Barcelona luan nesër në 21:00 me PSG-në në Paris, për ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League. Me një sezon jo fort të mirë, katalanasit janë në garë për vetëm një trofe dhe ky është ai i Champions.
Për t'i dhënë më shumë rëndësi një dueli që në vetvete mbart vetvetiu doza emocioni për fazën kur luhet, trajneri Xavi Hernandez i spanjollëve kërkon nga të tijtë përqëndrim në këto dy përballje.
Duket se Xavi e ka një ëndërr dhe kjo është që të fitojë trofeun edhe pse në fundin e sezonit do largohet. Veçse një ndeshje, ai gjen në stolin e rivalëve një mik si Luis Enrique.
"Mendoj se fjala që e përshkruan më së miri ditën e nesërme, është “emocionuese”. Ne mund të ëndërrojmë dhe jemi shumë të motivuar. Ne jemi duke shijuar formën më të mirë të sezonit dhe do të përballemi me një ekip që është përgatitur për të fituar Championsin me një nga trajnerët më të mirë, Luis Enriquen. Kam respekt të madh për ta.
Ne po flasim për një ndeshje që do të jetë e vështirë për ne që të kemi zotërimin e topit në gjysmëfushën kundërshtare. Janë shumë variante që duhet të kontrollojmë. Është futboll dhe është i paparashikueshëm. Luis Enrique ka mënyra të ndryshme loje, ai mund të luaj me 3 mbrojtës. Ai bën një punë të mirë dhe unë e njoh shumë mirë. Do të jetë një ndeshje intensive", tha Xavi.