FIER - Rrethi Çiklistik i 82-të i Shqipërisë ka mbyllur ditën e pestë dhe të fundit për këtë sezon, teksa në Etapën e Pestë nga Vlora në Fier fitues ka dalë Jovan Divnic, përfaqësuesi i ekipit nga Mali i Zi. Fitues për gjithë turneun u shpall ekipi nga Holanda, 'Amsterdami'. Ndërkohë fitues i gjithë turit është shpallur holandezi Tom Jokmans.
Fituesi i kësaj etape u vendos në limite, pasi ishte një sprint final që solli edhe kampionin e garës. Dueli në fund pa edhe një incident pranë vijës së finishit dhe protagonist ishte Marko Stankoviç, pjesëtari i ekipit nga Serbia.
Vetëm pak centimetra nga fundi, ai u rrëzua keqazi në asfalt dhe u përplas me disa tifozë që ndodheshin pranë, ndërsa nga pamjet duket se ka patur edhe një tjetër çiklist që më vonë u shemb në tokë, por pa lëndime të rënda.
Ndërkohë që fituesi i gjithë Etapave të Rrethit Çiklistik të Shqipërisë është shpallur ekipi i 'Amsterdamit' nga Holanda dhe çiklisti Tom Jokmans si më i miri i gjithë Rrethit. Në këtë turne morën pjesë 14 skuadra dhe 98 çiklistë nga Shqipëria, Ballkani dhe Evropa.
Etapa e Pestë - Këtë të premte gara nisi në Shëtitoren e Vlorës në orën 10:00, për të vijuar më pas në autostradën Vlorë - Fier, në Unzaën e Fierit, Fier - Savër, deri në dalje të Levanit për të përfunduar në qendër të Fierit pas orës 13:00.
Komente
