Cigarja, më e dëmshme se COVID-19! Çfarë u tha në Konferencën e Reduktimit të Riskut nga NAPH

21 Dhjetor 2021, 15:33| Përditesimi: 21 Dhjetor 2021, 15:39

  • Share

Konferenca e gjashtë e reduktimit të riskut nga NAPH (Shoqata Kombëtare e Shëndetit Publik) mblodhi 200 pjesëmarrës. Organizimi hibrid (me prezencë në sallë dhe online) u udhëhoq nga kryetari i NAPH Adrian Hoxha, me folës 6 nga ekspertët më të njohur të shëndetit. Mes tyre, një prej personaliteteve më të vlerësuar në fushën e reduktimit të dëmit në botë, Clive Bates.

Clive Bates, avokat i reduktimit të dëmit të duhanit që në vitin 1997, e krahasoi pirjen e cigares me faktorët më të rëndë të riskut, duke treguar qartazi rrezikshmërinë e lartë që ka cigarja me djegie.

“Problemi kryesor ka qenë dhe mbetet pirja e cigares”, u shpreh Bates, “Vdekshmëria është tmerrësisht e lartë: çdo vit, 8 milionë njerëz në botë humbin jetën prej sëmundjeve që lidhen me cigaren. Më shumë sesa obeziteti, alkooli, aksidentet rrugore, abuzimi me drogën dhe HIV së bashku.

Mund të krahasohet me magnitudën e COVID-19, veçse ndodh çdo vit.”

Eksperti i njohur u ndal edhe tek pirja e cigares në Shqipëri, duke vënë në dukje përqindjen e lartë të burrave që pinë cigare.

“Cigarja është një problem serioz edhe në Shqipëri. […] 40% e burrave pinë cigare, sipas një vlerësimi të OBSH-së për 2022-shin.”

Clive Bates shpjegoi se nikotina, edhe pse është arsyeja që i shtyn shumicën e njerëzve që të pinë cigare, në fakt nuk është shkaktar kryesor i sëmundjeve që lidhen me pirjen e cigares.

“Ajo çfarë i shkakton këto është tymi, katrani, grimcat e mëdha, veshtullore, të gazrave dhe lëngjeve që i përcjellim në mushkëri, që mbartin gjithashtu nikotinën. Nëse i zhdukim këto, kemi zhdukur pjesën më të madhe të sëmundjeve.”

Produktet alternative me risk të reduktuar, të cilat nga shumë ekspertë të njohur botërorë të shëndetit publik shihen si një shans për lënien e cigares dhe reduktimin e dëmit, përcjellin nikotinë pa përcjellë kimikatet e dëmshme.

Clive Bates u ndal edhe tek produktet me ngrohje, një kategori e re produktesh me risk të reduktuar, të cilat funksionojnë mbi parimin: ngrohje, jo djegie, duke e ngrohur fijen e duhanit mjaftueshëm sa për të marrë nikotinë, por pa emetuar kimikatet e tjera të dëmshme që gjenden tek tymi i cigares.

“Në Japoni, shikojmë një rënie të përgjithshme të përdorimit të nikotinës, një rënie në nivelin e pirjes së cigares dhe një ngritje të përdorimit të produkteve me ngrohje, çfarë tregon se cigarja është zëvendësuar nga produktet me ngrohje.”

Eksperti i njohur për kontrollin e duhanit, Roland Shuperka, u fokusua tek reduktimi i dëmit të duhanit përmes alternavivave si produktet me ngrohje.

“Reduktimi i dëmit është një shans i madh për shëndetin publik, veçanërisht kur vjen fjala tek duhanpirja,”, u shpreh Shuperka, “Dhe kur vjen fjala për reduktimin e dëmit, kemi produktet e reja të nikotinës, të cilat janë më pak të dëmshme se cigarja tradicionale.”

Shuperka iu referua shembujve nga shtete më të zhvilluara, në lidhje me politikat e kontrollit të duhanit, të cilat përfshijnë edhe alternativat me risk të reduktuar; vende si Britania e Madhe, Zelanda e Re apo Shtetet e Bashkuara, ku mbështetja institucionale ka rezultuar e suksesshme për zëvendësimin e cigareve me alternativa më pak të dëmshme.

“Agjencia e Promovimit të Shëndetit në Zelandën e Re në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, për këtë që po bëjmë ne sot këtu, kanë hapur një uebsajt ku sqaron të gjithë njerëzit që pinë cigare për produktet e reja të duhanit, se si ndihmojnë ato dhe ku çojnë.”

“Në korrik të 2020-ës, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, FDA, autorizoi komercializimin e produktit me ngrohje IQOS si produkt me risk të modifikuar. Pra, FDA i hapi rrugën reduktimit të dëmit përmes produkteve alternative.”

Shuperka mendon se duhet ndjekur shembulli i Zelandës së Re, për të vënë në dispozicion informacion për të rriturit që pinë cigare, si pjesë e zinxhirit të kujdesit shëndetësor.

