Dhjetori i festave vijon me Javën Teatrore të trupave të Maqedonisë së Veriut. Mbrëmjen e 6 dhjetorit Teatri i Kumanovës do të sjellë shfaqjen “Letra”, në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar. Ndërsa më 7 dhjetor, në orën 20:00, Teatri i Tetovës do të ngjisë në skenë shfaqjen “Armiku i Popullit”.
“Linda” me regji të Violeta Banushit është shfaqja që rikthehet në datat 7, 8 dhe 9 dhjetor, në orën 19:00, në sallën e Universitetit të Arteve.
“Gruaja e burrit tim” është komedia me regji të Kiço Londos që do të shfaqet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës më 7 dhe 8 dhjetor në orën 19:00.
Koncert nga Fatjeta Barbullushi dhe Agimi Band, i titulluar “Zani i dashnis” është ajo çfarë do të vijë në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër mbrëmjen e 7 dhjetorit, në orën 18:00.
Gjirokastra ndez dritat e festave mbrëmjen e kësaj të premteje në orën 18:00 në sheshin “Çerçiz Topulli”. Të pranishmit do të kenë mundësi të ndjekin një koncert festiv nga fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Fato Berberi” dhe grupe të tjera muzikore.
Edhe këtë fundjavë vijon të mbahet Festivali Teatror për të Rinj, “Hapat”. Mbrëmjen e kësaj të premteje do të vijnë shfaqjet “Striptizë në det të hapur”, në orën 18:00 në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve dhe “Në lindje të Berlinit” në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental. Ndërsa më 7 dhjetor në orën 17:00, në sallën “Black Box” do të vijë shfaqja “Le Horla- Frikërat moderne”, për të vijuar në orën 20:00 me shfaqjen “1 kg shegë” në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.