TIRANË- Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Rinas, ndërsa dy të tjerë janë proceduar, për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim të pasaportave.
Nard Myftari, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, të cilët akoma nuk janë identifikuar, kundrejt shumës rreth 25.000 Euro dyshohet se ka pajisur me pasaporta të falsifikuara spanjolle një çift bashkëshortësh dhe dy fëmijët e tyre të mitur me qëllim udhëtimin e tyre drejt Gjermanisë.
Si rezultat i operacionit “Last Trip”, përveç arrestimit janë sekuestruar edhe katër pasaportat e dyshuara të falsifikuara, gjashtë aparate celularë, tre laptopë dhe tre USB. Dy bashkëshortët kanë tentuar dy herë të kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit por si rezultat i forcimit të masave të kontrollit në këtë aeroport nuk kanë mundur dot të largohen.
‘Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale e falsifikimit të dokumentave dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacionit, sherbimet e Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve në DVP Tiranë, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin e koduar “Last Trip”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
N. M., 35 vjeç. Si dhe u proceduan shtetasit K. M., 41 vjeç dhe S. A., 31 vjeçe.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi N.M në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë(punohet për identifikimin e tyre)kundrejt shumës rreth 25.000 Euro dyshohet se ka pajisur me pasaporta të falsifikuara spanjolle shtetasit K. M dhe S. A, dhe dy fëmijet e tyre të mitur me qëllim udhëtimin e tyre drejt Gjermanisë.
Shtetasit K. M dhe S. A, kanë tentuar dy herë të kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit por si rezultat i forcimit të masave të kontrollit në këtë aeroport nuk kanë mundur dot të largohen.
Materialet proceduriale do ti kalojne Prokurorise pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshem të kufirit”, dhe “Falsifikimit të leternjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.’- njofton policia.