Champions League zhvilloi të mërkurën e 12 shkurtit katërt ndeshjet e mbetura për aktin e parë play-off në Champions League. Dramë për italianët e Milanit dhe Atalantës, ndërsa te suksesi dolën Bayern Munich dhe Benfica, me të katërta duelet që janë të hapura për përballjet e kthimit.
Në Rotterdam vendasit e Feyenoord mposhtën 1-0 Milanin edhe falë gafës së portierit Maignan. Goli i Paixao në minutën e tretë vendosi ndeshjen dhe miqtë e Sergio Conceiçao nuk e patën fuqinë për të barazuar, duke lënë gjithçka hapur për ndeshjen e kthimit që luhet javën që vjen.
Në Glasgow, Celtic u mposht 1-2 nga Bayern Munich. Supergoli i Olise dhe Kane shënuan për bavarezët, ndërsa shkurtoi Maeda me një gol shprese për bardhjeshilët.
Në Principatë, Monaco u mposht 0-1 nga Benfica me golin e Pavlidis. Ndërkohë në Belgjikë befasinë e bëri Club Brugge që mposhti 2-1 Atalantën. Duhej penalltia e Nilsson në minutën e 90+4 që të vendoste ndeshjen, me miqtë që protestuan për vendimin e arbitrit dhe akuzuan rëndë për 11 metërshin.
Me këto katër duele mbyllet akti i parë i fazës play-off në Champions dhe ndeshjet e kthimit mes tyre që do vendosin tetë skuadrat e kualifikuara do luhen mesjavën që vjen.
Champions League, faza play-off – Ndeshjet e para:
E martë, 11 shkurt 2025
18:45 Brest 0-3 PSG
21:00
Juventus 2-1 PSV
Manchester City 2–3 Real Madrid
Sporting Lisbone 0-3 Dortmund
E mërkurë, 12 shkurt 2025
18:45 Club Brugge 2-1 Atalanta
21:00
Celtic 1-2 Bayern Munich
Feyenoord 1-0 Milan
Monaco 0-1 Benfica
Humbja 1-0 e Milanit kundër Feyenoord në aktin e parë të play-off të Champions League u komentua edhe nga trajneri i kuqezinjve. Sergio Conceiçao tha se Milani i tij duhet të bëjë më shumë punë pasi gjërat do vështirësohen në javët dhe muajt e mbetur.
"Një ndeshje fitohet me duele, agresion dhe Feyenoord i kishte të gjithë ata përbërës”, pranoi Conceicao në Sky Sport Italia.
“Ne jemi këtu për t’i bërë katër muajt e fundit të sezonit të ndryshëm nga gjashtë muajt e mëparshëm. Duhet të gjithë, duke filluar nga unë, të japim pak më shumë, të rrisim nivelin dhe më pas ndeshjet do të jenë më të lehta.
Unë kam një skuadër me cilësi teknike dhe duhet të sjellim karakteristika të tjera që janë shumë të rëndësishme, përndryshe bëhet e vështirë”, përfundoi trajneri.
Club Brugge fitoi 2-1 kundër Atalantës në ndeshjen e parë play-off të Champions League të zhvilluar në Belgjikë. Goli i suksesit u shënua nga Nilsson me penallti në minutën e katërt shtesë.
Penalltia ishte e shumë diskutueshme dhe pas ndeshjes trajneri Gian Piero Gasperini i miqve doli kundër arbitrave, duke thënë se ky nuk është futboll.
"Me sa duket vendimet e arbitrave italianë ndikojnë edhe në Evropë. Ne po dalim jashtë asaj që është futbolli. Të gjithë kanë një ide krejtësisht të ndryshme për faullet.
Prekjet e topit me dorë krijojnë polemika, por ndonjëherë është vërtet e vështirë. Drama e vërtetë janë kontaktet. Shumica dërrmuese e lojtarëve hidhen, bërtasin, bëjnë gjithçka për të vjedhur një faull. Diçka larg shpirtit të futbollit.
Tani duhet të fitojmë 2-0, do të duhet të ekspozohemi më shumë për t'u hequr topin. Ata janë një skuadër e mirë dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, sot dolëm keq në gjysmën e parë dhe më pas pak nga pak u përmirësuam.
Ne do të arrijmë në ndeshjen e kthimit me një mijë motivime, por fillimisht është ndeshja kundër Cagliarit dhe duhet të llogarisim se kush do të jetë në dispozicion. Do të bëjmë çmos për të qëndruar në lojë", tha Gasperini.
Kujtojmë se 90 minuta në këtë duel luajti edhe Berat Gjimshiti.
Komente
