VIDEO/ Çifti zviceran i bllokuar nga orteku në malin e Korabit prej dje, njëri thyen këmbët! Shpëtohen pas 8 orë kërkime me ndihmën e KFOR, dërgohen te Trauma

22 Janar, 08:34| Përditesimi: 22 Janar, 17:38

  • Share

Një çift zviceran të cilët prej së dielës mbetën të bllokuar nga orteku në malin e Korabit, u shpëtuan sot në kushte të vështira pasi nga era e fortë helikopteri i ushtrisë s’mundi të ulej. Tërheqjen nga lartësia të turistëve e mori përsipër nga një helikopter i fuqishëm i KFOR-it.

Sipas policisë, nevojë për ndihmë mjekësore patën edhe dy efektivë të cilët i vajtën në ndihmë turistëve, me ushqime e veshje, të cilët gjithashtu u transportuan me helikopterin e KFOR.

Ka qenë pronari i hotelit ku ata qëndronin i cili ka kuptuar mungesën dhe në darkë njoftoi policinë. Në kërkim të dy turistëve u nisën forca të rendit, të policisë kufitare dhe disa banorë të zonës. Të parët që i kanë gjetur kanë qenë banorë të zonës. Siç tregojnë për mikrofonin e Report tv ata thonë se kanë ecur 4 orë në këmbë duke ndjekur lokacionin që u kishin nisur vetë turistët.

Pas 8 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte atmosferike dhe gjeografike shumë të vështira, dy turistët u gjetën në orët e para të mëngjesit të sotëm. Burimet thanë se turistët nuk mund të transportohen në rrugë tokësore, pasi janë të plagosur. Policia e Dibrës kërkoi ndihmën e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për transportimin e tyre me helikopter. Rreth orës 09:00 nisi operacioni nga ajri, por ishte e pamundur të ulej helikopteri i FA për shkak të terrenit të vështirë. Rreth mesditës operacionin e vështirë me tërheqje nga lartësia e mori përsipër KFOR-i.

Turistët u shpëtuan rreth orës 14:00 dhe u transportuan në Spitalin e Traumës, të cilët i vizitoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Ora 17:04
'Ecëm 4 orë në këmbë', flasin dy të rinjtë: Si i gjetëm turistët që u bllokuan nga orteku në malin e Korabit, vetëm fytyrën kishin jashtë

 

Korab Visha dhe Alfred Lita dy të rinjtë që shkuan të parët për të shpëtuar dy turistët zviceranë në malin e Korabit kanë treguar rrugëtimin që bënë derisa i gjetën. Ata thonë se kanë ecur 4 orë në këmbë derisa kanë mbërritur në vendin ku i kishte zënë orteku i dëborës. Falë lokacionit që u kanë dërguar turistët kanë mundur që t’i gjejnë. Pasi i kanë nxjerrë nga dëbora dhe u kanë dhënë ndihmën e parë, më pas siç tregojnë të rinjtë ka mbërritur dhe policia e Kosovë.

“Isha unë dhe Pëllumb Lamallari dhe Korab Visha. Kemi shkuar në orën 9:30 me makinë. Kemi ecur ca rrugë, ishte bllokuar rruga, kemi lënë makinën dhe më pas kemi ecur në këmbë. Nuk i kemi gjetur kollaj. Ishin të mbuluar me borë, vetëm fytyrën kishin jashtë. Dëborë dhe ngrica kishte shumë. Po kontrollonim rrugën për ortek sepse kishim frikë se mos rrëzoheshim edhe ne. Pasi i gjetëm i nxorëm nga dëbora. Pastaj erdhën ndihma nga Kosova”, tha njëri prej të rinjve.

“Më mori daja në telefon, më tha hajde të shkojmë se na kanë humbur disa turistë. U nisëm në këmbë nëpër bjeshkë. Ora mund të ishte 10 maksimumi. Kemi ikur në këmbë, u bëmë grup. Na shkoi katër orë e gjysmë rruga. Ishte shumë e vështirë, frynte shumë, kishte furtunë. I gjetëm me lokacion, na dërguan ata lokacion. Kishin rënë në një shpatë në kufi me Kukësin. Për t'i nxjerrë nga orteku ishte shumë e vështirë. Ne shkuam u dhamë ndihmën e parë i nxorëm nga dëbora dhe më pas na erdhën ndihma nga policia e Kosovës shumë shpejt dhe u dhamë ndihmën e parë. Vajza ishte shumë mirë, kurse djali shumë keq. Pasi i nxorëm nga dëbora u dhamë ndihmën e parë”, tregoi tjetri.

Ora 16:02
VIDEO/ Të bllokuar gjatë eksplorimit në malin e Korabit, dalin pamjet e shpëtimit të dy turistëve nga Zvicra

 

Kanë dalë pamjet nga momenti i shpëtimit të dy turistëve zviceranë të cilët u bllokuan për shkak të një orteku, në Malin e Korabit.

Njoftimi i policisë

"Pas 8 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte atmosferike dhe gjeografike shumë të vështira, Policia shpëton 2 turistë nga Zvicra, të cilët kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në mal, për shkak të dëborës dhe terrenit të thepisur.

Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë natës dhe orëve të mëngjesit, u krye nga Policia e Dibrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Dibrës, Emergjencat Civile, Policinë Alpine të Forcave të Sigurisë Kombëtare, Federatën Alpine të Kërkim-Shpëtimit Malor të Policisë së Kosovës, si dhe me asistimin e një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të një helikopteri të KFOR-it.

