Harta më e saktë deri tani

Cilat ishin shpikjet dhe zbulimet më të rëndësishme të vitit 2021

2 Janar 2022, 09:15| Përditesimi: 2 Janar 2022, 09:21

  • Share

Si çdo vit, revista amerikane ‘Time” ka zgjedhur 100 shpikjet më të mira të vitit që po mbyllet. Lista është hartuar duke vlerësuar propozimet e lexuesve, si dhe duke u bazuar në vlerësimin e redaktorëve të saj në sektorë të ndryshme. Lista është e larmishme. Disa prej shpikjeve po e ndryshojnë vërtet botën, ose mund ta bëjnë këtë në të ardhmen.

Por ka edhe shpikje të tjera, që në mënyrën e tyre të vogël, e kanë bërë një kontekst të caktuar të jetës si më praktik, më të këndshëm dhe argëtues. Ndër shpikjet e përzgjedhura, shumica kanë të bëjnë me shkencën dhe teknologjinë, por ka të tjera që lidhen më shumë me marketingun. Ja cilat janë disa prej tyre.

Një softuer për mbikëqyrjen e proceseve industriale

“Percepto AIM”, është një softuer që falë dronëve dhe robotëve të llojeve të ndryshme, ju lejon të inspektoni nga distanca struktura industriale të llojeve të ndryshme, termocentrale ose rafineri. Pas çdo kontrolli, softueri mundëson mbledhjen e të dhënave dhe informacionit, që të mbani situatën nën kontroll sa më shumë që është e mundur. Ai mund të jetë shumë i dobishëm për të shmangur avaritë apo zjarret.

Një karrige me rrota që kursen hapësirë

“Revolve Air”, është një karrige me rrota që paloset, ndaj ju lejon të kurseni hapësirë gjatë udhëtimit. Për shembull, ai përshtatet për t’u vendosur si çantat e tjera në ndarjen mbi kokat e pasagjerëve në avion. Ajo u zhvillua nga Andrea Mocellin, që punon në kompaninë “Ferrari”. Karrigia me rrota del në treg vitin e ardhshëm, dhe deri tani është prenotuar nga mbi 10 mijë njerëz. Çmimi i saj bazë është rreth 2 mijë euro.

Një pajisje për larjen e flokëve me më pak ujë

E krijuar nga kompania “L’Oréal” me synim kursimin e ujit, sot për parukierët, por në të ardhmen e afërt edhe për njerëzit nëpër shtëpi. Quhet “Water Saver”, lidhet me lavamanët normalë, dhe mbi të gjitha bën dy gjëra:e përzien ujin direkt me shampon, dhe e lëshon ujin në pika shumë të vogla, në mënyrë që të kursejë deri në 80 për qind konsumit të tij.

Shtëpitë e printuara në 3 D, ndoshta për në planetin Mars

I zhvilluar nga kompania me bazë “ICON” në Teksas të SHBA-s, sistemi “Vulcan” përdor printimin 3D për të krijuar ndërtesa në një material të njohur si “Lavacrete”. “ICON” thotë se mund të printojë shtëpi të tëra brenda pak ditësh, dhe deri tani ka ndërtuar disa dhjetëra, përfshirë njërën që është përdorur Hjuston në një simulim të lidhur me ngulimet e ardhshme njerëzore në planetin Mars.

Një makinë robotike për programuesit e mundshëm të së ardhmes

“Sphero” është një kompani robotike e njohur nga disa për droidin e saj “Star Wars”. Produkti i tij i ri quhet “Indi” dhe është një makinë robotike e krijuar për t’i mësuar fëmijëve 4 vjeç e lart programimin kompjuterik, pa përdorur ndonjë ekran. Siç tha edhe një nga inxhinierët që u mor me këtë shpikje, synimi ishte “të silleshin në botën fizike konceptet abstrakte”. Kompleti bazë kushton rreth 100 euro.

