi serinë e golave që në minutën e 3-të, ndërsa Le Normand dhe Griezmann trefishuan epërsinë në pjesën e parë. Burkardt ngushtoi shifrat për gjermanët, por Simeone dhe Alvarez (nga penalltia) vulosën suksesin e thellë për “Colchoneros”.

Bayern, “shëtitje” në Qipro

Bavarezët mbyllën gjithçka brenda 30 minutave në transfertën ndaj Pafos, duke triumfuar 1-5 në Qipro. Kane shënoi dy herë, ndërsa Guerreiro, Jackson dhe Olise plotësuan festën. Orsic realizoi golin e nderit për vendasit.

Inter i pathyeshëm në “San Siro”

Zikaltërit fituan 3-0 ndaj Slavias së Pragës falë dopietës së Lautaro Martinez dhe golit të Dumfries. Thuram u dallua me asist, duke i dhënë Chivut një fitore të pastër.

Marseille 'ndez' “Velodromin''

Skuadra e Roberto De Zerbit triumfoi 4-0 ndaj Ajax, me gola nga Paixao (dopietë), Greenwood dhe Aubameyang. Francezët treguan forcë dhe ritëm të lartë, duke marrë një sukses të rëndësishëm në garën për kualifikim.

Real Madrid jep 'shuplakë' në Kazakistan

Real Madrid fitoi 0-5 kundër Kairat Almaty. Tripleta nga Mbappe dhe golat e Camavinga e Diaz i dhanë tri pikë djemve të Xabit në transfertën e largët.

Këtë të mërkurë do luhen nëntë ndeshjet e radhës, ku spikat Barcelona - PSG, Villarreal - Juventus apo Dortmund - Athletic.

Champions League, raundi 2 - e martë, 30 shtator 2025

18:45

Atalanta 2-1 Club Brugge

Kairat Almaty 0-5 Real Madrid

21:00

Atletico Madrid  5-1 Eintracht Frankfurt

Bodo/Glimt  2-2 Tottenham

Chelsea 1-0 Benfica

Galatasaray 1-0 Liverpool

Inter 3-0 Slavia e Pragës

Marseille 4-0 Ajax

Pafos 1-5 Bayern Munich

Renditja:

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shkarkimi i Veliajt, a duhet të ketë zgjedhje në Tiranë pa pritur Kushtetuesen?