Festa e Interit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

26 Nëntor, 22:57| Përditesimi: 26 Nëntor, 23:29

  • Share

Uefa Champions League ka zhvilluar këtë të martë nëntë ndeshjet e para për raundin e pestë të formatit të ri, atë të një renditje të përbashkët të 36 skuadrave. Te fitoret kanë dalë Milani, Atletico Madridi, Barcelona, Leverkusen, Bayern Munich, Interi, Arsenal dhe Atalanta, ndërsa City barazoi 3-3 në mënyrë dramatike. Të mërkurën luhen nëntë ndeshjet e tjera.

Në Bratislavë, Milani mposhti 2-3 vendasit e Slovan në një ndeshje me emocione deri në fund. Ishte Pulisic për italianët që zhbllokoi ndeshjen pas 21 minutave lojë, por më pas Barseghyan përfitoi nga gabimi i kuqezinjve dhe vendosi ekuilibrat pas vetëm tre minutave lojë.

Milan pati vështirësi në pjesën e parë për të gjetur një tjetër gol, gjë që e bëri në fraksionin e dytë me Leao dhe Abraham në minutat 68 dhe 71. Kur u duk se fundi nuk do prodhonte gjë, produkti i Slovan, Marcelli shënoi një gol të bukur nga jashtë zone për të mposhtur Maignan. Me vendasit që ‘morën krahë’ dhe po shtynin në sulm, kartoni i kuq për protesta i Tolic i prishi punë vendasve. Kështu Milan shijon suksesin e tretë radhazi në Champions dhe shkon në kuotën e nëntë pikëve. Nga ana tjetër Slovan ende nuk e ka shijuar pikën e parë.

Në Pragë, Sparta e shqiptarëve u mposht thellë 0-6 nga Atletico Madrid. Nga minuta e parë për vendasit e nisi Laçi, Krasniqi dhe Rrahmani, ndërsa në pjesën e dytë 29 minuta mori edhe Indrit Tuci. Miqtë e Simeones shënuan dy gola në pjesën e parë me Alvarez dhe Llorente, ndërsa sërish Alvarez, Griezmann dhe dopieta e Correa në fund bënë që madrilenët të gjenin gjashtë gola në udhëtim dhe të shkojnë në kuotën e nëntë pikëve. Sparta ndërkohë mbetet me katër pikë.

Dramatike ndeshjet e orës 21:00. Manchester City nuk mundi të mbante avantazhin e tre golave dhe u barazua 3-3 në shtëpi nga Feyenoord në harkun e 15 minutave. Haaland me dopietë dhe Gundogan shënuan për ‘Qytetarët’, që kishin epërsi 3-0, por Moussa, Gimenez dhe Hancko barazuan në 15 minutat e fundit. Kjo është ndeshja e gjashtë radhazi pa fitore për djemtë e Guardiolës, me pesë të parat që kanë qenë humbje.

Barcelona iu fal dopietës së Lewandowskit (100 gola në Champions) dhe golit të Olmos për të mundur 3-0 surprizën Brest. Në Munich, Bayern shënoi një gol me qendërmbrojtësin Kim dhe fitoi 1-0 kundër PSG-së.

Në Milano, Interi merr fitoren e katërt radhazi në Champions dhe prin klasifikimin në pritje të ndeshjeve të nesërme. Autogoli i Lukeba në minutën e 27 i vleu zikaltërve për të mposhtur Leipzig dhe bëhen skuadra e vetem që nuk kanë pësuar gol në edicionin e këtij sezoni.

Bayer Leverkusen fitoi me goleadë 5-0 kundër Salzburg, gjë që e bëri edhe Arsenal 1-5 kundër Sporting. Për ‘Topçinjtë’ shënuan Martinelli, Havertz, Gabriel, Saka dhe Trossard.

Atalanta fitoi 1-6 kundër Young Boys në Zvicër, me Berat Gjimshitin që qëndroi në stol për italianët. Retegui dhe De Ketelaere me dopietë si edhe Kolasinac e Samardzic shënuan te Atalanta.

Champions League, raundi 5:

E martë, 26 nëntor 2024

18:45

Slovan Bratislava 2-3 Milan

Sparta e Pragës 0-6 Atl. Madrid

21:00

Barcelona 3-0 Brest

Bayer Leverkusen 5-0 Salzburg

Bayern Munich 1-0 PSG

Inter 1-0 RB Leipzig

Manchester City 3-3 Feyenoord

Sporting Lisbone 1-5 Arsenal

Young Boys 1-6 Atalanta

Renditja:

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?