Inter 2-1 Feyenoord

Sport

Champions League/ Mësohet çerekfinalja e parë, Interi gjen Bayern Munich! Më tej Barcelona, PSG eliminon Liverpoolin pas penalltive

11 Mars, 22:51| Përditesimi: 11 Mars, 23:52

  • Share

UEFA Champions League zhvilloi mbrëmjen e së martës (11 mars) katër ndeshjet e para të kthimit për fazën e 1/8-ave, nga të cilat u mësuan edhe katër skuadrat e para çerekfinaliste. Barcelona, Inter, PSG dhe Bayern Munich marrin një biletë për më tej, teksa çerekfinalja e parë e mësuar është ajo mes Bayern Munich dhe Interit, që rikthen në kujtesë finalen mes tyre në këtë kompeticion në vitin 2010, fituar 0-2 nga italianët. Skuadrat e tjera do i mësojnë rivalët nesër.

Në Katalonjë, Barcelona triumfoi 3-1 ndaj Benficës në sfidën e kthimit për fazën e 1/8-ve. Pas fitores minimale në ndeshjen e parë, spanjollët regjistruan një tjetër sukses, për të avancuar më tej me rezultatin e përgjithshëm 4-1. Raphinha zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të, ndërsa vetëm 2 minuta më vonë Otamendi barazoi shifrat për miqtë. Avantazhin e skuadrës së Flick e riktheu Lamine Yamal në minutën e 27-të, me një supergol nga jashtë zone. Në minutën e 42-të Raphinha kompletoi dopietën personale dhe ‘vulosi’ rezultatin në 3-1. Tanimë Barcelona pret nesër fituesin e çiftit Lille - Dortmund, për të mësuar rivalin e çerekfinaleve.

Në ‘BayArena’, Leverkusen u mposht sërish nga Bayern Munich, këtë herë 0-2 me golat e Kane dhe Davies. Me rezultatin e përgjithshëm 5-0 bavarezët kalojnë më tej dhe në çerekfinale gjejnë Interin.

Nga ana tjetër italianët e Interit fituan 2-1 kundër Feyenoord dhe sipas skemës do luajnë kundër Bayern në fazën tjetër. Thuram zhbllokoi shifrat te Interi në minutën e tetë, para se Moder të barazonte në fundin e pjesës së parë. Calhanoglu nga penalltia i dha suksesin zikaltërve që kalojnë në çerekfinale me rezultatin e përgjithshëm 4-1. Në këtë sfidë Asllani u fut në minutën e 61-të dhe pas dy minutave lojë u ndëshkua me karton të verdhë, duke humbur sfidën e parë çerekfinale kundër Bayern.

Në ‘Anfield’, Liverpooli vendas u eliminua nga PSG pas 120 minutave lojë, penalltive dhe një super Donnarumme. Koha e rregullt përfundoi 0-1 për francezët, me golin e shënuar nga Ousmane Dembele në minutën e 12-të. Me sfidën e parë që ishte fituar po me këtë rezultat nga Liverpool, dueli iu drejtua 30 minutave lojë, por asnjë gol nuk u shënua. U deshën penalltitë që Vitinha, Ramos, Dembele dhe Doue të shënonin për PSG-në dhe Donnarumma të ndalte Nunez dhe Jones, për t’i dhënë PSG biletën për në çerekfinale. PSG pret fituesin e Club Brugge - Aston Villa në fazën e radhës.

Champions League, faza e 1/8 - Ndeshjet e kthimit:

E martë, 11 mars 2025

18:45 Barcelona 3-1 Benfica (1-0)

21:00

Bayer Leverkusen 0-2 Bayern Munich (0-3)

Inter 2-1 Feyenoord (2-0)

Liverpool 0-1 PSG (1-0) / 1-4 pas penalltive

E mërkurë, 12 mars 2025

18:45 Lille - Dortmund (1-1)

21:00

Arsenal - PSV (7-1)

Aston Villa - Club Brugge (3-1)

Atletico Madrid - Real Madrid (1-2)

*Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?