Mbahet sot në orën 11.00 në Pallatin e Kongreseve ceremonia e çeljes së edicionit të 26-të të Panairt të Librit që vijon për 5 ditë me takime me autorë vendas e të huaj, libra me çmime të reduktuara e diskutime mbi letërsinë. Ndër të cilat, lexuesit, në orën 18.00 në stendën e botimeve "Papirus" mund të takojnë ish-kampionin e botës në futboll, francezin Lilian Thuram për prezantimin e librit të tij "Mendimi i Bardhë". Po në këtë orë në Sofanë e Librit, përkthyesja italiane Ilide Carmignani vjen në një bisedë për përkthimin me Edon Qesarin.
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit mban sot dhe nesër prej orës 9.00 pranë 15-katëshit konferencën ndërkombëtare "Shqiptarët dhe komunizmi".
Nga sot në orën 19.00, për 5 net radhazi, jetësohet në skenën e Teatrit Eksperimental shfaqja premierë "E kuqe" me autor John Logan dhe regji të Altin Bashës.
Shfaqja premierë "Attila" e Giuseppe Verdit, performohet sot në orën 19.00 në skenën e Operas, me regji të Ada Gurras, Okestrën Simfonike të Teatrit dhe artistë të përzgjedhur shqiptarë dhe italianë.
Vijon të shfaqet në teatrin “Skampa” në Elbasan çdo mbrëmje në orën 18.00 deri në 19 nëntor shfaqja “Zyshë e dashur” me autore Ljudmilla Razumovskajan dhe me regji të Aldi Hysotoçi dhe pjesëmarrjen e aktores Luiza Xhuvani.
50 vjet në skenë, artisti Edmond Halili mban sot në orën 19.00 në teatrin "Migjeni" në Shkodër një shfaqje, ku do të performojnë dhe emra të njohura të muzikës e aktrimit.