Real Madrid - Arsenal

Sport

Champions League/ Sot dy përballje për ata me zemër të fortë, Real Madrid kërkon përmbysjen kundër Arsenalit! Interi pret Bayern Munich

16 Prill, 10:35| Përditesimi: 16 Prill, 15:15

  • Share

Mbrëmja e kësaj të mërkure (16 prill) zbret në fushë katër skuadra për dy çerekfinalet e kthimit të mbetura në Champions League. Duke nisur nga ora 21:00 sfidat janë për ata me zemër të fortë, për vetë rezultatet e një jave më parë.

Në "Bernabeu" Real Madridi do kërkojë një përmbysje kundër Arsenalit, ndërsa takimi i parë në Londër foli 3-0 për "Topçinjtë". Me mbështetjen e tifozëve, skuadra e Carlo Ancelottit do kërkojë të përsërisë sukseset e mëparshme dhe "remuntada" nuk është e pamundur për ta në impiantin mitik.

Në Milano, Interi luan kundër Bayern Munich. Zikaltërit e Inzaghit kanë avantazhin e një goli, pasi ndeshja e parë në Gjermani foli 1-2 për ta. Nga ana tjetër bavarezët e Kompany duan të tregojnë se çfarë fanellë mbajnë veshur.

Fituesi i çiftit Inter - Bayern Munich në gjysmëfinale do përballet me Barcelonën, ndërsa ai i Real Madrid - Arsenal gjen PSG-në në raundin e radhës.

Para ndeshjes folën edhe protagonistët. Trajnerët u ndalën te detajet dhe rëndësia e secilit aksion në fushë.

Vincent Kompany i Bayern Munich tha se kundër Interit është një sfidë speciale. "Duhet të fillojmë nga supozimi se detajet mund të bëjnë ndryshimin. Ndonjëherë këto janë netë speciale, mund t’i quajmë kështu. Ka disa netë kur nevojitet shumë pak për të vendosur një ndeshje", tha ai.

Simone Inzaghi tha se Interi duhet të jetë krenar për atë që ka bërë në fushë. "Nuk ka tension, por më shumë krenari për atë që po bëjmë këtë sezon. Në ndeshjen e parë bëmë një paraqitje të madhe, të cilën duam ta përsërisim në 'San Siro', por do të jetë akoma më e vështirë’’, tha Inzaghi.

Carlo Ancelotti beson se Real Madridi mund të përmbysë humbjen e sfidës së parë 3-0 ndaj Arsenalit. "Kemi cilësitë për ta kapërcyer këtë sfidë, së bashku me përkushtimin, përvojën dhe tifozët. Burimet janë atje dhe tani është koha për të dhënë gjithçka. Mendërisht po ecim shumë mirë dhe duhet të kemi kontroll të mirë të lojës", tha mes të tjerash Ancelotti. 

Champions League, faza çerekfinale - Ndeshjet e kthimit:

E martë, 15 prill 2025 - 21:00

Aston Villa 3-2 PSG (1-3)

Dortmund 3-1 Barcelona (0-4)

E mërkurë, 16 prill 2025 - 21:00

Inter - Bayern Munich (2-1)

Real Madrid - Arsenal (0-3)

*Në kllapa () rezultatet e ndeshjeve të para

Ora 15:11
Misioni ‘remontada’, Ancelotti: Mund ta përmbysim Arsenalin, kjo jo vendimtare për stolin

SPANJË - Sot në orën 21:00 në ‘Bernabeu’ Real Madridi pret Arsenalin në aktin e dytë çerekfinal të Champions League. Arsenali fitoi 3-0 ndeshjen e parë në ishull dhe madrilenët kanë një mision të vështirë, atë të përmbysjes.

Plot besim është shfaqur Carlo Ancelotti para medieve, që thotë se misioni nuk është i pamundur dhe shton se rezultati i këtij dueli nuk është deçiziv për të ardhmen e tij në stolin e Real Madrid.

“Kemi cilësitë për ta kapërcyer këtë sfidë, së bashku me përkushtimin, përvojën dhe tifozët. Burimet janë atje dhe tani është koha për të dhënë gjithçka. Mendërisht po ecim shumë mirë dhe duhet të kemi kontroll të mirë të lojës.

‘Bernabeu’ është magjik dhe të gjithë e dinë këtë. Do të jetë një atmosferë e veçantë. Na duhet pak nga gjithçka. Duam të luajmë një lojë me tru dhe me zemër. Motivimi është aty dhe dua që lojtarët të jenë të qetë para ndeshjes. Jam i sigurt që do të japim gjithçka. Nuk mendoj se është ndeshje vendimtare për të ardhmen time’’, tha Ancelotti.

Ora 13:43
Presin Bayern Munich në Milano, Inzaghi: Më shumë krenari sesa tension

Interi fitoi ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich 1-2 në Gjermani. Sot në orën 21:00 në Milano luhet përballja e kthimit dhe për trajnerin zikaltër, Simone Inzaghi, ekipi i tij nuk duhet të ketë tension, por më shumë krenari për atë që kanë bërë.

‘’Ne e dimë që do të jetë vërtet e vështirë. Duhet të harrojmë rezultatin e ndeshjes së parë, por jo performancën që dhamë në Mynih. Ne patëm një lojë të shkëlqyer, por e dimë që kundërshtarët tanë kanë shumë cilësi. Është një çerekfinale, ndeshja e parë u luajt në Mynih dhe do të kemi ndeshjen e dytë. Djemtë janë pozitivë dhe skuadra e di se ne do të luajmë kundër një skuadre të madhe.

Nuk ka tension, por më shumë krenari për atë që po bëjmë këtë sezon. Në ndeshjen e parë bëmë një paraqitje të madhe, të cilën duam ta përsërisim në 'San Siro', por do të jetë akoma më e vështirë’’, tha Inzaghi.

Ora 13:11
Akti i dytë kundër Interit, Kompany: Sfidë speciale, vendosin detajet


Inter dhe Bayern Munich përballen këtë mbrëmje në orën 21:00 në çerekfinalen e kthimit në Champions League. Dueli i parë në Munich foli 1-2 për italianët dhe bavarezët kanë një mision jo të lehtë në Milano.

Për mediet trajneri i Bayern, Vincent Kompany tha se këtë duel do e vendosin detajet.

“Duhet të fillojmë nga supozimi se detajet mund të bëjnë ndryshimin. Ndonjëherë këto janë netë speciale, mund t’i quajmë kështu. Ka disa netë kur nevojitet shumë pak për të vendosur një ndeshje.

Kështu ndodhi në ndeshjen e parë, duhet të kujtojmë shanset që mund të kishim shfrytëzuar dhe të shpresojmë t’i kemi përsëri. Duhet të fitojmë. Ne duam t’u japim tifozëve tanë më shumë kënaqësi.

Çfarë Interi pres? Për këtë duhet të pyesni trajnerin e tyre. Nëse ata vendosin të luajnë lart dhe në sulm, ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është cilësia e dy skuadrave, duhet të dini se si të merrni vendimet e duhura në momente të ndryshme të lojës’’, tha Kompany.

Upamecano, Neuer, Musiala, Ito, Davies dhe Buchman mungojnë për Bayern për shkak të dëmtimeve.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?