“Romeo & Zhulieta” është shfaqja që do të vijë për publikun te “Reja” në Tiranë, në orën 19:00 të 25, 26 dhe 27 tetorit.
Kryevepra Botërore e Shakespeare, prodhim i Teatrit Magjik vjen e përshtatur me me regji nga Dajana Nenaj, koreografi nga Elona Nallbani, nën interpretimin e Sofi Kotepano, Livion Aliaj, Ana Guçe, Julian Hurdha, Panajot Brahimaj, Rexhina Ibro.
Orkestra Simfonike e RTSH vjen me një koncert të veçantë mbrëmjen e 25 tetorit në orën 18.00 në Sallën e Universitetit të Arteve. Dirigjent i koncertit është Facundo Agudin, ndërsa soliste, sopranoja Renisa Laçka.
Në program do të interpretohen pjesë nga Andrea Scartazzini dhe Simfonia nr. 4 në Sol maxhor e Gustav Mahler.
“Rruga pa emër” titullohet shfaqja që do të mbahet në teatrin “A.Moisiu” në Durrës në 25, 26 dhe 27 tetor në orën 19:00.
Në fokus të kësaj vepre është aventura e dy të rinjve, të cilët nisen për të rigjetur dashurinë e humbur prej kohësh, por që gjatë kësaj aventure hasin të papritura të paimagjinueshme.
“Send me Muse” titullohet ekspozita e Rubin Kadiut, që çelet në 25 tetor në orën 18:00 në “Gallery 70” në Tiranë.
Rubin Kadiu ka përfunduar studimet e larta si “Artist Pamor” në Universitetin e Arteve, dega “Pikturë Monumentale” dhe është pjesëmarrës i disa ekspozitave të artit bashkëkohor pamor, brenda dhe jashtë vendit, në rolin e artistit dhe kuratorit.
“Gjenerali pa yll” dhe “Pasanikë të varfër” me autor Grigor Banushin janë dy librat që promovohen më 25 tetor në orën 11:00 në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Aktiviteti vjen në kuadër të Tetorit të Librit.
“Art and Engagament” është trajnimi që mbahet në Shkodër në 25 tetor në orën 10:30 dhe në Tiranë më 26 tetor në orën 10:30 nga Fondi Kulturor Zviceran. Ftohen të marrin pjesë të gjithë artistët e rinj që dëshirojnë të zhvillojnë aftësitë dhe të ndikojnë në komunitetet e tyre përmes artit. Programi synon të ofrojë mundësi të barabarta për të gjithë të rinjtë e talentuar që synojnë të sjellin ndryshim përmes artit dhe angazhimit kreativ.