Rreth orës 21:00, të datës 21.01.2024, është marrë njoftim se 2 turistë nga Zvicra, kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në malin e Korabit, dhe si pasojë kishin mbetur të izoluar në terrenin e thepisur të malit, në temperatura shumë të ulëta, dhe njërit prej tyre i rrezikohej jeta, sepse ishte dëmtuar.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi, për të shpëtuar 2 turistët. Pas 8 orësh kërkime intensive, gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, në temperatura shumë të ulëta dhe në terrenin e thepisur të malit të Korabit, është bërë i mundur lokalizimi i 2 turistëve, në vendin e quajtur "Maja e Sokolit”.

Shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse iu kanë shkuar në ndihmë turistëve, duke iu dhënë ndihmën e parë mjekësore, si dhe duke i pajisur me ushqime dhe me veshje. 

Gjithashtu, për zbritjen, për shkak të terrenit të thepisur dhe gjendjes shëndetësore të 2 turistëve dhe të 2 punonjësve të Policisë, ka asistuar një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili për shkak të erës së fortë, nuk ka mundur të ulej. Në këto kushte, është kërkuar ndihmë nga një helikopter më i fuqishëm i KFOR-it, i cili ka bërë të mundur transportimin e 4 shtetasve të dëmtuar drejt spitalit, ku po marrin asistencë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Dibrës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112. "

Ora 15:55
Balla viziton në spitalin e Traumës 2 turistët zvicerianë që u shpëtuan nga zona ku ishin bllokuar në Malin e Korabit: Si në shtëpinë dhe besën e shqiptarit

1705935621_taulantballa.PNG

Ministri i Brendshëm Taulant Balla vizitoi në Spitalin e Traumës në Tiranë, dy turistët zviceranë që u shpëtuan pas një aksioni të koordinuar të disa strukturave shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës, të bllokuar nga dëbora, në një zonë të vështirë të malit të Korabit.

Ministri u interesua rreth shëndetit të tyre dhe me këtë rast falënderoi oficerët e KFOR që realizuan transportin helikopter, nga një pikë e vështirë malore në zonën e  Kalasë së Dodës.

Në një status në rrjete sociale lidhur me këtë ngjarje, Ministri Balla shprehet se:

“Si në shtëpinë dhe në besën e shqiptarit. Ka përfunduar me sukses shpëtimi i dy turistëve zviceranë, të bllokuar në Malin e Korabit, njëri prej te cilëve kishte dëmtuar gjymtyrët e poshtme për shkak të një orteku dëbore. Mirënjohje forcave të Policisë së Shtetit, të Policisë së Kosovës, Federatës së Alpinizmit të Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe KFOR, pa angazhimin e të cilëve nuk do të ishte bërë i mundur ky operacion i vështirë shpëtimi”.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit  u angazhuan gjithashtu forca të policisë së rendit, të policisë kufitare, banorë të zonës së njësisë administrative Kala e Dodës.

Ora 14:23
U bllokuan pasditen e djeshme në Korab, evakuohet çifti zviceran! Dërgohen te Trauma

Çifti zviceran që mbeti i bllokuar prej pasdites së djeshme në malin Korab është shpëtuar. Në ndihmë erdhi edhe KFOR, ndërsa tashmë janë dërguar edhe në spitalin e Traumës në Tiranë.

Çifti është jashtë rrezikut për jetën. Dëmtime ka marrë vetëm burri dhe është transportuar me barelë pasi njërën këmbë e ka të thyer.

Po i bëhet ekzaminim ndërsa gruas po i bëhet kontroll i përgjithshëm për ndonjë traumë të pësuar, por që ajo vetë nuk ka evidentuar dëmtime në trup.

Pritet nga momenti në moment që të vijnë me helikopter edhe trupat që kanë marrë pjesë në shpëtimin e çiftit zviceran për kontroll të përgjithshëm, por që asnjë prej tyre nuk ka dëmtime.

“Pas përpjekjeve të përbashkëta të efektivëve tanë, policisë dhe KFOR, të angazhuar në operacionin e shpëtimit të turistëve zviceranë është bërë e mundur tërheqja e tyre nga vendi ku ishin bllokuar. Ata janë transportuar për ndihmë shëndetësore në Spitalin e Traumës”, njofton Mbrojtja.

Ora 13:00
VIDEO/ Çifti zviceran i bllokuar në Korab prej pasdites së djeshme, do evakuohen nga KFOR

KFOR do t’i vijë në ndihmë autoriteteve shqiptarë për nxjerrjen e dy turistëve zviceranë që kanë mbetur të bllokuar në malin e Korabit.

Evakuimi do të kruhet nga KFOR, pasi helikopteri FA nuk ulje dot për të marrë dy turistë, njëri prej të cilëve ka thyer këmbët.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, për kërkimin e dy turistëve zviceranë, të bllokuar pranë malit të Korabit, u nisën 7 forca të policisë së rendit, 2 forca të policisë kufitare dhe disa banorë të zonës së njësisë administrative Kala e Dodës. Dy turistët u gjetën në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Stukturat Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit janë angazhuar në orët e para të mëngjesit për të vlerësuar mënyrën e ndërhyrjes, për shkak të terrenit të vështirë. Në këto momente po fillon operacioni i shpëtimit, me tërheqje nga lartësia, në bashkëpunim edhe me KFOR.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?