Çifti i kurorëzuar nën uniformën e Policisë së Shtetit! Efektivja Dano: Rritja e numrit të grave në këtë institucion, produktive

22 Mars 2021, 16:57| Përditesimi: 22 Mars 2021, 17:14

  • Share

Të dy me uniformë. Të dy të sprovuar nga puna pa orar në shërbim të komunitetit. Por jo më kot thonë se dashuria lind e forcohet mes sprovave. E për Edjonën dhe Bledin, vështirësitë kanë qenë të shumta.

Edjona Dano, prej 9 vitesh në polici, sot specialiste përgjegjëse për Inspektorët e zonës në Komisariatin nr. 1, mësimet për një jetë të shëndetshme në çift i mësoi përmes profesionit.

“Këtu kanë qenë edhe fillesat e marrëdhënies sonë, e cila sot është kurorëzuar edhe me një vajzë. Ka qenë shumë e vështirë, të dy kemi punuar me turne, të dy kemi punuar detyra të vështira dhe aktualisht vazhdojmë të punojmë në role të ndryshme. Gjithsesi, ajo që na ka mësuar ky profesion është se si ta mbajmë një marrëdhënie familjare të shëndosh duke kuptuar njëri-tjetrin”, shprehet efektivja.

1616429018_1616428987edjona.jpg

Efektivja Edjona Dano

Shumëkush nuk do ta mendonte të linte fëmijën në gjumë pas një telefonate pune, por policia nuk mund të shihet vetëm si një profesion. Për të është një detyrë që duhet përmbushur ndaj qytetarëve.

“Në momentin që të bie telefoni në mes të natës, në momentin që të kërkojnë në mes të natë, është detyra jonë, është obligimi jonë që të paraqitemi, është detyra kjo që të thërret”,  shprehet punonjësja e policisë, Edjona Dano.

Është vetë shembulli se gratë dhe vajzat janë mirëpritur nga meshkujt që mbizotërojnë uniformat.

“Kam patur eksperiencën nga baza dhe deri tani kam kaluar kolektiv meshkuj, të cilët të them të vërtetën e kanë mirëpritur prezencën e femrës në polici. Besoj se me rritjen e numrit të grave në Policinë e Shtetit, kemi parë se sa produktive janë ato në polici. Do të doja dhe do të përcillja mesazhin që të kishim sa më tepër pranime në Polici të Shtetit dhe natyrisht duke marrë parasysh se një femër duhet të jetë e fortë sepse është vajzë, është grua, nënë, bashkëshorte, motër, e cila duhet të përballet edhe me problemet që na kthehen pas, feedback-u”, shprehet Dano.

Duke mos anashkaluar edhe pakënaqësitë, është e bindur se gratë me uniformë duartrokiten në komunitet.

“Mund t’i kemi të dyja, por unë mendoj që kemi mendim pozitiv. Të paktën kur ndodh që ne të ecim me uniformë në rrugë kemi përshëndetje, natyrisht që ka edhe nga ata që nuk do të na pëlqejnë sepse mund të kenë një pakënaqësi, pasii kemi të gjithë elementët. Por unë jam e shumë e sigurt që vlerësohet dhe duartrokitet puna jonë.” – shprehet Dano.

Rreth 1600 gra dhe vajza janë pjesë e Policisë së Shtetit, ndërsa përgjatë viteve të fundit, efektivet gra janë angazhuar edhe në protesta të dhunshme, ashtu sikundër prej një viti me pandeminë Covid-19.

Efektivja Edjona Dano me bashkëshortin Bledar Xhebexhiu

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?