“Pra, duhet transparencë. Ne duhet t’i informojmë duhanpirësit, në pozicionin e mjekut të familjes, të informojmë publikun me qëllim që këto produkte më pak të dëmshme, 95% më pak të dëmshme sipas studimeve të Shëndetit Publik Angli.”

Kryetari i Shoqatës për Sëmundjet Infektive, Dr. Arjan Harxhi, e fokusoi fjalën e tij tek mbrojtja e punonjësve të kujdesit shëndetësor në punë.


“Nëse do të ishte një temë shumë aktuale në lidhje me aplikimin e këtyre koncepteve të uljes së risqeve, do të ishte pikërisht situata e COVID-it, të gjitha ato masa që ne marrim për të parandaluar transmetimin e COVID-it apo për të ulur dëmet.”

“Këto lloj infeksionesh prekin si infeksionistin, ashtu edhe pacientin.”

Dr. Harxhi foli edhe për rëndësinë e skrinimit të punonjësve të kujdesit shëndetësor për infeksione të tilla si HIV, Hepatitin B dhe C, Tuberkulozin Pulmonar, Variçelën dhe Sifilizin.

“Çdo profesionist i shëndetit duhet të skrinohet dhe të vaksinohet për Tuberkulozin, Hepatitin B, Variçelën, Parotit, Fruth dhe Rubeolë dhe duhet të ketë skrinim për Hepatitin C dhe HIV-in.”

Nga Departamenti i Mjekut të Familjes pranë Klinikës Universitare Hematologjike në Spitalin Nënë Tereza në Tiranë, Prof. Dr. Polikron Pulluqi u ndal tek reduktimi i dëmit për moshën e tretë. Duke përdorur sentenca të drejtpërdrejta në lidhje me periudhën delikate të jetës, ai shpjegoi rëndësinë që ka reduktimi i faktorëve të riskut për të ruajtur shëndetin e të afërmve tanë në moshë të tretë.

“Pleqëria: kohë e sëmundjeve dhe e paaftësisë, apo pjesë natyrale e jetës që duhet jetuar?’, pyeti Pulluqi, “Kur je me fat, është pjesë natyrale e jetës. Është me fat të plakesh, por jo të jesh plak.”

Ai u ndal tek format e reduktimit të riskut të sëmundjeve si osteoporoza, apo edhe demenca, më së shumti e përhapur tek moshat e treta. Mjeku këshilloi aktivitet të lartë fizik dhe mendor, si edhe një dietë të balancuar fibrash. Nga ana tjetër, nuk e zbehu rëndësinë e socializimit, për të ulur riskun e depresionit.

Jolanda Hyska, Profesore e Asociuar pranë Departamentit të Shëndetit Publik në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, u fokusua tek rëndësia që ka patur përdorimi i kripës së jodizuar për reduktimin e riskut nga pamjaftueshmëria e jodit.

Ajo kujtoi vitin 1993, kur një studim tregoi se 97% e popullatës shqiptare kishte defiçencë jodike, ku gati 63% shfaqte defiçencë të rëndë. Para situatës së rëndë, ekspertët e shëndetit publik morën masa afatshkurtra, për shpërndarjen e kapsulave me jod, si edhe një strategji afatgjatë për reduktimin e dëmit: jodizimin e kripës për konsumin e përditshëm. Strategjia u reflektua edhe me një ligj mbi kripën që ne prodhojmë apo importojmë, e cila është e kërkuar me ligj që të ketë sasitë e duhura të jodit, për të luftuar kështu mungesën e jodit të popullatës. 

Në lidhje me reduktimin e riskut të sëmundjeve vaskulare të lidhura me mënyrën e jetesës, Profesori i Asociuar Edmond Zaimi përmendi faktorët që ndikojnë tek shëndeti i zemrës.

“Mënyra e jetesës ndikon në mënyrë afatshkurtër dhe afatgjatë tek risku vaskular”, u shpreh ai, “Një aktivitet i rregullt fizik, mbajtja e një peshe të përshtatshme, ushqimi e shëndetshëm, të mos pirit cigare dhe kontrolli i kolesterolit, presionit të gjakut dhe glicemisë, janë disa nga elementët për një shëndet ideal kardiovaksular.”

Të pranishëm në konferencë ishin edhe ish-studentë të Shëndetit Publik, të cilët janë duke përfunduar doktoraturën jashtë vendit dhe kanë kontribuar në mënyrë të veçantë në fushën e shëndetit publik. Elida Sina, aktualisht studente e shëndetit publik në Gjermani, u shpreh se arritjet e saj të deritanishme ia atribuon edhe mbështetjes së NAPH. Erand Llanaj, studiues pranë Eötvös Loránd Research Network në Hungari, u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit kur vjen fjala për shëndetin publik:

“Shkenca nuk është një sipërmarrje individuale, por bashkëpunuese. Duhet të fillojmë të ndërtojmë ura dhe të heqim muret midis njëri-tjetrit.”

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?