Bayern Munich-Lazio është ndeshja që mbajë sonte të mbërthyer para ekranit tifozët e futbollit. 90 minutat në orën 21:00 në ‘Allianz Arena’, nuk do përcaktojnë vetëm skuadrën çerekfinaliste të Champions League, por edhe nëse trajneri i gjermanëve Thomas Tuchel do vijojë apo jo në stolin e Bayernit.
Bavarezët do duhet të përbysin humbjen 1-0 në ndeshjen e parë të 1/8 të tre javë më parë në ‘Olimpico’ dhe sipas koeficientëve dhe ekspertëve shanset janë të mëdha. Kjo edhe pse Championsi është shpëtimi i vetëm i Bayernit për këtë sezon, pasi në kampionat kanë mbetur 10 pikë pas Bayern Leverkusen dhe mund të quhet një çështje e mbyllur.
Gjithsesi Tuchel vijon të ketë mungesat e Coman, Mazrauoi dhe Upamecano, ndërsa në pikëpyetje janë Gnabry dhe Sane. Trajneri Tuchel, i cili nëse nuk ia del me 99% është i shkarkuar, ka thënë se ‘e urron humbjen dhe se sonte do bëjnë shumë presion ndaj Lazios’. Ndërkohë trajneri i italianëve Sarri, i cili kërkon të bëjë surprizën e madhe në këtë fazë, është shprehur se ‘Bayerni ka cilësi të jashtëzakonshme, por nëse duam të kualifikohemi atëherë s’duhet të kemi emocione’.
Ndërkohë në Spanjë, po në orën 21:00, do luhet sfida tjetër e kthimit për 1/8 mes Real Sociedad dhe Paris SG. Francezët fituan ndeshjen e parë në Paris 2-0 dhe sonte kanë qetësinë e duhur për t’ia dalë, por nga ana tjetër përballë kanë një kundërshtar shumë agresiv që këtë sezon u ka bërë keq shumë skuadrave të mëdha.