Albin Kurti dhe shefi i CIA-s William Burns

CIA me dorë në xhep!

23 Gusht, 18:39| Përditesimi: 23 Gusht, 18:42

  • Share

- Shefi i CIA-s demitizohet kur shfaqet publikisht dhe ne e shohim se si ai nuk është siç kemi kujtuar, misterioz dhe i pakapshëm, që kërcen nga kulmi në kulm, varësisht nga situata, dhe që t'i lexon mendimet, e në mungesë të shqiptarëve që mendojnë, ta lexon letrën në xhep.

- Njërën dorë e mbajti në xhep kur u takua me Albin Kurtin, se qind për qind ambasadori Hovenier i kish treguar atij se Albin Kurti dyshohet se është shumë i rrezikshëm, pasi që nuk e përfill Amerikën.

- Dorën në xhep e mban njeriu kur është në siklet, kur nuk ndjehet rehat, kur nuk do afërsi, dhe kur nuk do të shpreh asnjë ndjenjë!

- Një ditë para se shefi i CIA-s mori vendim të takohet me kryeministrin tuaj të pabindur, kokëfortë dhe të pamposhtur, ambasadori amerikan Hovenier u ankua para popullit, krah për krah presidentes Vjosa Osmani se si Albin Kurti është prishur me Amerikën.

- Hovenier, pa karizmë siç është, i kërkoi falje 'nönës', sikur ajo të ishte presidentja e tij...

I kërkoi falje 'që e spiunoi' presidenten, që siç i tha 'tinëz' ambasadori nuk deshti të ankohet për Albinin, por qe, nuk u durua'.

- Që do të thotë se Hovenier është spontan, impulsiv, është i paparashikueshëm, i papërmbajtur dhe se e befason edhe veten, pra nuk ka agjendë, por vepron në bazë nervore.

- Vjosa ofshau, me demek, nuk ka mbetur të flas njeriu lirisht me askënd...

- Ambasadori Hovenier e zbuloi 'padashur' bisedën që pak para se ta mbante konferencën (për donacionin e USAID-it) e kishte bërë me Vjosa Osmanin kundër Albin Kurtit.

- E Albin Kurti e kishte një informatë që shefi i CIA-s nuk e kishte:

E informoi shefin e CIA-s për zhvillimin e madh ekonomik të Kosovës, që deri sot ishte sekret për Amerikën.

- Bukën e motmotit e kemi siguruar, librat shkollor i kemi siguruar...

Trepçën e kemi shterur...!

Në veri është larë ministri i Bujqësisë, dhe pasi që lahen ministrat në veri, shkojnë në ëmbëltore dhe për inat të Vuçiqit hanë akullore.

- USAID, një ditë më parë, ia dha milionat këtij vendi kaq të zhvilluar ekonomikisht!

- Shefi i CIA-s erdhi në Kosovë gjatë kohës kur tv-portalet kanë bërë zbulimin e qindra spiunëve shqiptarë të UDB-së, që të paepur punuan për Serbinë kundër lirisë së shqiptarëve.

- Është fenomen që një popull kaq i vogël të ketë kaq shumë spiuj, të cilët flasin për krimet e tyre në TV si për borën e parvjetme, në vend se të përgjigjen para drejtësisë, përgjigjen para gazetarëve!

- Kosova e ka një spiun për kokë banori, prandaj spiunimi këtu nuk është profesion që paguhet me pare, por është artizanat, është mënyrë e jetës.

Këtu spiunohet për pikë qejfi.

- Shefi i CIA-s më së shumti ishte kureshtar të takohej me rivalen e Putinit, Vjosa Osmanin, e cila prej se ka filluar lufta në Ukrainë, papushim ia tërheq vërejtjen Putinit që të mos guxoj...

- Kur foli me Vjosa Osmanin, shefi i CIA-s u mrekullua...por, njësoj si me kryeministrin, edhe me presidenten kur u takua, e përshëndeti me njërën dorë në xhep.

- Të gjithë patën fjalë të mira për shefin e CIA-s.

Dodik e tipizoi si një 'njeri të këndshëm', jo si një 'bogeyman'që të tremb.

Osmani dhe Kurti, që të dy, me një palë fjalë, treguan se ardhja e tij ka domethënie të madhe...!

Bile Albini e quajti briliant.

- Por, asnjëri nuk tregoi se a po fillon apo po përfundon lufta!

P.S. Populli u gëzua shumë që shefi i CIA-s u takua me Albin Kurtin, të cilit iu dëmtua pak imazhi me rastin kur u pa në konventën e demokratëve amerikanë, i ulur në rendin e fundit në sallë, koka i prekte n'tavan tek poçi elektrik, që e bënte të dukej sikur ishte i angazhuar si mjeshtër i dritave, ama entuziast!

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?