Foto ilustruese

Bota

Cilat janë rregullat për 'green pass' në Evropë dhe në mbarë botën

19 Nëntor 2021, 12:46| Përditesimi: 19 Nëntor 2021, 12:49

  • Share

“Pasaporta e vaksinës nuk ekziston as në Evropë dhe as në botë”. Ky është refreni i përsëritur prej javësh në Itali nga ata që thonë se janë kundër dokumentit “green pass”,që vërteton vaksinimin, një tampon negativ në 48-72 orët e fundit ose shërimin nga Covid-19 në 6 muajt e fundit.

Pak javë më parë, kreu i grupit parlamentaret të Fratelli D’Italia, Françesko Lolobrixhida, tha se vendosja e “green pass” në ambientet publike në Itali,përbën një rast unik në botë. I njëjti mesazh është përcjellë në demonstratat e shumta kundër pasaportës së vaksinës që po prek qytetet italiane, ndërkohë që këtë pretendim e ka përhapur edhe një pjesë e medias.

Por nga një verifikim i thjeshtë rezulton se vendet që kanë një qasje të ngjashme apo të barabartë me atë të Italisë janë të shumta. Dhe për më tepër, numri i tyre po rritet javë pas jave.

Në Francë, “green pass”është i detyrueshëm për të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet kulturore ose rekreative, të mbajtura brenda ose jashtë, si dhe për të hyrë në muze, kinema, kafene, restorante, qendra tregtare, spitale, hotele, si dhe për udhëtime në distanca të gjata me avion, tren ose autobus.

Ata që punojnë në këta sektorë duhet të paraqesin çdo ditë “green pass”, ose pezullohen nga puna. Dhe kjo situatë do të vazhdojë për një kohë të gjatë, duke qenë se parlamenti sapo ka zgjatur masat deri në korrik 2022, përveç se ka shpallur të pavlefshme “green pass” e atyre që janë mbi 65 vjeç, dhe që refuzojnë të marrin dozën e tretë përforcuese.

Në Gjermani, “Rregulli 3G” parashikon se vetëm ata që janë të vaksinuar, të shëruar nga Covid-19 apo kanë një test negativ mund të hyjnë në ambientet e brendshme si spitalet, shtëpitë e të moshuarve, restorantet, hotelet, aktivitetet kulturore dhe zbavitëse, aktivitetet sportive dhe objektet e kujdesit personal si parukeritë.

Duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të rasteve të reja, po merret në konsideratë edhe ideja e shtrirjes së këtij sistemi në të gjitha vendet e punës, ndërsa organizimi federal i shtetit ka bërë që në disa rajone si në Bavari, të vendosin tashmë detyrimin e pasjes së “green pass” në vendin e punës pas tejkalimit të një kufiri të caktuar të personave të infektuar.

Në Greqi, imponimi i lejes së gjelbër ka të bëjë me çdo aspekt të jetës, përfshirë vendin e punës. Ata që nuk janë vaksinuar duhet të paraqesin një tampon të dyfishtë negativ, të kryer me shpenzimet e tyre. Për punonjësit e shëndetësisë nuk ka zgjidhje:vaksina është e detyrueshme, ndryshe pezullohen nga puna. Diçka e ngjashme po ndodh edhe në Ukrainë, teksa është e shtrirë për të gjithë punonjësit e administratës publike edhe në Shqipëri, si për personelin e sistemit shëndetësor, mësuesit dhe studentët.

Austria ka forcuar shumë ditët e fundit rregullat anti-Covid, dhe “green pass” kërkohet tashmë edhe në vendin e punës. Për më tepër, çdo bllokim i ardhshëm për shkak të rishfaqjes së infeksioneve, do të prekë vetëm popullatën e pa vaksinuar (si në Letoni ), ku po zbatohen masat më të rrepta në Evropë deri më tani.

Danimarka ka kërkuar “coronapas”, një dokument i ngjashëm me “green pass” për shumë muaj me radhë deri verën e këtij viti. Rregulli parashikonte paraqitjen e kësaj certifikate për çdo aktivitet në ambiente të mbyllura, përfshirë punëtorët, të cilët në rast mos vaksinimi duhet të paraqisnin një tampon të dyfishtë negativ.

Rënia e rasteve të reja në shtator çoi në heqjen e këtij sistemi, por tani qeveria ka bërë një hap pas dhe po përgatitet të rifusë të njëjtat kufizime. Në Zvicër, “green pass” është i detyrueshëm për personat mbi 16 vjeç në vende të mbyllura si baret, restorantet dhe hotelet, në ambientet sportive dhe ato kulturore, si teatrot, kinematë, dhomat e lojërave, pishinat, muzetë dhe kopshtet zoologjike.

Ligji i jep punëdhënësit të drejtën t`i kërkojë pasaportën e vaksinimit çdo punonjësi të tij, si një formë e mbrojtjes së mjedisit të punës. Ditët e fundit, një pronar restoranti që refuzoi t’u kërkonte punonjësve dhe klientëve “green pass”u ndëshkua me pezullimin e aktivitetit të biznesit të tij, që aktualisht është rrethuar me blloqe prej betoni.

Ndërkohë ka edhe vende të tjera evropiane ku kërkohet një certifikatë që vërteton vaksinimin ndaj Covid-19, shërimin nga kjo sëmundje apo një tampon negativ për një sërë aktivitetesh sportive, rekreative, pritëse dhe në disa raste edhe të punës në ambiente të mbyllura. Ndër to janë Sllovakia, Rumania, Portugalia, Holanda, Irlanda, Estonia, Kroacia, Qipro dhe Bullgaria.

Në Shtetet e Bashkuara, vaksina është bërë e detyrueshme nga 2 ligje ad hoc për të gjithë punonjësit federalë dhe kompanitë private që punojnë në kontakt me shërbimin publik. Synimi është shtrirja e këtij detyrimi në të gjitha kompanitë private me të paktën 100 punonjës, por ditët e fundit një gjykatë e ka bllokuar këtë të fundit.

Edhe në Kanada, që nga data 30 tetor, punonjësit e shtetit janë të detyruar të vaksinohen, një dispozitë kjo që vlen edhe për ata që punojnë aktualisht nga shtëpia,pasi herët a vonë mund të rikthehen të jenë në kontakt fizik me kolegët.

Singapori ka njoftuar së fundmi një masë radikale për të kundërshtuar lëvizjen e kundërshtarëve të vaksinave. Ata që refuzojnë të vaksinohen, do të paguajnë vetë shpenzimet e tyre shëndetësore kur të sëmuren nga Covid-19.

Kjo masë i shtohet një sërë kufizimesh të forta që ekzistojnë në vend në lidhje me aktivitetete përditshme. Ligjet dhe rregullore të ngjashme për punonjësit kanë nisur të zbatohen javët e fundit edhe në vende Indonezia, Turkmenistani, Mikronezia, Arabia Saudite, Kazakistani dhe Taxhikistani.

Ndërkohë në Australi, kryeministrja e rajonit të Kuinslend, Anastasia Palazuk, ka deklaruar se ata që nuk janë vaksinuar deri në dhjetor, nuk do të lejohen që të frekuentojnë baret dhe restorantet, apo të marrin pjesë në aktivitete kulturore, si brenda apo jashtë. Ndërkohë kemi edhe rastin e Izraelit, ku sistemi i “green pass” është vendosur prej muajsh, dhe aktualisht ata që refuzojnë të marrin dozën e tretë, përjashtohen nga jeta shoqërore. / Bota.al

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?