TIRANË- Përdorimi i cigareve elektronike është shtuar ndjeshëm tek të rinjtë. Por pavarësisht trendit në rritje, konsumimi i cigares elektronike sjell edhe pasoja të rënda për jetën.
Kohët e fundit, një sëmundje misterioze që shkaktohet nga cigaret elektronike ka sjellë edhe viktimat e para në SHBA. Por si është situata në vendin tonë?
Report Tv, kontaktoi me pneumologen, Silvana Bala, në Sanatorium për përdorimin e cigareve elektronike në vendin tone, e cila tha se raste të tilla nuk ka pasur ende në Shqipëri.
Sipas mjekes të rinjtë zëvendësojnë cigaren normale me atë elektronike, duke menduar se janë të përjashtuar nga efektet anësore të duhan-pirjes. Por në fakt efektet anësore të përdorimit të cigares elektronike janë po aq të dëmshme sa cigaret normale.
“Nëse cigarja normale ka si rrezik të shëndetit katranin, cigarja elektronike e cila përmban shumë nikon, ka rrezikun e lëndëve, të cilat janë lëndë të dëmshme për shëndetin, për faktin sepse bëjnë ndryshime të qelizës epiteliale të rrugëve ajrore, gjë e cila është deri në AND, dhe është një nga elementët kryesor të nisjes së ndryshimit qelizor për sëmundjen e kancerit pulmunar”-u shpreh pneumologia
Efektet anësore që shfaqen nga konsumimi i cigareve elektronike janë nga më të lehtat deri tek më të rëndat duke prekur sisteme të ndryshme të individit.
“Nga efektet më të lehta, të cilat janë të vjellat, dhimbjet abdominale, deri tek efektet më të rënda me prekje të sistemit nervor, me dhimbje të fortë koke dhe ato polmunaret”-tha Bala
Një prej konsumuesve u shpreh për Report Tv se pasi përdori cigare elektronike për tre muaj, pati komplikacione në zemër.
Ju e konsumoni cigaren elektronike?
E kam konsumuar tre muaj dhe tani u ktheva prap te cigarja normale
Pse u ktheve prapë?
E pash që nuk më bënte mirë dhe e hoqa
Cfarë të shkaktoi?
Me shkaktoi për momentin një shtrëngim zemre dhe e hoqa
Sëmundja misterioze e cila po merr vëmendje kryesore në mediet ndërkombëtare, prek më së shumti moshat 20-30 vjec dhe ka prekur më shumë se 200 persona në SHBA. Personat e prekur nga kjo sëmundje misterioze paraqesin simptoma si vështirësi në frymëmarrje, të përziera, dhe rënie imuniteti.
Rreth një muaj më parë, në Shqipëri hyri në fuqi ligji për ndalimin e konsumimit në ambjente të mbyllura, të të gjitha llojeve të cigares, asaj elektronike, duhanit me ngrohje, shisha/ nargjila.