Amal Clooney është avokatja më e njohur në botë për të drejtat e njeriut. A mund të bëhet ajo kundërshtare e administratës Trump? Një sërë avokatësh, akademikësh dhe ish-gjykatësish britanikë janë informuar nga Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe për rrezikun që të preken nga sanksione, t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe t’u bllokohen pasuritë, sepse kanë qenë pjesë e një grupi ndërkombëtar ekspertësh që mbështetën në mënyrë unanime urdhër-arrestet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare — për krime lufte në Gaza — kundër kryeministrit izraelit Netanyahu dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe kundër tre liderëve të Hamasit (të cilët ndërkohë kanë ndërruar jetë).
Gazeta e parë që e dha këtë lajm, The Observer, e konsideron të pamundur që Amal Clooney të sanksionohet, sepse bashkëshorti i saj, aktori George Clooney, është shtetas amerikan dhe ka të drejtë rezidence në SHBA.
Por ka një “por”. Aktor i angazhuar në kampin e Partisë Demokrate, fitues i çmimit Oscar, George Clooney e ka kritikuar presidentin, i cili iu përgjigj menjëherë në rrjetin e tij social Truth: «Është një yll i kategorisë së dytë dhe një politolog i dështuar». Tani është radha e bashkëshortes së tij, gjysmës së njërit prej çifteve më “cool” në nivel global.
Amal Clooney, 47 vjeçe, e lindur në Liban dhe e rritur në Britaninë e Madhe, ku mban shtetësinë britanike, ka ndjekur çështje të profilit më të lartë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfaqësuar për shembull viktimat e ISIS-it në Irak dhe Siri. Disa nga njerëzit që ajo ka mbrojtur kanë fituar Çmimin Nobel për Paqe, si gazetarja filipinase Maria Ressa dhe e reja jazidase Nadia Murad, e cila pa nënën e saj të vritej dhe u detyrua për skllavëri seksuale nga ISIS-i.
Këshilli i Sigurimit miratoi në vitin 2017 një masë që Amal kishte ndihmuar për ta promovuar: krijimin e një ekipi të Kombeve të Bashkuara për të mbledhur dhe ruajtur provat e krimeve të mundshme të kryera nga Shteti Islamik në Irak. Megjithatë, siç tha ajo vetë pesë vite më pas, “deri më tani shumica e provave të mbledhura mbeten në magazina, sepse nuk ka një gjykatë ndërkombëtare që të gjykojë ISIS-in”.
Në atë rast, avokatja u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që provat për krimet e luftës në Ukrainë të mos mbeten të pluhurosura në arkiva. Sapo ishte bërë pjesë e një task force avokatësh që këshillon qeverinë e Kievit për rrugët më të mira për të ndjekur drejtësinë ndaj agresionit rus. «Frika ime për Ukrainën», tha ajo, «është se do të na mbulojnë angazhimet dhe shpërqendrimet, dhe dita-ditës do të ketë më pak mbulim mediatik për luftën, dhe njerëzit do të bëhen gradualisht më indiferentë ndaj saj».
PËRDORIMI I MIRË I FAMËS
Amal – e cila atëherë mbante mbiemrin Alamuddin – ishte këshilltare e Kofi Annanit në vitin 2013, kur ai ishte i dërguari special i OKB-së për Sirinë; ajo ka përfaqësuar ish-kryeministren ukrainase Yulia Tymoshenko dhe Julian Assange; ka punuar për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë; ka mbrojtur 126 viktima të gjenocidit në Darfur përpara Gjykatës së Hagës; ka qenë prokurore për Gjykatën Speciale për Libanin, kundër pesë anëtarëve të Hezbollahut, të akuzuar për vrasjen e ish-kryeministrit libanez Hariri. Prindërit e Amal-it u larguan nga Libani në vitet 1980 gjatë luftës civile, duke u vendosur në Britaninë e Madhe, kur ajo ishte dy vjeçe. Thuhet se ata e quajtën Amal (që do të thotë “shpresë”) sepse lindi gjatë një armëpushimi të shkurtër.
I ati, Ramzi Alamuddin, është profesor në pension i Universitetit Amerikan të Beirutit, pjesë e një familjeje të rëndësishme druze, dhe kur gazetarët shkuan në fshatin Baakline, atyre u thanë se lavdia e dikurshme e familjes Alamuddin ishte shumë më e madhe se fama e Clooney-ve. Nëna, Baria Meknas, myslimane sunite nga Tripoli, është një ish-miss që ka punuar për gazetën panarabe Al Hayat: ajo i tregoi revistës Vogue se edhe ajo do të kishte dashur të bëhej avokate. Shtatzënia e saj me Amal-in, vajza e dytë, ishte e vështirë; mjekët i këshilluan abort, por ajo e kishte parë vajzën në ëndërr dhe e kishte imagjinuar fytyrën e saj. «Dhe kur lindi, ishte fiks siç e kisha imagjinuar».
