Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. Pret vizitorët deri në 7 janar në Galerinë e Artit Sarandë, ekspozita lëvizëse e Galerisë Kombëtare të Arteve "Paskali, artistët e Jonit dhe mureve të gurta", qw drejtohet nga Olsi Laska dhe me kurim nga Suzana Varvarica.
2. Ekspozita “Code II”, që vijon të jetë e hapur deri këtë të mërkurë, sjell një përmbledhje të veçantë të pikturave të artistit Kamuran Goranci, ku ndjeshmëria e harmonia artistike vijnë të koduara duke reflektuar përmes imazhit realitetin e jashtëm dhe brendinë njerëzore.
3. Ekspozita “Overlords” nga Krist Dragot dhe e kuruar nga Harabel pret vizitorët deri në 6 janar në galerinë “GurGur” në Petrelë.
4. Me imazhet e të akuzuarëve në diktaturë, të fiksuara nga fotografët e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ekspozita “Gjyqet”, e kuruar nga Zef Paçi, Luçjan Bedei dhe Lek M.Gjeloshi, qëndron e hapur në Muzeun Marubi në Shkodër deri në 24 janar.
5. Korça vijon kalendarin e saj festiv edhe këtë të martë. Në orën 11.00 Dj Niko mban një performancë me pjesë të përzgjedhura muzikore pranë Sheshit të Pazarit të Vjetër.
6. Qëndron e hapur deri në 22 janar në galerinë e arteve “Edward Lear” në Berat ekspozita “Artistë të njohur dhe Berati, qyteti i shkëlqyer modern i Antipatreas shekullore”. Një tjetër projekt i Galerisë Kombëtare të Arteve i drejtuar nga Olsi Laska dhe i kuruar nga Suzana Varvarica.