Bota

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

25 Nëntor, 22:54| Përditesimi: 25 Nëntor, 22:59

  • Share

Diplomatët e zyrtarë të tjerë thonë se kanë mbetur disa pika ku ka mosmarrëveshje në bisedimet për arritjen e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, ndonëse kushtet për një marrëveshje duken se janë pjekur.

Ushtria izraelite ka vrarë pothuajse të gjithë udhëheqësit e grupit militant, por Hezbollahu vazhdon të gjuajë Izraelin me raketa. Dhjetëra mijëra izraelitë, që u evakuuan nga zonat kufitare para disa muajve, po i bëjnë trysni qeverisë së tyre për t’u kthyer në shtëpi. Ndërkoha bota dëshiron ta pengojë një konflikt rajonal që të zgjerohet edhe më shumë pas mbi një viti luftimesh.

Pas vizitës së fundit të një ndërmjetësi amerikan, Izraeli goditi Bejrutin qendror gjatë fundjavës dhe Hezbollahu u përgjigj me sulmin më të madh me raketa pas shumë javësh – dyja palët po i bënin trysni njëra-tjetrës.

Izraeli dhe Hezbollahu këmbyen zjarr në baza ditore që nga dita kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin, më 7 tetor, 2023, duke shkaktuar luftën në Gazë.

Izraeli ndërmori bombardimet në shkallë të gjerë dhe filloi një operacion tokësor ushtarak në Liban para dy muajsh. Mbi 3,500 njerëz janë vrarë në Liban shumë prej tyre civilë.

Mbi 70 persona janë vrarë në Izrael, rreth 40 prej tyre civilë. Krahas tyre, mbi 50 ushtarë izraelitë janë vrarë në ofensivën tokësore. Më poshtë disa nga pikat mbi të cilat nuk është arritur ende marrëveshje:

Për fillim, një propozim për armëpushim dy mujor

Propozimi që po diskutohet aktualisht parasheh një armëpushim fillestar prej dy muajsh, periudhë gjatë të cilës forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Libani dhe Hezbollahu do t’i jepte fund pranisë së tij të armatosur në pjesën jugore, përgjatë lumit të Litanit.

Pas tërheqjeve, mijëra trupave libaneze, të cilat kryesisht ishin injoruar gjatë luftës, do të dislokoheshin për të ruajtur zonën kufitare së bashku me forcat paqeruajtëse të OKB-së.

Një komision ndërkombëtar do të formohet për të vëzhguar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit, e cila u miratua më 2006 për t’i dhënë fund luftës njëmuajshe ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, por që kurrë nuk është zbatuar plotësisht. Hezbollahu kurrë nuk u largua nga Libani jugor, ndërkohë që Libani thotë se Izraeli rregullisht e shkeli hapësirën e tij ajrore dhe pushtoi pjesë të vogla të territorit të tij.

Mbetet e paqartë nëse një marrëveshje e re do të mund të zbatohej më me sukses se ajo e vitit 2006.

Izraeli kërkon liri për të goditur Hezbollahun

Dy diplomatë perëndimorë i thanë agjencisë së lajmeve The Associated Press se Izraeli po kërkon më shumë garanci për t’u siguruar që armatimet e Hezbollahut të hiqen nga zona kufitare. Zyrtarët izraelitë, të cilët janë të shqetësuar për mundësinë që Hezbollahu të kryejë një sulm të ngjashëm me sulmin që Hamasi kreu nga Gaza ndaj pjesës jugore të Izraelit, thonë se ata nuk do të bien dakord me marrëveshjen e armëpushimit nëse ajo nuk u jep në mënyrë të qartë lirinë që të godasin në Liban nëse besojnë që Hezbollahu po shkel marrëveshjen.

Një zyrtar izraelit, që foli me kushtin që të mos identifikohej, tha se kjo çështje vazhdon të mbetet pikë konflikti, ndonëse sipas tij, bisedimet po shkojnë në “drejtim pozitiv”.

Zyrtarët libanezë thonë se një marrëveshje e tillë do të cenonte sovranitetin e Libanit. Udhëheqësi i Hezbollahut Naim Kassem tha se grupi militant nuk do të pajtohej me një marrëveshje që nuk përfshinë një përfundim të plotë dhe gjithëpërfshirës të agresionit” dhe që nuk mbron sovranitetin e Libanit.

Libani dhe Izraeli po ashtu kanë shprehur mospajtimet e tyre se cilat shtetet do të jenë pjesë e komisionit ndërkombëtar që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes dhe Rezolutës 1701.

Në një shenjë që paraqet përparim, Izraeli duket se është tërhequr nga kundërshtimi për përfshirjen e Francës, e cila mbetet e afërt me Libanin që nga sundimi kolonial dhe që së fundmi është armiqësuar me Izraelin.

Të hënën, një zyrtar në dijeni të bisedimeve, tha se Franca do të jetë pjesë e komisionit mbikëqyrës. Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga nënkryetari i parlamentit libanez, Elias Boussab.

Por Libani ka refuzuar të lejojë pjesëmarrjen e Britanisë, një aleate e afërt e Izraelit. Është e paqartë nëse zyrtarët libanezë kanë hequr dorë nga ky kundërshtim pas lëshimit të Izraelit.

Ndërkohë, Izraeli nuk dëshiron të hyjë në negociata për 13 pika të diskutueshme përgjatë kufirit si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, thanë diplomatët.

Dyja palët duan një përfundim të luftës

Një armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, një prej grupeve më të afërta të armatosura të Iranit, pritet të ndikojë në zbutjen e tensioneve rajonale që kanë shtuar shqetësimet për një luftë të drejtpërdrejtë ndërmjet Izraelit dhe Iranit. Mbetet e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë ai në luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë. Hezbollahu këmbënguli prej kohësh se nuk do të pajtohej për armëpushim derisa të mos përfundonte lufta në Gazë, por tani e ka hequr atë kusht.

Një diplomat tha se ekzistojnë shqetësime se në rast se nuk arrihet armëpushimi, lufta do të zgjerohet në Siri dhe Irak ndërkohë që Izraeli po bën përpjekje për t’ia ndërprerë Hezbollahut furnizimin me armë nga Irani. Izraeli rregullisht ka sulmuar me sulme ajrore grupet e lidhura me Iranin në Siri dhe është kërcënuar se do ta godas Iraku, ku militantët e mbështetur nga Irani herë pas here kanë sulmuar me dronë Izraelin.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen deklaroi të dielën gjatë një vizite në Damasj se armëpushimet në Gazë dhe Liban janë thelbësore për “që Siria të mos përfshihet edhe më shumë në këtë konflikt”.

Analistët thonë se Hezbollahu është dobësuar por se vazhdon të godasë Izraelin, përfshirë me sulme më në thellësi se zonat kufitare.

Izraeli thotë se qëllimi i luftës me Hezbollahun është t’u mundësojë izraelitëve të zhvendosur kthimin nëpër shtëpitë e tyre. Në Liban, një e katërta e popullsisë është zhvendosur dhe disa pjesë të vendit, në veçanti në jug dhe periferia jugore të Bejrutit, janë shkatërruar.

Në Liban, ku zyrtarët dhe banorët mezi po presin përfundimin e luftës, optimizmi u zëvendësua pasi i dërguari amerikan Amos Hochstein, u largua nga rajoni pa arritjen e një marrëveshjeje.

Shumë besojnë tashmë se marrëveshja nuk do të arrihet deri kur Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump të fillojë mandatin e tij në janar./VOA

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?