Amal studioi në Oksford dhe më pas në Universitetin e Nju Jorkut, në qytetin ku çifti Clooney jeton tani me fëmijët e tyre binjakë shtatëvjeçarë, Alexander dhe Ella, siç tregoi George në një intervistë të fundit për debutimin e tij në Broadway me shfaqjen “Good Night, and Good Luck”. U njohën në vilën e aktorit në Como, në vitin 2013: ajo shoqëronte një mike, aty ishin dhe prindërit e tij dhe qëndruan të gjithë duke biseduar deri vonë. U martuan në Venecia një vit më vonë. Amal alternon punën si avokate me tapetin e kuq përkrah bashkëshortit të saj.
Në një intervistë për kopertinën e revistës Time, ajo tha se besonte se mund ta përdorte famën për të vënë në pah gjërat që kanë rëndësi.
6 SHKURT: PARALAJMËRIMI
Nuk është e qartë nëse me Trumpin, fama mund ta mbrojë apo ta dëmtojë. Më 6 shkurt, presidenti amerikan firmosi një urdhër ekzekutiv që dënon sjelljen e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (autoriteti i së cilës nuk është njohur kurrë nga Shtetet e Bashkuara) për «veprimet e saj të paligjshme dhe të pabazuara ndaj Amerikës dhe aleatit tonë, Izraelit».
Presidenti premtoi «pasoja konkrete dhe të ndjeshme për përgjegjësit»: ai sanksionoi Karim Khan, avokat britanik dhe prokuror i përgjithshëm i Gjykatës, dhe tha se do të publikonte një listë të personave të tjerë të prekur brenda 60 ditëve nga ai urdhër.
Ambasada britanike në Uashington ushtroi presion për të shmangur përfshirjen e qytetarëve të tjerë britanikë në listë. Tani që 60 ditët kanë kaluar, Ministria e Jashtme paralajmëron se rreziku vazhdon, dhe sipas Observer-it dhe Financial Times-it, u ka këshilluar një sërë avokatësh që të marrin masa parandaluese, sepse llogaritë e tyre bankare në Britani mund të bllokohen në rast të ndonjë veprimi nga Shtëpia e Bardhë.
Ndër ata që janë paralajmëruar, nga të dyja gazetat përmenden: Sir Adrian Fulford, baronesha Kennedy of the Shaws, gjyqtari Theodor Meron (ish-president i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë), avokati Danny Friedman dhe Elizabeth Wilmshurst nga instituti Chatham House. Të gjithë kanë qenë pjesë e grupit të ekspertëve që, të thirrur për të vlerësuar nëse kishte prova të mjaftueshme, mbështetën vendimin për urdhër-arrestet ndaj Netanyahu-t, Gallant-it dhe tre liderëve të Hamasit: Yahya Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh.
«SI AVOKATE, NUK DO TË PRANOJ KURRË…»
Trump ka kritikuar në mënyrë të përsëritur Gjykatën, dhe gjatë mandatit të tij të parë sanksionoi paraardhësen e Khan-it, Fatou Bensouda (më pas Joe Biden i hoqi sanksionet).
Por George Clooney, që ka financuar bujarisht fushatën e Biden-it, bëri thirrje për protestë Shtëpinë e Bardhë, kur edhe presidenti demokrat vitin e kaluar i quajti «skandaloze» ato urdhër-arreste, duke thënë se krijonin një barazi të rreme midis Izraelit, që po reagonte ndaj sulmit brutal terrorist të 7 tetorit, dhe Hamasit, që synon shkatërrimin e shtetit hebraik.
Kur Biden u duk fillimisht i hapur për të bashkëpunuar me Kongresin për të vendosur sanksione (në fund ai deklaroi se nuk ishte “përgjigjja e duhur” dhe se do të gjendej një rrugë tjetër), aktori foli me këshilltarin e Biden-it, Steve Ricchetti, për të mbrojtur punën e bashkëshortes së tij: ishte pranvera e vitit 2024, dy javë para eventit të 15 qershorit kur Biden u shfaq i hutuar në një takim elektoral në Kaliforni në krah të George Clooney-t dhe Barack Obamës, pas kthimit nga G7-a në Pulia. Pak ditë më pas ndodhi debati televiziv katastrofik me Trump-in, dhe më pas editoriali i Clooney-t që i kërkonte Biden-it të tërhiqej nga gara.
Amal e shpjegoi kështu arsyen përse bashkëpunoi me Gjykatën e Hagës: «Si avokate për të drejtat e njeriut, nuk do të pranoj kurrë që jeta e një fëmije të ketë më pak vlerë se ajo e një tjetri. Nuk pranoj që të ketë konflikte përtej juridiksionit të ligjit. Prandaj mbështes hapin historik të prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të aplikuar drejtësinë për viktimat e mizorive në Izrael dhe Palestinë». /bota.al
Komente