Peshku vegjetal

“Kuleana” është një kompani që po përpiqet të bëjë me peshkun, atë që të tjerët po bëjnë me mishin e kuq, me rezultate gjithnjë e më të mira (të paktën për sa i përket shijes). Pra të prodhojë peshk që nuk është peshk, pasi prodhohet me përbërës vegjetalë, por që shijen e ka tamam si të peshkut. Për momentin, produktet e saj – shumë prej tyre në formën e sushit – mund të shijohen vetëm në Shtetet e Bashkuara.

Një risi për dublimin

“Flawless” është një kompani e llojit startup me seli në Londër, e cila përdor inteligjencën artificiale për të eliminuar mospërputhjen midis buzëve që lëvizin në një gjuhë (ajo origjinale) dhe fjalëve që dëgjohen në dublim. Revista “Time” zgjodhi “TrueSync”, softuerin e zhvilluar nga “Flawless”, pasi ai po përpiqet të revolucionarizojë “një proces, që nuk ka ndryshuar shumë që nga shekulli i kaluar”.

Google Maps Live View

“Për një këmbësor, gjetja e rrugës në një harte me pamje nga lart, nuk është gjithmonë dhe aq e lehtë”- shkruan “Time”. Por tashmë mund të jetë shumë më e thjeshtë falë “Live View”, një modalitet i Google Maps që përdor kamerat e smartfonëve për të lidhur botën reale me hartat e Google. “Live View” nuk ka arritur ende në pjesën më të madhe të botës, por rezultatet e para janë premtuese.

Një motor kërkimi pa reklama

Emri i tij është “Neeva”, dhe është krijuar nga një grup ish-punonjësish të kompanisë “Google”. Në vend se të financohen përmes reklamave, ata duan që ta bëjnë këtë përmes abonimeve. Abonimi mujor kushton pak më pak se 5 dollarë, dhe ka një qasje falas 3-mujore. “Ky motor kërkimi është funksional që nga muaji maj 2021, dhe është vlerësuar shumë nga përdoruesit”- shkruan revista amerikane.

Syzet për një realitet të zmadhuar

Syzet “ThinkReality A3” të kompanisë Lenovo kushtojnë 1.500 euro. Ato mund të lidhen edhe me smartfonët dhe kompjuterët, dhe kanë ekrane me definicion të lartë, të cilat ju japin mundësi të konsultoheni me deri në 5 ekrane njëri pas tjetrit.

Mësimet jashtë linje

“The Learning Passport” është një platformë e zhvilluar nga kompania “Microsoft” në bashkëpunim me UNICEF, për t’u ofruar mundësinë studentëve që nuk kanë internet në shtëpi të ndjekin mësimet off-line. Mësuesit i ngarkojnë leksionet në platformë, dhe për t’i parë ato nuk ka nevojë për rrjet.

Ky program është shumë i personalizueshëm, dhe çdo mësues mund të ngarkojë mësime të llojeve të ndryshme, dhe në gjuhë të ndryshme. Ai po përdoret aktualisht nga më shumë se 1 milion nxënës, nga 13 vende të ndryshme të botës.

Një hartë më e saktë e botës

Siç mund ta dini, hartat e botës me të cilat jemi mësuar, nuk janë aq të sakta. Ato kanë disa shtrembërime në raport me përmasat reale të vendeve të ndryshme. Për shembull në realitet, Rusia është më e ngushtë se sa Afrika. Por Projeksioni Gott-Goldberg-Vanderbei nga astrofizikanët J.Riçard Got, David Goldberg dhe Robert Vanderbei është shumë më i besueshëm.

Një lexues teksti

“OrCam Read” është një pajisje e krijuar për të ndihmuar cilindo që ka probleme me leximin. Ajo kushton pak më shumë se 1500 euro, i përgjigjet komandave zanore dhe falë një kamere të avancuar dhe inteligjencës artificiale, është në gjendje të riprodhojë çdo tekst të shkruar në formatin audio.

“Netflix-i kirurgjisë”

GIBLIB është një platformë që prodhon dhe mban leksione, kurse, kërkime dhe përmbajtje me definicion të lartë. Ndër të tjera, ai shpjegon se si të kryhet operacioni. Kjo platformë përdoret nga personeli mjekësor, dhe mund të ndihmojë në trajnimin dhe ndarjen e njohurive midis kirurgëve. / Bota.al

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?