‘Ciceroni’, rubrika më e re në Report Tv! Nga 'Hirushja', te 'Mbreti Lir' dhe 'Darka e të marrëve', çfarë do të gjeni sot e nesër në teatrot e vendit

29 Tetor 2022, 16:21| Përditesimi: 29 Tetor 2022, 21:20

  • Share

Teatri i Kukullave sjell premierën “Hirushja” në sallën “Tonin Harapi. Argëtim, përfshirje të vogëlusheve, shfaqja me regji të Klajd Ymerit vjen me nota komike këtë të diel në orën 10.30 dhe 11.30. Në katër akte të “Ivanov”, Teatri Kombëtar vijon të shfaqë të shtunë e të dielë në orën 19.00 “Hamletin e Rusisë” të Çehov, me regji të Hervin Çulit e një kast të përzgjedhur aktorësh.

Jonida Beqo sjell Viktor Zhustin si “Mbretin Lir”. Tragjedia shekspiriane me intrigat e konfliktet në familjen mbretërore e jashtë saj, vijon të shfaqet mbrëmjet e të shtunës e të dielës në orën 19.00 në Teatrin Metropol.

Festivali Ndërkombëtar i Dancit Bashkëkohor, shënon mbrëmjen e dytë në Teatrin e Operas, të shtunën në orën 19.00 me “Udhëtim në dimër”, produksionin e parë të Angjelin Prejlocaj me ‘La scala’.  Të tjerë shqiptarë të baletit do të mbajnë të mbërthyer publikun në Opera dhe Arturbina, deri në 4 nëntor.

Gëzim Kame vijon të rrëmbejë duartrokitje me dramën “Engjëjt gri” të Përparim Kabos.  Në teatrin “Aleksandër Moisiu”, shfaqja rikthehet të shtunë e të dielë në orën 19.00 në Durrës. Me një kast aktorësh si Suela Konjari, Arben Derhemi në skenë zbërthehet raporti i njeriut me veten në një shoqëri si e jona. 

Regjisori Aldi Hyso Toçi  shfaq edhe këtë të shtunë në orën 19.00 në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, komedinë  amerikane “Çifti i çuditshëm”. Dinamizëm e të qeshura pa fund me aktorë si Genc Fuga, Gëzim Rudi dhe  Met Xhelili.

Komedia franceze “Darka e të marrëve” rikthen në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, aktorin Bujar Asqeriu. Shfaqja me regji të Roland Mingës dhe trupën e teatrit, vijon të shfaqet të shtunë e të diel në orën 19.00.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?